Këndi i Ekspertit/ Ligji i ri për tokat bujqësore, ja ndryshimet favorizuese

Në emisionin “Këndi i Ekspertit”, në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka sqaruar ndryshimet e ndodhura në ligjin për tokat bujqësore ose siç njihet ndryshe Ligjin 7501. Begaj ka sqaruar se cilat janë ndryshimet që do të sjellë ky ligj, cili është afati i përfundimit të procesit dhe cilat janë institucionet që ngarkohen për zbatimin e këtij ligji. Gjithashtu eksperti ynë ka theksuar edhe favorizimet që kanë qytetarët me ndryshimet e këtij ligji. Më pas Begaj u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët.

Sot do të flasim për ligjin e ri për tokat bujqësore. Cilat janë ndryshimet që do të sjellë ky ligj? Cili është afati i përfundimit të procesit? Cilat janë institucionet që ngarkohen për zbatimin e këtij ligji?

Çështja e Kadastrës është shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Tashmë dihet që dy institucionet e veçanta, Hipoteka dhe ALUIZNI, do të bashkohen në një institucion të vetëm, i cili do të quhet institucioni i Kadastrës. Ka filluar ndryshimi me disa informacione që merren te Hipoteka dhe ALUIZNI dhe tani pritet edhe ndryshimi i pjesës tjetër.

Përqendrohemi pak te Ligji nr. 7501. Në vitin 2018, ky ligj është rishikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Po, në vitin 2018 u rishikua në Kuvendin dhe u aprovua, por me kthimin nga Presidenca, për disa ndryshime dhe përmirësime, normalisht që u miratua në vitin 2019. Por zanafillën e ka në vitin 2018, prandaj quhet edhe ligj i vitit 2018.

Për të gjithë ata që kanë toka bujqësore, cili është ndryshimi?

Një nga ndryshimet thelbësore është që, para këtij ligji, ishte e detyrueshme që fermerët duhej të ishin me banim në zonat ku ishin pronat. Tani ky ligj e ka shfuqizuar këtë nen dhe mjafton që të kenë jetuar para vitit 1991 në zonën ku ndodhet prona, e vërtetuar kjo me certifikatë familjare. Personi mund të jetë spostuar me banim në qytet ose në një zonë tjetër dhe mund të jetë përfitues i tokës me Ligjin nr. 7501, d.m.th. vazhdon regjistrimin normal të tokës.

Ky është favorizimi?

Ky është favorizimi kryesor nga ky ligj. Kemi edhe risi të tjera.

Cilat janë institucionet, të cilat janë ngarkuar për zbatimin e këtij ligji?

Qendrat administrative e zonës, pra fshatrat që janë përmbledhur nga ish-komuna në qendra administrative. Këto kanë detyrimin ligjor për plotësimin e dokumentacioneve, të hartografisë dhe të pjesës tjetër, të cilat kryhen nga specialistët. Këto dosje të plotësuara pastaj, dërgohen në bashkitë e mëdha dhe nga bashkitë dërgohen në hipoteka për regjistrim. D.m.th, këto janë institucionet kryesore.

Cili është afati kohor që duhet zbatuar për përfundimin e të gjithë këtij procesi?

Afati kohor tashmë është shtyrë dhe është data 31 dhjetor 2019. Besoj se ky duhet të jetë afati i fundit. Pra deri më 31 dhjetor 2019 ky proces duhet të përfundojë ose qytetarët, të cilët kanë aktin e marrjes së tokës në pronësi në zona të ndryshme rurale, duhet të interesohen që të plotësojnë dokumentacionin e tyre sa më shpejt dhe kështu të bëhen përfitues të tokës bujqësore, në zonën ku e kanë.

Cilat janë dokumentet që duhen dorëzuar?

Dokumenti kryesor është certifikata familjare para vitit 1991, për ata që janë jetuar në fshat dhe për fermat bujqësore certifikata familjare e vitit 1992. Duhen gjithashtu planet e rilevimit dhe dokumenti hartografik, duhet tapia, e cila është një nga dokumentet më kryesore, pra akti i marrjes së tokës në pronësi, vërtetimet që janë banorë të lagjes, të cilat merren në zyrat e Gjendjes Civile. Të gjitha këto duhet të dorëzohen në qendrën administrative ku personat e interesuar banojnë. Qendrat administrative janë të ngarkuara me përgjegjësinë ligjore për të ndjekur procedurën.

Në qendrën administrative ku personat banojnë, apo në qendrën administrative ku kanë tokën?

Tashmë ata duhet të drejtohen pranë qendrës administrative ku ndodhet toka e tyre.

Duhet theksuar kjo sepse personi mund të banojë në një qytet dhe tokën e ka në një zonë tjetër.

Po, është shumë i saktë dhe i drejtë ky sqarim. P.sh., personi mund të banojë në Tiranë dhe tokën e ka në një fshat të Tiranës. Pra, ai do t’i dorëzojë dokumentet e tij aty ku ka pasur gjendjen e tij civile para vitit 1991 ose 1992.

Jam një qytetar nga Divjaka. Banoj në komunën Remas. Babai e ka marrë certifikatën e pronësisë të vitit 1991, por i ka humbur. Çfarë rruge duhet të ndjekim për ta marrë përsëri certifikatën?

Zotëria duhet të shkojë në hipotekën e Divjakës, ku të bëjë një kërkesë për kartelën në emrin e tij. Normalisht duhet që të nxjerrë kartelën. Pastaj me një fotokopje të kartelës dhe me kartën e identitetit duhet të shkojë pranë një zyre noteriale, ku duhet të bëjë një deklaratë noteriale, në të cilën të shpjegojë që i ka humbur certifikata e pronësisë. Duhet patjetër që noterja, për të bërë deklaratën noteriale, të bazohet mbi një akt ligjor, që në këtë rast është kartela. Normalisht pastaj ai duhet të paraqitet pranë hipotekës ku të aplikojë për t’u pajisur me një certifikatë të re, dublikatë. Kjo është e vlefshme po njëlloj me certifikatën e parë. Kjo është një procedurë e thjeshtuar që duhet ndjekur nga zotëria.

Jam banor i Tiranës dhe bashkë me të afërmit e mi kemi disa toka në fshatrat e Vlorës. I kemi bërë që të gjitha dokumentet dhe i kemi dorëzuar tek Agjencia e Trajtimit të Pronave. Të gjithë ne i kemi dhënë një prokurë motrës së madhe. Tani na thonë që duhet të bëjmë prokura të reja. Duhet të bëjmë që të gjithë nga një prokurë të re apo duhet të rinovohet prokura ekzistuese?

Institucioni ka një të drejtë sepse prokura, që të funksionojë, ka një afat të caktuar. Kështu që, nëse prokura ka skaduar, pra e ka kaluar afatin e veprimit të saj, normalisht që duhet të bëhet një prokurë e re, me të gjithë përfituesit e kësaj prone. Domethënë, të gjithë ata që janë në listën për të marrë shpërblimin nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, duhet që të vendosin një përfaqësues të tyre. Në rastin konkret, përfaqësuese ishte motra e madhe. Kështu që të gjithë përfituesit duhet të paraqiten edhe një herë para noteres për të ribërë prokurën. Institucioni kërkon një verifikim të ri sepse ka kaluar kohë e gjatë që nga firmosja e prokurës së parë dhe mund të kenë ndodhur ndryshime në gjendjen civile të përfituesve, p.sh. dikush mund të ketë ndërruar jetë, mund të kenë lindur mosmarrëveshje etj. Pra, të gjithë përfituesit duhet të parqiten para noteres ku kanë bërë prokurën e parë dhe të bëjnë një rikonfirmim duke firmosur një prokurë të re.

Jam banor i Bashkisë Kuçovë, fshati Belagosh. Kam marrë tapinë sipas Ligjit nr. 7501. Këtu thotë: afati i marrjes së tokës në pronësi. Kam shkuar për të bërë dokumentet, certifikatën. Kam dëgjuar në televizor që ka dalë një ligj ku thuhet se invalidët dhe të verbërit duhet t’i bëjnë dokumentet pa lekë, falas. Mua më kanë kërkuar lekë për të gjitha dokumentet.

Qytetari ka të drejtë kur thotë se e ka dëgjuar sepse e ka thënë kryeministri që, pas legalizimeve, qeveria do t’i fokusohet shpërndarjes ose përfundimit të ligjit 7501. Prandaj është dhënë edhe afati i fundit i përfundimit, i regjistrimit, deri më 31 dhjetor 2019. Gjithashtu kryeministri ka thënë që qendrat administrative duhet që të përfundojnë falas, pa pagesë, të gjithë dokumentacionin e duhur për kategori të caktuara qytetarësh. Disa qytetarë, të cilët duan të fitojnë kohë dhe të arrijnë afatet e caktuara kohore, mund edhe të bashkëpunojnë me studio ligjore private, sidomos për të bërë hartat dhe në këto raste duhet që të paguajnë për shërbimin apo për dokumentin e caktuar. Dhe hartografia është një nga problemet kryesore. Dokumentet e tjera i ka qendra administrative dhe zyra e gjendjes civile. Dhe këto dokumente kanë një kosto fare minimale. Por për çështjen hartografike, ka qendra administrative, të cilat nuk mund ta plotësojnë normën, pra që të realizojnë planet e rilevimit dhe një pjesë e qytetarëve këto dokumente mund t’i plotësojnë edhe duke bashkëpunuar me studio ligjore private. D.m.th. dikush që kërkon të mbarojë punë shpejt ose që dëshiron të përshpejtojë procedurën. Por, ligji ngarkon me përgjegjësi ligjore qendrat administrative për të plotësuar dokumentacionin. Kjo procedurë është falas ashtu si për procesin e legalizimit. Por saktësisht procedura duhet parë pranë qendrave administrative, se çfarë ato ofrojnë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen