Këndi i Ekspertit/ Pensionet e personave që lidhen me sportin, si llogariten

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka folur këtë javë për pensionet e sportistëve, të gazetarëve sportivë, të trajnerëve e të tjerë personave, profesionet e të cilëve kanë lidhje me sportin. Profesor Kepi ka sqaruar se cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të përfituar këto pensione dhe se si llogariten ato. Po kështu ai ka shpjeguar se cilat janë institucionet që janë ngarkuar me përgjegjësinë ligjore për trajtimin e këtyre pensioneve. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet e sportistëve, të gazetarëve sportivë, të trajnerëve e të tjerë personave, profesionet e të cilëve kanë lidhje me sportin. Cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të përfituar këto pensione? Si llogariten këto pensione? Cilat janë institucionet që janë ngarkuar me përgjegjësinë ligjore për trajtimin e këtyre pensioneve?
Të gjithë sportistët, femra dhe meshkuj, trajnerët dhe gazetarët sportivë, gjatë vitit 2019, në përgjithësi, përfitojnë pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj femrat dhe në moshën 65 vjeç meshkujt. Të gjithë këta duhet që të kenë një vjetërsi pune nga 15 vite deri në 36 vite e 8 muaj punë të siguruar.

Por te sporti ka një veçori. Thuhet që sportistët dhe artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi. Shumë trajnerë të suksesshëm në vendin tonë, po kaq të suksesshëm kanë qenë edhe kur kanë qenë jashtë vendit si sportistë apo si trajnerë. Ne vazhdimisht kemi pasur trajnerë të huaj për ekipin tonë kombëtar të futbollit. Për mendimin tim, suksesi më i madh i futbollit shqiptar ka qenë ai i vitit 1946, kur vendi ynë u shpall kampion i Ballkanit dhe ndeshjet janë zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Duhet të them gjithashtu se është e vërtetë që ne kemi pasur trajnerë të huaj, por në Republikën Popullore të Kinës, trajner i ekipit kombëtar të futbollit për disa vite, ka qenë një ndër futbollistët më të mirë të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe trajner i suksesshëm i ekpit të Partizanit dhe i ekipit kombëtar, Loro Boriçi. Pra, ka qenë trajner i ekipit kombëtar në vendin më të populluar të botës.

Këta persona, të cilët kanë punuar jashtë vendit si sportistë, si trajnerë, si gazetarë etj., do të përfitojnë në vendin tonë, do t’u njihen vite pune, sepse legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore i merr në mbrojtje, në qoftë se për atë periudhë që kanë punuar atje, do të bëjnë sigurime vullnetare në vendin tonë. E vërteta është kjo që, me vitet që kanë punuar në çfarëdo vendi qoftë, ata nuk përfitojnë pensione në ato shtete, sepse janë pak vite pune. Atëherë, legjislacioni shqiptar i lejon këta sportistë apo trajnerë që të bëjnë sigurime vullnetare në vendin tonë për periudhën që ata kanë punuar jashtë Shqipërisë. Sigurimet vullnetare janë në vlera shumë të leverdisshme dhe kjo bëhet për të shtuar vitet e punës.

Ka edhe një veçori tjetër, që duhet ta përmend. Disa sportistë dhe sportiste në vendin tonë, kanë qenë deputetë apo deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Dikush tjetër ka qenë kryetar bashkie. Disa të tjerë kanë qenë edhe zëvendësministra. Si veprohet në të tilla raste? Këta persona, përveç pensionit të zakonshëm, do të marrin edhe pension suplementar, ashtu siç marrin të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kryetarët e bashkive, zëvendësministrat etj.

Sportistët, të cilët janë edhe pedagogë ose që kanë edhe tituj shkencorë, siç janë profesorët dhe asistent profesorët, dalin në pension: profesorët në moshën 68 vjeç dhe asistent profesorët në moshën 65 vjeç. Akademikët dalin në pension në moshën 75 vjeç. Por, për arritje të dallueshme në punën e tyre, ka disa sportistë, të profesioneve të ndryshme, të cilët përfitojnë edhe pension të posaçëm. Në vendin tonë, përfitojnë pension të posaçëm rreth 470 veta, nga të cilët, gjysma janë artistë dhe sportistë janë rreth 70 veta. Unë do të përmend vetëm 3 personalitete në këtë fushë, që marrin pension të posaçëm: futbollisti i shekullit Panajot Pano; peshëngritësi Ymer Pampuri, kampion olimpik, rekordi i të cilit ende nuk është thyer; Flora Toto, pedagoge e Universitetit të Sporteve, e vetmja parashutiste femër, që merr pension të poaçëm. Ka edhe shumë të tjerë që nuk po i përmendim.

Po për gazetarët, si llogaritet pensioni?
Në vendin tonë pensioni ka një përparësi, sepse nuk ka tavan. Pra, personat që kanë më shumë vite pune, marrin pension më të lartë. Pensioni llogaritet mbi pagën mesatare mujore bruto mujore, e cila shumëzohet me disa koeficientë të caktuar nga Këshilli i Ministrave.

Unë do t’u sugjeroja të gjithë sportistëve, të cilët janë kthyer sërish në vendin tonë dhe japin kontributin e tyre në këtë vend, pavarësisht se në cilat vende e kanë ushtruar profesionin dhe aktivitetin e tyre, që të paguajnë kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore për të shtuar vitet e tyre të punës, sepse për vitet që kanë punuar jashtë vendit nuk mund të marrin pension.

Flas nga Durrësi. Unë interesohem për motrën, e cila nuk mund të flasë vetë sepse nuk dëgjon. Ajo është 60 vjeçe dhe i ka vdekur bashkëshorti. Nuk merr asnjë lloj pensioni. A i takon ndonjë pension nga bashkëshorti?
Zonja, nga mosha 55 vjeçe, në rast se është pa punë, nuk ka tokë, nuk është e vetëpunësuar, përfiton 50% të pensionit të bashkëshortit, deri kur të plotësojë moshën e saj për pension pleqërie. Ditën kur ajo do të plotësojë moshën e saj për pension, do të ketë të drejtën të zgjedhë që, ose të vazhdojë të marrë gjysmën e pensionit të bashkëshortit, ose të marrë pensionin e saj, i cili do të varet nga numri i viteve të punës që ka punuar zonja, si edhe nga paga e saj mesatare mujore bruto. Unë i sugjeroj zotërisë, që të shkojë që nesër në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të Durrësit, të marrë me vete certifikatën e gjendjes familjare të motrës, certifikatën e vdekjes së bashkëshortit të motrës, librezën e punës së bashkëshortit të motrës, vërtetimin e rrogës që ka marrë bashkëshorti i motrës nga data 1 janar 1994 e në vazhdim. Sqarime më të hollësishme zotërisë do t’i japin punonjësit e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore të Durrësit. Sigurimet Shoqërore në Durrës do të bëjnë përllogaritjen e pensionit që i takon bashkëshortit të ndjerë të motrës dhe pastaj ajo shumë do të pjesëtohet me numrin 2 që të dalë vlera e gjysmës së pensionit që i takon motrës. Nëse motra jeton e vetme, pra në certifikatën e gjendjes së saj familjare ajo figuron e vetme dhe banon në shtëpinë e saj, gjithashtu ka edhe kontratën e energjisë elektrike me ndëmarrjen OSHEE, asaj i takon edhe kompensimi i energjisë elektrike, pavarësisht se ka qenë bashkëshorti kryetari i familjes dhe kontratat apo dokumentet e shtëpisë mund të jenë në emrin e tij. Unë mendoj dhe i sugjeroj zotërisë që t’i dorëzojë dokumentet, të cilat unë i përmenda, në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Durrës dhe nëse nga përgjigjja që do të marrë do të ketë dyshime, të takojë Drejtoreshën e Sigurimeve Shoqërore në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Durrësit.

Flas nga Tirana. Jam 61 vjeç dhe kam punuar 13 vite me bojëra dhe me lëndë kimikate, si punëtor ngjyrimi. Gjithsej kam 32 vite pune. A përfitoj pension në moshën 60 vjeç?
Jo. Zotëria do të përfitojë pension në moshën 65 vjeç, d.m.th. pas 4 viteve, në vitin 2023. Ato 13 vite punë që zotëria ka punuar me bojëra, i njihen si punë e zakonshme. Është e vërtetë që kanë qenë punë të kategorisë së dytë, të vështirë, por që nga viti 2013 e në vijim, quhet punë e zakonshme. Pra, zotëria do të dalë në pension në vitin 2023 dhe për pension të plotë do t’i kërkohen 38 vite punë të siguruar. Aktualisht zotëria ka 32 vite punë dhe deri në vitin 2023 i bëhen 36 vite punë. Do t’i kërkohen 38 vite punë, përfshirë këtu edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ndërsa si pension të pjesshëm, me 36 vite punë, zotëria do të marrë 95% të shumës së pensionit të plotë. Nëse zotëria dëshiron dhe nëse i ka mundësitë financiare, përpara se të mbushë moshën e daljes në pension, mund të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore për vitet e punës që i mungojnë, pra për 2 vite, në mënyrë që të përfitojë pensionin e plotë. Kontributi vullnetar i sigurimeve shoqërore është një pagesë e leverdisshme, por duhet bërë patjetër përpara plotësimit të moshës për daljen në pension. Sqarime më të hollësishme zotëria mund të marrë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore ose në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

Flas nga Vlora. Në vitin 2020 dal në pension. Më bëhen 42 vite punë. Kam punuar edhe në kooperativë edhe në shtet. Çfarë pensioni do të marr?
Për të marrë pension të plotë, në vitin 2020, zotërisë do t’i kërkohen 37 vite punë të siguruar, nga mosha 16 vjeç e lart, pavarësisht se ku ka punuar, në ish-kooperativë bujqësore, në sektorin shtetëror, si i vetëpunësuar apo ka paguar sigurime shoqërore vullnetare. Sqarime më të hollësishme, zotëria mund të marrë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Vlorë. Në këtë drejtori, zotëria duhet të dërgojë këto dokumente: vërtetimin që ka punuar në kooperativë bujqësore, nga mosha 16 vjeç dhe vit i plotë punë në kooperativë bujqësore zotërisë do t’i njihet vetëm nëse ai ka realizuar 280 ditë pune në një vit kalendarik, ose 24 ditë pune në një muaj kalendarik. Nëse zotëria mund të ketë realizuar më shumë se 280 ditë pune në një vit kalendarik, ato ditë që ka më tepër nuk i njihen dhe nuk i llogariten për efekt pensioni. Gjithashtu zotëria duhet të ketë librezën e punës, vërtetimin e degës ushtarake për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, vërtetimin nëse ka qenë në asistencë, vërtetimin për periudhën nëse ka bërë sigurime shoqërore vullnetare ose si i vetëpunësuar në bujqësi, vërtetimin e pagës nga data 1 janar 1994 e deri në ditën që do të lërë punën për efekt të daljes në pension. Njëkohësisht Sigurimet Shoqërore marrin online nga zyrat e gjendjes civile edhe certifikatën e gjendjes familjare, për arsye se, në bazë të kësaj certifikate, merret edhe kompensimi i energjisë elektrike. Unë i rekomandoj zotërisë që një muaj përpara mbushjes së moshës për pension, të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore dhe të informohet se çfarë dokumentesh do t’i duhen për të dorëzuar. Pasi t’i ketë dorëzuar dokumentet e duhura, zotëria do të pajiset me librezën e pensionit ku shënohen të dhënat personale, vitet e punës, si edhe paga e pensionit. Nëse zotëria do të ketë dyshime, atëherë do t’i drejtohet Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Vlorë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen