Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, ka sqaruar ndryshimet që do të ndodhin në legjislacion që do të sjellin lehtësimin e procedurave të legalizimit dhe hipotekimit të objekteve që janë ndërtuar pa leje ose në shkelje të saj. I ftuar në emisionin "Këndi i Ekspertit" në Report Tv, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, kreu i ALUIZNI-t iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve për problemet dhe reformën e qeverisë te pronat.
Desha të pyes, ALUIZNI dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive me të njëjtën qeveri punojnë? Sepse kam 2 vjet që kam probleme me Hipotekën. Nuk e zgjidh dot. Në tetor 2016 kam marrë legalizimin nga zyra juaj. Kam qenë te drejtoria qendrore dhe më thanë që në janar 2017 kemi dërguar për VKM.
Është po i njëjti rast si më parë. Hipoteka thotë që në janar 2017 e ka çuar për VKM, që do të thotë që është bërë gati për VKM nga shkurt-marsi 2017, kur u bë bllokimi nga qeveria. Pra është stoku i vitit të kaluar që është thjesht evadim formal. Problemi tjetër që jam i bindur se do të dalë midis Hipoteka dhe ALUIZNI-t, është problemi universal i hipotekave shqiptare, hartat e këqija. Është një problematikë e mbartur në treçerek shekulli, për të mos thënë edhe më shumë.
Dua të them diçka në parim: të gjitha këto problematika nuk mund t’i zgjidhë një zyrë. Po ashtu nuk mund t’i zgjidhin qytetarët thjesht në shtëpi, duke pritur. Por, mund t’i zgjidhim bashkërisht dhe kjo është e vetmja mënyrë. Prandaj dhe unë, po përpiqem dhe gjithnjë jam përpjekur t’ua shpjegoj njerëzve se cila është problematika dhe se sa kohë duhet për ta zgjidhur. Unë nuk mund të gënjej. Kjo është e vërteta. Dhe e vërteta është e tillë: shteti shqiptar trashëgoi një hipotekë në vitin 1945 të papërfunduar, pra, në 30 vitet e para të pavarësisë, nga viti 1912 deri më 1945, edhe në periudhën e mbretit Zog edhe në periudhën e Italisë, nuk arritëm dot të ngrinim një hipotekë moderne, pra një zyrë të regjistrimit të pasurive moderne, kadastër moderne, siç e kërkonte një shtet i shek. XX. Zogu e filloi dhe e la në mes për shumë arsye; Italia donte ta vazhdonte por filloi lufta; Komandanti erdhi në fuqi në vitin 1945 por nuk i duhej fare kadastra sepse e zhduku pronën private. Kështu që në vitin 1990 ne u gjendëm në këtë situatë. Pra, një shtet në prag të shek. XXI, nuk kishte zgjidhur ende një problem kadastre të fillimit të shek. XIX. Ky problem gjatë këtyre 25 viteve, jo vetëm që nuk u zgjidh, por edhe u rëndua më tepër, me harta të trashëguar prej 100 vitesh dhe të bëra keq, me harta për të cilat janë harxhuar mbi 40 milionë euro investime që janë bërë në këto 20 vjet për regjistrimin fillestar dhe për digjitalizimin, të cilat, vetë Banka Botërore që është marrë me këto procese, thotë që rreth 80% të tyre duhen ribërë. Pra, duhen ribërë edhe ato që janë bërë në këto 20 vjet, pale të vjetrat. Dhe të gjitha këto me radhë krijojnë këtë kakofoninë e hartave që mbivendosen me njëra-tjetrën.
Ne po përmirësojmë shërbimin ndaj qytetarëve dhe në hipotekat shqiptare këta 6 muajt e fundit ka përmirësime të performancës. Ne po përmirësojmë shkurtimin e kohës së përgjigjes, por ama kemi rregulluar vetëm banakun. Mulliri që prodhon të gjithë këtë informacion është i vjetër dhe gruri që bluan dhe mielli që prodhon ky mulli për ta shitur, është i mykur. Kjo do të thotë që reforma do të jetë shumë e thellë. E kam thënë dhe vazhdoj ta them për qytetarët e republikës, që kadastra shqiptare është në pragun e katastrofës dhe do ta vuajmë edhe disa vite të tjera duke pasur vullnet, se po nuk patëm vullnet, mbetemi këtu ku jemi dhe do të vazhdojmë të vuajmë duke u munduar të zgjidhim hallet duke paguar kuturu. Në qoftë se duam ta reformojmë sektorin do të vuajmë edhe për disa vite.
Problemi i mbivendosjes që thotë qytetari është problemi i hartave. Hartat më të mira sot në Republikën e Shqipërisë dhe që i afrohen më tepër realitetit, i ka ALUIZNI, për dy arsye: e para, sepse baza mbi të cilën filloi është fotografimi ajror i vitit 2008. Mbi këtë bazë u ngrit e gjithë hartografia, e cila vazhdoi më pas në mënyrë masive pas vitit 2013. Pra, ALUIZNI ka hartografinë më të mirë të republikës, por jo me vlerë ligjore, në një kohë që hartat më të këqija të këtij vendi, por që kanë vlerë ligjore, i kanë hipotekat. Pra, edhe një herë, kemi harta të sakta pa vlerë ligjore dhe harta të pasakta me vlerë ligjore. Mbivendosja e tyre shkakton vetëm kaos.
Flas nga Italia. Më quajnë Mehmet Agaj. Kam marrë një leje ndërtimi në vitin 1991. Kam bërë kërkesë-ankesë në vitin 2017 dhe kam marrë përgjigje negative nga z. Artan Lame. Nuk më bëhet legalizimi i shtëpisë. Është bërë dhe një ndërtim pa leje pas shtëpisë sime. Si zgjidhet?
Qytetari thotë që ka marrë një leje ndërtimi në vitin 1991, ka ndërtuar dhe tani nuk i legalizohet. E para, në qoftë se ke marrë një leje ndërtimi dhe e ke zbatuar ndërtimin sipas lejes, nuk ke çështje legalizimi. Pra, normalisht, qytetari e ka shkelur lejen e ndërtimit. Kjo nuk është ndonjë tragjedi e madhe sepse në atë kohë ashtu ndodhte, lejet jepeshin edhe pa kritere, po ashtu edhe ndërtohej. Por, administrata stabilizohet dhe kërkohet zbatimi i rregullave, rezulton që ajo leje e marrë është e painkuadrueshme në një situatë ligjore të stabilizuar. Prandaj nuk e legalizon dot. Plus që ka bërë dhe shtesa të tjera ndërtimi. Ekziston një VKM nr. 806, për ndërtimet e bëra nga gushti i vitit 1991 e më përpara, që nuk hynin në proces legalizimi. Ato trajtoheshin pranë njësive vendore. Këtu hyjmë në konflikt, sepse me disa gjëra merret ALUIZNI, me disa merren bashkitë. Bashkitë pastaj, duke qenë më afër qytetarëve, merren edhe me çështje përkatësie politike, ndërsa një institucion qendror është gjithnjë më i paanshëm. Prandaj, qytetarët janë gjendur në këtë situatë. Në legjislacioni e ri që po formatojmë, edhe ndërtimet e bëra para vitit 1991, përmblidhen dhe legalizohen, trajtohen nga agjencia e re e kadastrës që do të krijohet. Pra, qëllimi është që të grumbullohen çështjet dhe të merret një institucion i vetëm me trajtimin e tyre. Kështu do të zgjidhet i gjithë ky kaos i krijuar. Parimi i këtij legjislacioni të ri është, njerëzit në njëfarë mënyre janë stabilizuar, kanë gjetur pozicionin e tyre tashmë, pas gjithë atij tërmeti 25-vjeçar, atëherë të njohim faktin. Pra, çfarë prone ke, çfarë dokumentesh ke për të, dhe ta regjistrojmë. Dhe çështja tjetër shumë e rëndësishme, të rregullojmë çështjen e hartografisë që lidhet me hipotekën. Kështu që kam përshtypjen që kjo kategori është.
Flas nga Korça. Në vitin 1991 u ndanë tokat nëpër fshatra, sipas frymëve. Tani, ne kemi fëmijë, kanë marrë pronat sipas ligjit që ishte atëherë, sa iu takonte. Që t’ua kaloj unë fëmijëve, në hipotekë atë pronë që u takon e kanë me ligj, por unë duhet të paguaj në hipotekë. E kanë pronën e tyre ata. Duhet parë më mirë ky ligj.
Ky nuk është problem i Korçës, por i të gjithë Shqipërisë. Me Ligjin 7501 ndahej toka për familjen bujqësore. Regjistrohej në një zë në hipotekë. Tani që fëmijët u rritën dhe duan të dalin në shtëpi më vete, babai duhet t’u lërë tokën. E para, kjo ka të bëjë edhe me pikëpamjen apo edukimin e shqiptarëve në lidhje me dokumentacionin. Nëse ka ndonjë gjë në botë që shqiptarët kanë urryer këtu 1000 vitet e fundit, janë letrat. Duhet të mësohemi që në epokën ku jetojmë, letrat, dokumentet, janë një gjë e rëndësishme. Jam i bindur që ky zotëria që e ka marrë tokën që në vitin 1991, deri më sot nuk është bërë merak që ta bëjë këtë proces. Por, vjen një ditë që duhet bërë. Tani i duhet të regjistrojë AMTP-në, dokumentin e pronësisë në hipotekë. Më tepër se gjysma e këtyre dokumenteve janë ende të paregjistruara. Pas regjistrimit bëhet nënndarja për anëtarët e tjerë të familjes. I gjithë ky proces ka një kosto të caktuar. Në qoftë se shkon në hipotekë për të marrë një dokument të shtëpisë tënde, natyrisht që do të paguash një tarifë të caktuar. Hipoteka ka rreth 70 e ca shërbime të ndryshme që kryen dhe për secilin nga këto shërbime paguhet një tarifë e caktuar. Është më se normale, që në qoftë se kërkon një shërbim, duhet ta paguash. Meqenëse këtu kemi të bëjmë me një shërbim që i takon të gjithë Shqipërisë, dhe që po bëhet për herë të parë, në kuadër të legjislacionit të ri po shohim mundësinë se si të ulim kostot e këtij procesi për qytetarët. Por sidoqoftë, duhet ta kuptojnë qytetarët që është një proces që ka një kosto të caktuar.
Zotëria ka dokumentin e marrjes së tokës, që quhet AMTP. Këtu fillon ndarja e madhe. Në rreth 460.000 familje që morën tokë në vitin 1991, vetëm afërsisht gjysma e tyre e kanë regjistruar dokumentin në zyrat e kadastrës. Gjysma tjetër akoma e kanë dokumentin në xhep, sipas parimit të shqiptarit që ka kohë. Pastaj kur vjen dita që duhet ta regjistrojnë, shqetësohen sepse duhet të paguajnë lekë apo shqetësohen se ia kanë zënë tokën të tjerët dhe toka nuk ishte e regjistruar. Dokumenti i pronësisë, edhe kur të bie zjarr e të digjet, kur prona është e regjistruar në hipotekë, gjendet përsëri lehtësisht. Apo rasti tjetër kur dikush të zë pronën, kur ke dokumentin në hipotekë, pra e ke regjistruar pronën, e fiton lehtë gjyqin. Aksioni më i madh që do të jetë vitin tjetër në pikëpamje të formalizimit të pronës, është regjistrimi masiv i AMTP-ve, i tokave të ndara me Ligjin 7501.
Flas nga Berati. Unë dhe shumë familje të tjera kemi AMTP për ullishten. Kam dy vjet që kam aplikuar në hipotekën e Beratit, kam paguar të gjitha detyrimet, kam plotësuar të gjithë dokumentacionin që kërkojnë, dhe akoma nuk mund ta marr certifikatën e pronësisë. Çështja shkon sa nga hipoteka në bashki dhe anasjelltas. Nuk po e zgjidh dot këtë problem. A mund të më ndihmoni me një sqarim të saktë? Shumë qytetarë të Beratit kanë të njëjtin problem si unë.
Këto nuk janë probleme vetëm të Beratit, se ullinjtë nuk bëhen vetëm atje por edhe në Breg. Dhe Bregu ka shumë probleme të këtij lloji. Logjika është e tillë: për të regjistruar sot një pronë të marrë me AMTP duhen kaluar 23 hallka. Është një gjë e pabesueshme. Prandaj thashë më parë, që do të jetë aksioni më i madh i vitit të ardhshëm pikërisht fshirja e këtyre hallkave dhe përqendrimi i trajtimit të çështjeve në një institucion. Do të jenë pa diskutim 4-5 hallka dhe jo 23. Edhe këto 4-5 hallka të domosdoshme do të jenë brenda të njëjtin institucion. Kjo vlen jo vetëm për Beratin dhe ullishtat, por për të gjithë Shqipërinë dhe për të gjitha AMTP-të. Të ndjekësh 23 hallka është një rrugë shumë e gjatë dhe e lodhshme dhe njerëzit dorëzohen, nuk i shkojnë deri në fund. Vetëm ndonjëri përpiqet deri në fund, me shpirt nëpër dhëmbë, për ndonjë arsye madhore dhe detyrohet pastaj të ofrojë bakshishe, të përdorë miqësitë, korrupsionin etj., për të mbaruar punë. Kështu këtë vit ne mbyllim legjislacionin për këto probleme dhe do të krijohet një zyrë e re kadastrale e cila do të merret me trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve. Do të regjistrohen të gjitha AMTP-të në të gjithë Shqipërinë.
Pjesa e pare e intervistes me Artan Lamen
5 vite ne pushtete cfare keni bere apo ke tredhur qente dhe tani na shiteni si jezukrishti z lame po jetojme ne ndryshime dhe sistem kapitaliste me mentalitete marksisto socalisto komuniste,,,,,
Përgjigju