Këndi i Ekspertit/ Sëmundja e fruthit, simptomat e para dhe si parandalohet

Në emisionin e mirënjohur të Report TV,  “Këndi i Ekspertit” të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli në rubrikën “Mjeku im” ka qenë e ftuar Ilsa Kraja, mjeke pediatre pranë spitalit SALUS. Doktoresha Kraja ka folur për sëmundjen e fruthit që në këtë periudhë ka paraqitur mjaft rrezikshmëri. Çfarë është sëmundja e fruthit? Si mund ta parandalojmë atë? A duhet të vaksinohen fëmijët? Kur duhet ta kuptojnë nënat që fëmija e tyre është prekur nga fruthi? Cilat janë simptomat e para që duhet t’i bëjnë të dyshojnë? Këto janë disa nga pyetjet kryesore që shqetësojnë qytetarët dhe të cilave mjekja pediatre u ka dhënë përgjigje në Report TV.

Sot do të flasim për sëmundjen e fruthit te fëmijët. Kjo sëmundje kohët e fundit, sidomos në muajin janar të vitit 2019, është shfaqur në 16 fëmijë në dy javët e para dhe në 11 fëmijë të tjerë gjatë javës së fundit. Fatkeqësisht një fëmijë ka humbur edhe jetën. Çfarë është sëmundja e fruthit? Si mund ta parandalojmë atë? A duhet të vaksinohen fëmijët? Këtyre pyetjeve do t’i japë përgjigje mjekja e ftuar në studio.

Së pari, çfarë është fruthi?
Fruthi është një sëmundje infektive, shumë ngjitëse, që shkaktohet nga virusi i fruthit. Është një ndër sëmundjet infektive që prek fëmijët. Kësaj sëmundjeje, kohët e fundit po i jepet shumë rëndësi edhe për faktin, siç e thatë edhe ju, të rasteve të shumta që janë paraqitur sidomos gjatë muajit janar të këtij viti. I jepet rëndësi jo vetëm për faktin që është shtuar si numër rastesh, por edhe për faktin se kjo është një sëmundje, e cila jo gjithmonë kalon pa u vënë re. Shpeshherë ajo mund të japë edhe komplikacione, të cilat mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Kështu që, gjithnjë e më tepër, po flitet për fruthin dhe gjithnjë e më tepër duhet të vazhdohet që të flitet për të. Ne si mjekë duhet të luajmë rolin tonë pikërisht edhe duke ndikuar te prindërit, duke i dhënë rëndësi faktit që ne duhet ta eliminojmë këtë sëmundje, që ajo të mos shfaqet më. Deri para pak vitesh, në vendin tonë kjo ishte një sëmundje që nuk ekzistonte. Prandaj duhet vazhduar puna që të mos shohim më situata të tilla të rikthimit të kësaj sëmundjeje.

Cilët janë faktorët që e shkaktojnë këtë sëmundje?
Virusi i fruthit është një virus, i cili gjendet në ajër, d.m.th. ne e marrim këtë virus nëpërmjet piklave të pështymës së inividëve të sëmurë. Kështu pra, merret në rrugë inhalatore. Një individ, i cili është i sëmurë teshtitet, kollitet dhe në këtë moment, duke qenë një ndër sëmundjet më ngjitëse që ekziston, ajo menjëherë perceptohet nga një individ, i cili nuk është i vaksinuar, pra nuk ka mbrojtje kundër fruthit dhe llogaritet që në një dhomë ku një individ me formën aktive të fruthit, ka kaluar vetëm një herë, deri pas dy orësh që individi është larguar, virusi është aktiv dhe qarkullon në ajër. Kështu që ai përhapet pastaj dhe individët e tjerë bëhen pre e marrjes së tij.

Kur duhet ta kuptojnë nënat që fëmija e tyre është prekur nga fruthi? Cilat janë simptomat e para që duhet t’i bëjnë të dyshojnë?
Unë do t’i paraprija kësaj pyetjeje, duke qetësuar fillimisht të gjithë prindërit që i kanë të vaksinuar fëmijët. Frikë duhet të kenë ata prindër, fëmijët e të cilëve nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës, të MMR-së pra, vaksinës që përfshin edhe fruthin. Të gjithë ata fëmijë, të cilët nuk e kanë bërë vaksinën dhe që në një moment të caktuar paraqiten me një temperaturë shumë të lartë, e cila mund të arrijë edhe deri në 40o, që kanë shumë kollë, që kanë sekrecione të shumta nga hundët, që kanë sy të skuqur dhe që këto simptoma zgjasin 3-4 ditë, dhe më pas shoqërohen me shfaqjen e puçrave në lëkurë, të cilat në fruth janë karakteristike sepse në shumicën e rasteve fillojnë të dalin në fytyrë ditën e parë pas veshit dhe ditën e tretë përhapen në qafë dhe në trup, tregojnë se këta fëmijë janë të infektuar me virusin e fruthit. Por karakteriska kryesore përpara shfaqjes së elementëve në lëkurë është temperatura e lartë, kolla që është prezente gjithmonë dhe skuqja e syve.

Ju thatë që për të parandaluar këtë sëmundje, duhet që fëmijët të vaksinohen patjetër.
Absolutisht që po.

Pra vaksina është parandalimi i kësaj sëmundjeje. Ndërkohë, si trajtohet kjo sëmundje?
Sëmundjet virale, në të vërtetë nuk është se kanë një trajtim specifik. I vetmi virus, i cili mund të ketë një trajtim që është specifik, është herpes virusi, ndërkohë që të gjitha viruset e tjera kanë vetëm një trajtim simptomatik. Ndryshe nga infeksionet bakteriale, të cilat trajtohen me antibiotikë dhe tashmë ekzistojnë edhe antibiotikë të fundit, të cilët janë me një spektër të gjerë veprimi dhe kanë efikasitet maksimal, në rastin e infeksioneve virale nuk ka një trajtim specifik, por ka vetëm një trajtim simptomatik, që do të thotë: fëmija shtrohet në spital, merr likide për t’u hidratuar, merr antipiretikë që janë paracetamoli, ibuprufeni që shërbejnë për uljen e temperaturës dhe trajtohet me antibiotikë vetëm në rastin e mbivendosjes së një infeksioni bakterial, pra kur kjo situatë komplikohet.

A preken moshat e rritura nga sëmundja e fruthit?
Në momentin që një individ e ka kaluar sëmundjen, mbrojtja është e përjetshme, që do të thotë se nuk i rikthehet më. Për sa i përket vaksinës që bëhet, vaksina mbron në mënyrë të plotë dhe të sigurt për 10 vite pasi është bërë dhe më pas efikasiteti vjen gradualisht duke u ulur, kështu që edhe të rriturit bëhen pre e kësaj sëmundjeje, në qoftë se vaksina ka humbur efikasitetin e vet me kalimin e viteve, në qoftë se nuk ka qenë një vaksinë me efektivitet maksimal prej 10 vitesh, për shembull. Gjatë kësaj periudhe është folur shumë për nevojën që duhet të ribëhet një vaksinim për të gjithë individët që kanë lindur në vitet ’80-’90. Kështu që unë si mjeke dhe i gjithë Instituti i Shëndetit Publik, rekomandojmë që përveç fëmijëve, të bëhet një dozë rikujtese, e cila quhet buster, për të gjithë individët e lindur në vitet ’80-’90, pikërisht për të përforcuar këtë mbrojtje antikorpale kundër këtij virusi. Më të riskuar janë ata individë, të cilët kanë një sëmundje kronike. Po flas për të rriturit në këtë rast, por sigurisht edhe për fëmijët. Pra, veçanërisht individët të cilët vuajnë nga një sëmundje kronike e zemrës apo të diabetit, individë të imunokomprometuar, individë me AIDS, me sëmundje kronike të veshkave. Te këta individë kërkohet absolutisht ribërja e vaksinës për të përforcuar mbrojtjen e tyre ndaj virusit të fruthit.

Unë nuk jam vaksinuar kundër fruthit dhe në moshën 1-vjeçare a duhet që të vaksinohen bebet në mënyrë të detyrueshme?
Mosha ideale që është përcaktuar për të bërë dozën e parë të vaksinës, është mosha 12-15 muajshe. Kohët e fundit po diskutohet shumë meqenëse kemi shtim të rasteve me fruth dhe nëse duhet bërë vaksina edhe para kësaj moshe, në mënyrë që të kemi një mbrojtje maksimale ndaj virusit të fruthit. Në fakt, deri në moshën 11-12 muajshe kur organizmi i bebes nuk është i aftë që të krijojë antikorpe që ta mbrojnë në mënyrën maksimale fëmijën ndaj këtij virusi, kështu që është llogaritur që të jetë mosha deri në 15 muajshe mosha optimale. Në literaturë thuhet që ekzistojnë edhe raste, veçanërisht në vendet e botës së tretë, p.sh. në Afrikë, kur bëhen doza vaksine përpara moshës 12 muajshe, që do të thotë se bëhet një vaksinë në moshën 6 muajshe dhe një vaksinë tjetër në moshën 11 muajshe. Por sigurisht që ne nuk futemi në vendet e botës së tretë dhe si moshë ideale për të marrë dozën e parë të vaksinës është përcaktuar mosha 12-15 muajshe.

Ndërkohë që për zotërinë, ashtu siç e dhe thashë edhe më lart, është e rëndësishme dhe unë personalisht vetë, jo vetëm për faktin që kam lindur në fashën e viteve ’80-’90, por edhe për faktin që jam gjatë gjithë kohës në kontakt me fëmijët, për të mos u bërë unë burim infeksioni, kam bërë një dozë rikujtese edhe pse në fëmijërinë time jam vaksinuar me vaksinën kundër fruthit. Kështu që ia rekomandoj edhe zotërisë që ta bëjë këtë vaksinë, sigurisht edhe fëmijës së tij në qoftë se është në fashën e moshës së duhut për t’u vaksinuar kundër fruthit.

Kam djalin 29 vjeç. Ka kaluar sëmundjen e fruthit dhe të shytave, në të njëjtën kohë, por në një formë shumë të rëndë, kur ishte 3 vjeç. Ishte periudha pas viteve ’90 dhe vaksinat herë bëheshin e herë jo. Unë kam merak si nënë dhe dua të di a kanë ndonjë rol në trashëgimi këto dy sëmundje?
Nuk ka lidhje fare me trashëgiminë, por sigurisht që mund të ndodhë që nipi apo mbesa e zonjës të preket nga sëmundja e fruthit, nëse nuk është i apo e vaksinuar kundër fruthit. Vaksina jep një siguri maksimale në mbrojtjen ndaj virusit të fruthit. Zonja tha që në vitet ’90, të cilat ishin vite të vështira në shumë drejtime të jetës, vaksinat herë bëheshin e herë jo, prandaj edhe unë e theksova edhe më lart që, për këtë arsye, duhet bërë një dozë rikujtese vaksinimi kundër fruthit, për të gjithë ata individë, të cilët kanë lindur ndërmjet viteve ’80-’90. E para, sepse vaksina me kalimin e viteve e humbet efikasitetin e saj dhe e dyta sepse në këto vite kemi kaluar një periudhë transicioni, kështu vaksinat nuk bëheshin rregullisht dhe, edhe skema e tyre nuk ka qenë e përcaktuar mirë dhe saktë. Pra duhet që djali i zonjës të bëjë patjetër një dozë rikujtese vaksinimi, e cila vetëm do ta mbrojë. Unë si mjeke dhe të gjithë mjekët e tjerë, insistojmë me forcë që kjo duhet bërë patjetër. Insistojmë me forcë që të gjithë prindërit të ndërgjegjësohen për rëndësinë e madhe jetike që ka kjo vaksinë sepse fruthi është një sëmundje që kur prek individët e pavaksinuar edhe nëse nuk merr jetë, mund të lërë pasoja të rënda për të gjithë jetën.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni