'Këndi i ekspertit'/ Si mund të përfitojnë banorët e pallateve nga fondi i komunitetit

'Këndi i ekspertit'/ Si mund të përfitojnë banorët e pallateve nga fondi i komunitetit

Klajdi Zylfi në 'Këndi i ekspertit'

Në emisionin “Këndi i ekspertit” në Report TV, që drejtohet nga gazetarja Valbona Mhilli, në puntatën “Administratori im”, ka qenë i ftuar, Klajdi Zylfi, specialist në Bashkinë e Tiranës. Specialisti i Bashkisë ka sqaruar qytetarët për problematikat që lidhen me administrimin e pallateve në kryeqytet. “Vlerësoj shumë faktin që bashkë kemi një rubrikë të përjavshme, të cilën përveç pjesës së terrenit të grupeve të task forcës, personat që mund të mos rastisin në mbledhje të kenë një mundësi të dytë për të bërë pyetjet ose për problematikat që ata kanë për pjesën e administrimit”, u shpreh fillimisht Klajdi Zylfi dhe më pas iiu përgjigj pyetjeve të gazetares Mhilli dhe atyre të qytetarëve.

Pse duhet një administrator në një pallat dhe çfarë shërbimesh ofrojnë këta administratorë?

Vlen për t’u theksuar fakti që në momentin që ne flasim, numri i administratorëve ka ardhur në rritje. Kjo tregon faktin dhe dëshirën që vetë banorët duan për pjesën e administrimit. Sot ne kemi 750 administratorë të certifikuar nga Bashkia e Tiranës dhe 400 kryesi të zgjedhura. Kjo tregon faktin që qytetarët e duan këtë, e përkrahin dhe njëkohësisht është edhe një rregullator në vetvete për pjesën e vogël të komunitetit, për pjesën e hapësirës së përbashkët që ata zotërojnë.

Sa administratorë kemi në Tiranë në këtë projekt, i cili ka 2 vite që është në zbatim?

Janë 750 administratorë të certifikuar nga Bashkia e Tiranës, të cilët janë për godinat e veta, për pallatet e veta, që u ofrojnë zgjidhje komunitetit për çdo shqetësim që mund të ketë. Kemi edhe 400 kryesi të zgjedhura. Kryesia është pjesa që kontrollon përveç administratorëve, kontrollon dhe mbikëqyr edhe punën e administratorëve në vetvete. Është ajo pjesë që bën urën lidhëse midis asamblesë, e cila është e gjithë njësia e pallatit, d.m.th. të gjithë banorët kanë kryesinë e zgjedhur që kontrollon punën e administratorit.

Flasim pak për fondin e komunitetit, i cili ka ardhur në shërbimin e të gjithë banorëve të cilët banojnë nëpër pallate, 50% Bashkia e Tiranës dhe 50% banorët e pallatit. Çfarë është fondi i komunitetit?

Çdo ditë na bëhet një pyetje e tillë. Fondi i komunitetit është një projekt që bashkia subvencionon ose mbështet pjesën e pallateve, të cilat janë në gjendje të keqe për sa i përket fasadës, tarracës dhe pjesëve të tjera.

Kemi pasur disa rregullime për sa u përket këtyre pallateve.

Po në njësinë nr. 5 janë disa pallate që janë bërë me fondin e komunitetit. Dhe është e sigurt që jeta e këtyre qytetarëve ka ndryshuar. Përveç pjesës vizuale të pallatit që bëhet më i bukur, por edhe pjesa tjetër e lagështisë, e të ftohtit në dimër dhe e të ngrohtit në verë është goxha e rëndësishme dhe i ndihmon qytetarët.

Flasim pak edhe për mbjelljen e pemëve. Unë di që administratorët e pallateve i janë bashkuar kësaj nisme dhe është pritur mirë sërish nga qytetarët.

Po. Vjet ka qenë nisma e parë dhe janë mbjellë 120.000 pemë. Ky aksion do të vazhdojë përsëri edhe këtë vit. Vjet kemi pasur një bashkëpunim me shumë administratorë, në shumë njësi të ndryshme të Tiranës. Këtë vit kemi kërkesa të tjera dhe kjo do të thotë që numri i administratorëve është rritur. Por jo vetëm pjesa e administratorëve, por edhe qytetarët mund të bëhen pjesë e këtij projekti që është fantastik në vetvete sepse ndihmon pjesën e komunitetit që të jetojë më gjelbër dhe normalisht dihet që pjesa e gjelbërimit është edhe një frymëmarrje më shumë.

Si i bëhet me ata persona që nuk paguajnë?

Ky shqetësim është mjaft i përhapur, jo vetëm te zotëria, por ne e shohim kudo gjatë pjesës së punës kur shkojmë në terren, që persona të ndryshëm nuk paguajnë kuotën mujore. Atëherë, në momentin që kemi një administrator, i cili është i certifikuar dhe ka kontratën me kryesinë, ka të drejtë që ta çojë këtë çështje në përmbarim. Por, duke qenë se këto janë gjëra të vogla, kështu i mendojnë në vetvete ata, por nga ana ligjore ekziston.

Pa shkuar tek ana ligjore, a ka ndonjë ndërmjetës që mund të ndihmojë?

Bashkia e Tiranës dhe drejtoria ku unë punoj, ligjin e administratorit po e rregullon në vetvete, po e specifikon edhe më shumë për këta persona, për t’i ardhur në ndihmë administratorëve, por edhe që këta të paguajnë atë detyrim që është i tyri dhe që nuk mund t’i shmangen. Për sa kohë që dikush paguan dhe dikush tjetër nuk paguan, është një gjë e padrejtë dhe normalisht që duhet rregulluar patjetër.

Kam një ankesë për zonën në qendër, te rruga “Bardhok Bika”. Ka mbaruar rruga që prej tre muajsh dhe këtu është një errësirë e plotë. Administrator pallati nuk kemi ende, po presim të na e vendosë Bashkia.

Për aq kohë sa zonja e ngre si shqetësim, nuk po e vë në dyshim. Besoj se është një shqetësim real. Nuk e di se si është situata aty. Por di të them që kjo nuk është kompetencë e drejtorisë ku unë punoj. Ne jemi për pjesën e administratorit. Atëherë zonja mund t’i drejtohet me një kërkesë me shkrim zyrave të bashkisë, të cilat ndodhen nga ana e pasme e godinës së Bashkisë, për të marrë përgjigje nga specialistët përkatës.

Jam një banore në rrugën “Mine Peza”, pallati 205/1. Tani ne nuk kemi administrator. Para dy viteve na pati vënë një administrator Bashkia, por ne nuk e shohim asnjëherë.

Zonja ngre shqetësimin sepse administratori mund të ketë qenë nga Bashkia e Tiranës, por në dijeninë time është bërë një punë e cila ka një rend, ka një hierarki d.m.th. shkallë-shkallë. Atëherë, në momentin e parë mblidhen të gjithë banorët, të cilët zgjedhin kryesinë. Pas zgjedhjes së kryesisë propozohet administratori. Pas administratorit pastaj merret prapë dakordësia e të gjithë asamblesë, që janë vetë banorët, për t’u zgjedhur ky administrator. Pastaj, personi që zgjidhet si administrator duhet të ndjekë dokumentacionin përkatës për t’u certifikuar. Nuk e di në qoftë se ky administrator te rruga “Mine Peza”, pallati 250, ka qenë i certifikuar. Mua më duhet që ta verifikoj këtë rast dhe ta ndjek pastaj më tej.

Administratori që kemi ne është i licencuar nga Bashkia, por ka një problem. Ne, si qytetarë kërkojmë transparencë, e cila nuk bëhet. Ku mund ta kërkojmë këtë të drejtë?

Pyetja ka shumë rëndësi sepse shpeshherë qytetarët nuk e dinë se ku shkojnë pagesat e tyre. Nga ana tjetër, çdo administrator e ka të detyrueshme që t’i paraqesë kryesisë të gjitha shpenzimet e kryera, në një listë, e cila shënohet edhe në bllokun e administratorit. Këto shpenzime janë p.sh., shpenzimet për mirëmbajtjen e ashensorit, shërbimet për pastrimin, pra çdo shpenzim dhe çdo shërbim që kryhet është i faturuar. Zotëria mund ta kërkojë transperencën te kryesia. Çdo pjesëtar i pallatit ka të drejtën që t’i kërkojë kryesisë se ku shkojnë lekët e tij. Nga ana tjetër, kryesia është e detyruar që t’i kërkojë administratorit që të japë llogari për pjesën e transparencës. Zakonisht transparenca bëhet te hyrja e pallatit. Pallatet që janë të miradministruara kanë një kënd ku paraqiten me transparencë të gjitha shpenzimet për shërbimet e kryera.

 

Banoj te Kopshti Botanik. Ne kemi pasur një administrator më përpara. Unë kam qenë një pagues i rregullt i të gjitha kontributeve për rreth 7 vite. Pastaj na erdhi një administrator tjetër, por as e pamë, as nuk u bë ndonjë mbledhje, asgjë. Dhe kuotën e kontributeve na e shtoi edhe 5.000 lekë më shumë, pra e kishim 7.000 lekë dhe u ngrit 12.000 lekë. Në tarracë nuk na lejon askush që të vëmë një antenë apo të rregullojmë antenën. Pse duhet të paguajë njëlloj, ai që ka më pak hapësirë dhe ai që ka më shumë hapësirë. Administratori duhet të jetë ekonomist, jo çdo njeri mund ta bëjë. Tani kam 7 muaj që nuk kam paguar asnjë lek. Nuk do të paguaj më, e them me ndershmëri. Asnjë shpenzim nuk faturohet dhe nuk tregohet. Vetëm vijnë te dera dhe kërkojnë para.

Zotëri, është shumë e rëndësishme që ju të njihni kryesinë e pallatit tuaj. Është e pamundur që një administrator të zgjidhet pa dakordësinë e kryesisë. Ky është një rast që duhet parë nga afër, në terren. Fakti që zotëria e ngre këtë shqetësim është deri diku real, por nuk është mirë që të mos paguhet. Pastaj kjo pjesa e mospagesës nuk mund të tregohet për krenari e me zë të lartë që nuk kam paguar për 7 muaj apo nuk do të paguaj, siç deklaroi zotëria në rastin konkret, gjë që ka ndodhur për shkak të historikut që ka pasur ngjarja. Unë i premtoj zotërisë që shumë shpejt do të shkoj në atë zonë dhe do ta verifikoj me shumë kujdes dhe imtësi këtë rast. Për sa i përket pjesës së aksesit në tarracë pastaj, ajo është një pjesë e përbashkët e cila përfshihet te bashkëpronësia dhe administratori duhet t’u lejojë aksesin të gjithë banorëve që të shkojnë në tarracë, si edhe në pjesët e tjera të cilat janë në bashkëpronësi.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama për protestën para takimit në Londër: Të nxitur nga të verbërit në Tiranë! Ish-ministrja e Brendshme quajti shqiptarët pushtues

Rama për protestën para takimit në Londër: Të nxitur nga të verbërit në Tiranë! Ish-ministrja e Brendshme quajti shqiptarët pushtues