Këndi i ekspertit/ Fadil Kepi: Pensioni i invaliditetit, kushtet që duhen plotësuar 

Këndi i ekspertit/ Fadil Kepi: Pensioni i invaliditetit, kushtet që duhen plotësuar 

Emisioni 'Këndi i Ekspertit' në Report Tv

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në puntatën e kësaj jave Profesor Kepi ka sqaruar qytetarët për pyetjet e tyre që i kanë mbërritur si nëpërmjet letrave ashtu edhe nëpërmjet telefonatave live gjatë emisionit. Eksperti ynë ka sqaruar me hollësi kushtet që duhen të përmbushin qytetarët për të përfituar pensionin e invaliditetit dhe disa problematika të tjera që kanë të bëjnë me kushte specifike për daljen në pension.

Na shkruan një mësuese e shkollës së mesme në Thumanë, znj. Lumturi Balla: “Në datën 27 maj 2018 plotësova moshën 60 vjeçe. Zyra Arsimore e Krujës më ka njoftuar verbalisht se në datën 27 janar 2019 do të dal në pension në moshën 60 vjeçe e 8 muaj. Kur më takon që të dal në pension sipas ligjit?”.
Mësuesja e shkollës së mesme në Thumanë të Krujës do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, pra jo në datën 27 janar 2019, por në datën 27 mars 2019. Kjo është e përcaktuar në nenin 43, të Ligjit për Sigurimet Shoqërore. Zyra Arsimore në Krujë duhet të njoftojë të gjithë mësuesit, të cilët plotësojnë kushtet për të dalë në pension nëpërmjet një shkrese zyrtare, brenda 3 muajve përpara se ata të plotësojnë moshën e daljes në pension. Njoftimi nuk mund të bëhet në mënyrë verbale. Mënyra se si ka vepruar kjo zyrë arsimore krijon shqetësime te mësuesja. Unë sugjeroj që mësuesja e nderuar, në datën 27 mars 2019, të dorëzojë zyrtarisht dokumentacionin shkollor që ka në ngarkim. Do të marrë me pagesë lejen e zakonshme të vitit 2019 për muajt që ka punuar, pra nga data 1 janar deri në fund të muajit mars, që është e barabartë me 1/4 e lejes së zakonshme që i takon për të gjithë vitin sepse për vitin 2019 ajo ka punuar 3 muaj. Dhe sipas një vendimi të qeverisë me nr. 493, të datës 6 korrik 2011, mësueses i takon një rrogë e plotë si shpërblim.
Me këtë rast u tërheq vëmendjen të gjithë drejtuesve e përgjegjësve, të cilët kur marrin përsipër detyrën e drejtuesit duhet patjetër të jenë të vëmendshëm e të lexojnë me kujdes legjislacionin në fuqi, në mënyrë që të mos u krijojnë shqetësime e probleme punonjësve.

Flas nga Korça. Burrin e kam pasur që në vitin 2009 të trajtuar me pension invaliditeti. Ka tre vite që ia kanë ndërprerë pensionin sepse sipas tyre nuk ka një vit të siguruar në pesë vitet e fundit. Unë e di që ky ligj ka hyrë në fuqi në vitin 2015.
Është e vërtetë kjo që thotë zonja. Nga data 1 janar e vitit 2015 e në vazhdim, për të marrë pension invaliditeti duhen plotësuar dy kushte: së pari, personi duhet të ketë punuar i siguruar në vendin tonë nga mosha 16 vjeç e lart, dhe së dyti, brenda 5 viteve të fundit, përpara se të shtrohet në spital, personi duhet të ketë 12 muaj punë të siguruar. Mund të ketë punuar edhe me ndërprerje, por brenda 5 viteve gjithsej t’i bëhen 12 muaj punë të siguruar. Zonja ka përgjigje negative për burrin e saj nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë në Korçë. Ky vendim nuk është përfundimtar. Zonja duhet të shkojë që nesër në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë dhe t’i bëjë një ankesë me shkrim Komisionit Epror të Ankimit, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Korçë, nga dita që bëhet ankesa nga personi i interesuar, është e detyruar që dosjen e pensionit të invaliditetit, t’ia dërgojë Komisionit Epror të Caktimit të Aftësisë për Punë, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Vendimi i Komisionit Epror të Caktimit të Aftësisë për Punë, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, është i formës së prerë. Pas këtij vendimi, personi i interesuar nuk gëzon asnjë të drejtë për t’u ankuar në institucione të tjera.

Na shkruan z. Sali Sadiku, nga Mamza e Durrësit: “Në datën 23 dhjetor 2018 babai im pensionist ndërroi jetë, në moshën 86 vjeç. A i takon pensioni i muajit dhjetor? Po shpërblimi prej 5.000 lekësh të rinj që iu dha pensionistëve për vitin e ri? Si duhet të veproj?”.
Babait të ndjerë të zotit Sali, që ka ndërruar jetë në datën 23 dhjetor, në moshën 86 vjeç, i takon pension jo i plotë për muajin dhjetor, por deri në ditën që ja jetuar, pra deri në datën 23 dhjetor. Përveç kësaj, i takojnë edhe 12.000 lekë të rinj, ndihmë financiare që japin Sigurimet Shoqërore kur ndodh një fatkeqësi e tillë. I takon gjithashtu edhe shpërblimi prej 5.000 lekësh të rinj me rastin e vitit të ri, pasi në vendimin e qeverisë për shpërblimet e vitit të ri, me nr. 732, të datës 12 dhjetor 2018, thuhet në paragrafin e fundit: “Do të marrin shpërblim të gjithë pensionistët që data e hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë, 12 dhjetor, i ka zënë gjallë me pension”. Dhe babai i zotërisë që na shkruan ka jetuar në datën 12 dhjetor sepse ka ndërruar jetë në datën 23 dhjetor. Atëherë si duhet të veprojë zotëria. Në Manëz të Durrësit nuk ka Agjenci të Sigurimeve Shoqërore. Zotëria duhet të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Sukth. Me vete duhet të ketë certifikatën e vdekjes së babait, librezën e pensionit, kartën e vet të identitetit. Ka të drejtë të tërheqë pensionin e muajit dhjetor për 23 ditë, ka të drejtë të tërheqë 12.000 lekë të rinj si ndihmë financiare dhe ka të drejtë që të tërheqë edhe 5.000 lekë të rinj si shpërblim për  festat e fundvitit. Në qoftë se zotërisë do t’i dalë ndonjë problem në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Sukth, të shkojë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

Quhem Bashkim Shkëmbi dhe jetoj në Mallakastër. Kam 11 muaj që kam dalë në pension dhe nuk më janë njohur 5 vite punë në kooperativë. Para 9 muajsh kam bërë ankesë me shkrim te Sigurimet Shoqërore dhe akoma nuk më ka ardhur përgjigje. Kam paguar 3 milion e 500 mijë lekë nga viti 2007 e këtej.
Në qoftë se problemi qëndron pikërisht kështu, sepse duhen bërë verifikimet e duhura, qytetari ka plotësisht të drejtë. Zyrat në Mallakastër nuk caktohen pensione. Këto zyra, të gjitha shqetësimet e qytetarëve duhet t’i përcjellin në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Fier. Punë në kooperativë quhet periudha që nga mosha 16 vjeç. Një vit i plotë pune në kooperativë quhet kur burrat kanë realizuar 280 ditë pune në një vit kalendarik dhe gratë 230 ditë punë në një vit kalendarik. Nuk është faji i qytetarit që këto vite pune atij nuk i gjenden sepse kooperativat bujqësore nuk ekzistojnë më që prej 30 vitesh. Edhe Sigurimet Shoqërore nuk kanë fajë që nuk gjenden këto vite pune, por kanë faj nëse ato vonojnë përgjigjen që duhet t’i japin qytetarit të interesuar. Në të tilla raste, qytetari duhet të marrë një përgjigje me shkrim nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Fier, që këto vite pune atij nuk i njihen dhe arsyen. Vendimi i qeverisë thotë që Sigurimet Shoqërore janë të detyruar që për 30 ditë t’i kthejnë përgjigje zyrtare qytetarëve për ankesat e tyre. Në rast se qytetari merr përgjigje negative nga Drejtoria Rajonale e igurimeve Shoqërore në Fier, pra vitet e tij të punës nuk janë gjendur, atëherë atij i mbeteet vetëm rruga gjyqësore për ta zgjidhur këtë problem. Procesi gjyqësor quhet “Vërtetim fakti” dhe nuk kërkon shumë kohë. Qytetari duhet të paraqesë dy dëshmitarë, të cilët të provojnë se kanë punuar bashkë me personin gjatë periudhës kohore dhe në vendin e punës që ai pretendon. Unë i sugjeroj qytetarit që edhe njëherë të bëjë një ankesë me shkrim në adresë të Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Fier. T’ia kërkojë përgjigjen brenda një jave. Pastaj t’i bëjë një ankesë tjetër me shkrim Drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Edhe këtij t’ia kërkojë përgjigjen brenda një jave. Ankesat t’i dërgojë me postë rekomande për më shumë siguri. Gjithashtu të bëjë ankesë edhe te portali i kryeministrit nëse këta dy drejtues nuk i përgjigjen në kohën e duhur ankesave të tij.

Flas nga Patosi. Jam punonjës i naftës, me profesion shofer-manovrator. Tani më është mohuar e drejta e profesionit. Kam marrë dhe kam dorëzuar të gjitha dokumentet e duhura dhe nuk kam marrë asnjë lloj përgjigjeje. Kam dy vite që kam dalë në pension dhe marr më pak sesa shokët e mi. Kam bërë të gjitha veprimet dhe ankesat e duhura, por nuk më kthejnë asnjë përgjigje.
Ju zotëri i nderuar keni dorëzuar dokumentet për pension në Sigurimet Shoqërore të rrethit përkatës. Nuk keni më punë me qendrën e punës ku keni punuar. Të gjitha janë të shënuara në librezën e punës. Verifikimet e viteve të punës i bën Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Fier sepse ju jeni nga Patosi. Atëherë, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, ditën që ju keni dorëzuar librezën e punës, para dy viteve, ju ka pajisur me librezën e pensionit. Në librezën e pensionit është shënuar emri e mbiemri juaj, sa vite keni punuar dhe sa është shuma e pensionit që ju do të merrni. Në qoftë se ju nuk jeni dakord me shumën e pensionit, nuk keni pse të lodheni kot duke shkuar në qendrën e punës.

Ju duhet t’i bëni një ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku të parashtroni kërkesat dhe vërejtjet tuaja. Komisioni i Ankimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore përbëhet nga katër specialistë: një jurist, një financier, një ekonomist dhe një specialist pensionesh, të gjithë me arsim të lartë. Ky komision do t’ju kthejë përgjigje zyrtare, me firmë e me vulë, për ankesat tuaja. Nëse edhe me përgjigjen që do të merrni nga ky komision, nuk do të jeni dakord, keni të drejtën që të bëni një ankesë tjetër për Komisionin Qendror të Ankimit, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Ju sugjeroj që t’i filloni veprimet me radhë nga e para, por gjithmonë me shkresa zyrtare.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen