Rreth 10 miliardë euro do të jetë buxheti për vitin 2027, i cili mbështetet mbi pritshmëritë për vijim të rritjes ekonomike e udhëhequr nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimi.
Edhe pse drafti ende nuk është finalizuar, në emisionin “Portofol” në Report TV u zbuluan disa nga shtyllat kryesore të këtij buxheti.
Ministria e Shëndetësisë do të mbajë fronin për buxhetin më të madh me 89.3 miliardë lekë, ku do të vijojë mbështetja për barnat onkologjike. Më pas me rritjen më të madhe është Ministria e Mbrojtjes me fond në total 76.5 miliardë lekë. Në 2027, shpenzimet e mbrojtjes kapin nivelin e 2.35% te PBB ose 68.8 miliardë leke

Sa i takon bujqësisë, buxheti i ministrisë rritet me vetëm 1 miliardë lekë dhe do të arrijë në 16.5 miliardë lekë në total. Tek bujqësia parashikohet që skema kombëtare të jetë 5.3 miliardë lekë nga 5.2 miliardë lekë këtë vit, do të vijohet me kompensimin e TVSH-së për fermerët me një vlerë 3 miliardë lekë dhe është vënë si objektiv edhe zhbllokimi i fondeve të IPARD III prej 94 milionë euro.
Kurse në aspektin më social, projektbuxheti parashikon afro 35 miliardë lekë për pensionistët për vitin 2027.
Indeksimi i pensioneve do të bëhet në muajin prill 2027 me një vlerë 1.35 miliardë lekë. Nga janari do të dyfishohet vlera e bonusit mujor të pensionistëve, me kosto prej 20 miliardë leke, si dhe 13 miliardë lekë do të kalojë në fondin special në Bankën e Shqipërisë.
Pensionet urbane të plota me vlerë deri 40 mijë lekë do të marrin 3600 lekë në muaj. Pensionet urbane të pjesshme me vlerë deri 22 mijë lekë do të marrin 1600 lekë, pensionet rurale me vlerë deri 18 mijë lekë në muaj përfitojnë bonus 2000 lekë, gjithashtu dyfish do marrin edhe pensionet familjare (1400) dhe ato të invaliditetit (1200 lekë). kush kalon tavanet nuk përfiton, madje një qytetar që ka pensionin 36 mijë lekë nuk do ta marrë të plotë bonusin që të mos kalojë 40 mijë lekëshin.

Më shumë para janë parashikuar edhe për pushtetin vendor, vlera e transfertës për bashkitë është 56 miliardë lekë, por ende nuk është saktësuar formula e shpërndarjes për shkak të reformës territoriale të miratuar në mesnatë këtë të premte.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që do të financohet me buxhetin e 2027-ës, do të jetë edhe reforma e re e mbështetjes së familjeve për fëmijët.
25 mijë fëmijë pritet të jetë numri i përfituesve të skemës së re të bonusit të bebeve që do të jetë në fuqi nga mesi i vitit të ardhshëm. Qeveria planifikon që të japë 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin e në vijim deri në moshën 5 vjeçare.

Ekspertët e ekonomisë shprehen në “Portofol”, se detajet e para të bëra publike për projektbuxhetin prej 10 miliardë euro, tregojnë që do të jetë më social.
“Mendoj që ky buxhet duhet të ishte pak më i kujdesshëm, sepse po të shohim raportet e institucioneve ndërkombëtare si FMN-ja dhe Banka Botërore, parashikimin i rritjes ekonomike e bëjnë me ritme më të ngadalta dhe duhet të kishin parë në një qasje më të veçantë. Nuk është se ka një qasje strategjike për të ndryshuar rrjedhën e vijimit të themi zinxhirit ekonomik në vend”, tha eksperti i ekonomisë Igli Tola.
“Shohim që këto tre vitet e fundit po mundohet qeveria t'i japë më shumë vëmendje pjesës sociale, por gjithsesi qeveria duhet të kuptojë që paratë të shkojnë tek ato investime që kanë kthim të lartë, si në rritjen ekonomike, në paga apo në uljen e varfërisë”, tha ekspertja Romina Radonshiqi.
“Pashë me shumë pozitivitet pjesën e uljes së borxhit publik që do vazhdojë edhe për gjatë 2027-s. Pashë me shumë me shumë optimizëm pjesën që do të kemi një balancë primar pozitive apo që do të kemi një rritje të investimeve”, thotë ekspert i ekonomisë Klodian Muço.
Por sipas tyre edhe pse ka më shumë para në dispozicion të institucioneve, përsëri nuk ka një formulë për të stopuar rënien e bujqësisë sepse bazohet në rritje e po të njëjtëve sektorë.
“Kemi një kosto tepër të lartë jetese dhe një nga arsyet që pse ne kemi çmime të larta është fakti që ne jemi shumë të varur nga produktet e importit ku pjesa më e madhe e këtyre produkteve patjetër që janë produkte bujqësore. Nëse do kishim ndihmuar bujqësinë, së pari do të ndalonim shpopullimin në zonat rurale, do rrisnim punësimin në zonën rurale dhe patjetër që do të ishim dhe më konkurrues ndoshta dhe eksport”, thotë Radonshiqi.
Më shumë financim thotë eksperti Klodian Muço duhet të shkojë edhe për arsimin dhe shëndetësinë.
“Dy treguesit e arsimit dhe shëndetësisë janë shumë të rëndësishëm edhe për të për të mbajtur qytetarët në atdhe, për mos u larguar gjithmonë e më tepër, për të rritur edhe lindshmërinë. Kështu që uroj që të kemi një të kemi një reflektim për sa i përket një rritje të ndjeshme të buxhetit për arsimin, për shëndetësinë. Pastaj pa harruar këtu pensionet që për fat të keq struktura sociale e Shqipërisë sa vjen e po përkeqësohet”, tha Muço.









Komente
Komento