Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, gjatë muajit gusht, do të ndalet në disa qytete të Shqipërisë me një seri koncertesh, ku do të shpalosë pasurinë e repertorit folklorik dhe mozaikun e kostumeve tradicionale nga krahina të ndryshme të vendit.

Turi veror “Fest Folk 2026” nisi nga Saranda, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm të vendasve, por edhe të qindra turistëve që po kalojnë pushimet në qytetin bregdetar.

Këngët dhe vallet nga treva të ndryshme shqiptare, të ndërthurura me kostumet karakteristike të secilës krahinë, sollën në një mbrëmje të vetme larminë dhe pasurinë e folklorit shqiptar. Publiku vendas dhe turistët e shumtë që po frekuentojnë Sarandën u bënë pjesë e atmosferës festive të krijuar nga artistët e Ansamblit.

Drejtori i Ansamblit, Sokol Marsi, e cilëson “Fest Folk 2026” një tur festiv që synon ta çojë Ansamblin Kombëtar pranë publikut, pikërisht aty ku ai ndodhet gjatë sezonit veror.

Për solisten Mariana Shkreta, folklori dhe tradita shqiptare janë një lloj “pasaporte” e Shqipërisë, përmes së cilës përcillen historia, kultura dhe identiteti i vendit.

Kostumet shumëngjyrëshe, ritmet tradicionale dhe interpretimet e artistëve krijuan një atmosferë festive në zemër të Sarandës, duke tërhequr edhe turistët e huaj, të cilët ndoqën nga afër këngët dhe vallet shqiptare.

Nga Saranda, “Fest Folk 2026” nis udhëtimin në disa qytete të Shqipërisë, duke marrë me vete këngën, vallen dhe kostumet tradicionale, një trashëgimi e gjallë që vijon të rrëfejë historinë dhe identitetin shqiptar.