'Këngët e Çamëve' dhe një homazh për albanologun Wilfried Fiedler

'Këngët e Çamëve' dhe një homazh për albanologun Wilfried Fiedler

Një nga albanologët e shquar gjermanë, që siç shkruan Bashkim Zeneli: "E donte Shqipërinë dhe humbiste duke folur për kulturën, historinë, artin, letërsinë... i ka dhënë gjuhës e kulturës sonë, albanologjisë, aq sa është zor ta përshkruash...".

Kush është ky albanolog i shquar gjerman dhe bashkëautor i librit "Këngët e Çamëve", botuar në Berlin, në vitin 1965? Ai lindi në vitin 1933, në Oberfrohna(Saksoni)  dhe u shpërngul që i ri në Berlin, ku studioi në Universitetin Humboldt, për sllavistikën dhe filologjinë e Europës Juglindore e Lindore. Karierën shkencore e nisi në vitin 1955, si punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Gjermanisë(në Berlinin Lindor). Në vitin 1957, pra në moshën 24 vjeçare vjen për herë të parë në Shqipëri, si pjesë e ekspeditës në këtë vend të vogël. Ky është kontakti i parë i tij me Shqipërinë, që në vitet më pas do t'i kushtojë punën tërë pasion kulturës, gjuhës, traditave të këtij vendi të vogël ballkanik, por me një të kaluar shumë të pasur dhe të studiuar nga shumë albanologë të tjerë gjermanë, para tij. Ai në vitin 1959, pra pas njohjes së thellë të shqipes, nisi punën si profesor i albanologjisë dhe si docent i saj, në Universitetin e Humboldit. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë,  Prof.Wilfried Fiedler, nga viti 1991 deri më 1998, ka drejtuar katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin Ludvig Maximilian(Mynyh).

Wilfried Fiedler është harues i fjalorëve shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip(në vitin 1977), si dhe në vitin 1987 i librit "Gramatika e Gjuhës Shqipe" dhe në vitet 2004 dhe 2007 i librave "Sistemi foljor i Mesharit të Gjon Buzukut" dhe "Ndërtimi i Shumësit në Gjuhën Shqipe".

Ekspedita gjermane në Shqipëri e vitit 1957

Kam patur fatin të jem një nga miqtë e Prof. Ramadan Sokoli, një nga diturakët e rrallë shqiptar, njohës dhe studiues i rrënjëve të kulturës popullore shqiptare veçmas i rrënjëve të tingullit shqiptar. Takimet dhe bisedat e shpeshta e mia me të, kanë qenë nga  më frutdhënëset e befasueset.

Ka qenë Prof. R. Sokoli, që së pari më ka folur për ekspeditën gjermano- shqiptare te çamët e Fierit e Vlorës si dhe për një këngë të rrallë vaje inçizuar në Skelë  dhe interpretuar nga Hamide Shabani – 40 vjeç.

Grupi i studiuesve gjermanë erdhi në Shqipëri në maj të vitit 1957 dhe përbëhej nga Doris Stockman, Wilfried Fielder, Erich Stockmann dhe Johan Kyritz.

Ekspedita ishte nismë e Institutit të Foklorit Gjerman pranë Akademisë së Shkencave të Gjermanisë. Ajo u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë. Nga pala shqiptare morën pjesë Ramadan Sokoli dhe Albert Paparisto.

Siç shkruajnë muzikologët gjermanë, qëllimi i tyre ishte inçizimi i këngëve popullore dhe melodive instrumentale me ndihmën e aparateve moderne të marrjes, për të kontribuar në dokumentimin e parë të rëndësishëm të muzikës popullore shqiptare. Në këtë drejtim Shqipëria kishte mbetur një njollë e bardhë në hartën e muzikës popullore të Europës Juglindore. Ato zgjodhën Shqipërinë e Jugut për të realizuar qëllimin e tyre dhe konkretisht siç shkruajnë autorët gjermanë “për të marrë shënime për muzikën popullore të tre grupeve shqiptare në Jug: Toskëve, Lebërve dhe Çamëve si dhe një praktikë këndimi shumë i vjetër, siç ishte polifonia. Instituti i Foklorit Gjerman në Berlin  vuri në dispozicion të grupit 3 magnetofonë me mikrofonë dinamikë, 3 aparate fotografikë dhe një aparat me film të ngushtë.

     Ata japin të dhëna për shtrirjen e toskëve, labëve dhe çamëve si dhe zonat ku kanë incizuar: krahinën pranë Liqenit të Ohrit, Mokër, pllajën e lartë të Korçës, krahinën e Devollit, malësinë e Skraparit, fushën e Kolonjës, fushën e Vjosës, Myzeqe, Mallakastër, Berat, Elbasan, Lushnjë, Këlcyrë, Gjirokastër, Sarandë, Borsh, Himarë, Dukat, Vlorë dhe Kurvelesh. Incizime janë bërë edhe në zanën e minoritetit grek dhe nomadët vllehë.

     Mendoj se nuk është rastësi këmbëngulja e studiuesve gjermanë për të incizuar këngë çame. Jam i bindur se ata vinin në Shqipëri me njohuri për gjeografinë, historinë dhe kulturën e shqiptarëve në të gjitha trevat, ku ata shtriheshin. Me siguri njihnin mirë punën e albanologëve të shquar si Hahn, Bopp, Jokli, apo të atyre që janë marrë me kulturën popullore shqiptare si Habenlandt, Nopça, Lamberc, Vaigand, Pedersen (që ka publikuar edhe përralla nga Çamëria.

Në qoftë se do të bënim një rikthim imagjinar gati 40 vite më parë, pra në vitin 1957, kohë kur u organizua edhe ekspedita shqiptaro-gjermane, nuk ka se si të mos ndjejmë akoma të freskëta plagët dhe dhimbjen e popullsisë çame. Është gjallë brezi që e ka parë me sytë e tij llahtarën dhe gjëmën e madhe. Fëmijët e viteve ‘44-’45 janë më të madhuar, por në sytë e tyre ruhen pamjet e tmerrshme të tragjedisë.  Të  vdekurit, lënë bokërrimave të tokës çame, u trokasin netëve dhe u prishin gjumin të gjallëve, trazojnë kujtimet. Por jo vetëm kaq. Është zhvendosur relievi i kulturës çame, janë zhvendosur vallet e tyre epike, këngët, baladat, përrallat, gojëdhënat. Dhe kjo është një zhvendosje e një lloji tjetër, më pak e dukshme, por më ulëritëse dhe më tragjike se plagët e bartësve të tyre.

Inçizimi i këngëve çame është bërë në Fier, Skelë dhe Babicë të Vlorës. Këngetarët ishin, siç pohojnë studjuesit, nga i njëjti fshat ose së paku nga e njëjta krahinë. Kështu këngëtarët e Skelës para vitit 1944, banonin në fshatrat  Arpicë, Vola dhe Vaje të Gumenicës. Këngëtarët e Fierit ishin nga Mazreku dhe grupi i Babicës nga fshatrat midis Mazrekut dhe Margëlliçit.

Gjithësej janë 30 këngë të incizuara. Nga këto, në Fier 8 këngë (“Çelo Mezani”,  “Mua më ra taksimi”, “Qaj me lot o Çamëri”, “Kalesh’ e Xhixho s”, “Luli me nishan në ballë”, “Ditën që u mor nisia”, “Mecovë e zeza Mecovë”,) në Babicë 8 këngë ( “Kjo anë e lumit”, “Ç’ke flamur që s’valon”, “Janinë e zeza Janinë”, “Ne porta të shkova”, “Thirri talili në malë” “Kamerini mal me fletë”, “Hiq kadale vallen’o”, “E mjera merr me zë” në Skelë 14 këngë (“Ulu mal të shoh Kastrinë”, “Kënga e Çelo Mezanit”, “Ti moj kull’ e Livadhisë”, “Ti më qesh , ti me ta”, “Berbaro, Vasiliko”, “Moj Mine, Minusheja”, “Ti fletë e lejmonit bardhë”, “Ra dielli mbi bajame”, “Të martën që me natë”, “Trëndelo, moj trëndelinë”,  “Çu nis djali për kurbet”, “Nani-nani more djalë”, “Sha kriet tat babatho”.

Libri në fjalë, me autorë Doris Stockmann, Ëilfried Piedler dhe Erich Stockmann, botim i vitit 1965, me  302 faqe, përbëhet nga këto pjesë:

Pjesa e parë: “Gjurmimi i muzikës popullore shqiptare deri në vitin 1957” “Ekspedita e mbledhjes shqiptaro-gjermane e vitit 1957 dhe shfrytëzimi i saj” “Vërejtje etnografike mbi çamët” te shkruara nga Erich Stochman; 

Pjesa e dytë : “Gjurmime në muzikën vokale çame” e ndarë në kapitujt “Paraverejtje e të përgjithshme”, “Problemet dhe metodat e transkriptimit”, “Verejtje botimi dhe spjegimi i shenjave”, “Terminologjia”, “Figura dhe dhënia e formës e këngëve çame” “Këngë bordune polifonike”, “Këngë korale jo bordunale”, “Këngë burrash”, “Këngë grash”, Këngë solo”,

Pjesa “Transkriptime dhe pjesa e fundit përmbajnë tekstet në variantin shqip dhe përkthimin gjermanisht.

Mes shumë të dhënave, më ka bërë përshtypje një fakt që japin studiuesit gjermanë: " Kur inçizuam këngë vajtimi në Babicë, këngëtarja u  prek aq shumë, duke i harruar  të gjithë të pranishmit, saqë neve u detyruam ta ndërpresim inçizimin". Teksti i këngës është ky:

Sha (pasha) krietë tat, babatho,

Sha kurmin tënd baba,

Ku do të të gjëjmë ne tani,

Që na lëshoe

Ore babatho e?

Do të të gjuajnë djeltë, baba:

Se neve nuku jemi në dhenë tënë babatho,

Se neve jemi muhexhirë në vend të huaj babatho,

Mos të ka pikunë vendi jot,

Se ke ardhurë në botë të Shqipërisë, Baba ore!

Do të të palosi bot’ e Vlorësë,

Se ashtu e kishim të shkruarë babatho,

Sha kurmin tën, ore baba, ore,

Po qe jedh’ ndo-jerë të vemi në

Në atë vatanë tën’ ore, vatrëz o?

Që jemi berë muhaxhin’ o,

Në botë të Shqipërisë o babatho.

Vlera të mëdha për studiuesit e muzikës popullore ka transkriptimi  i të 30 këngëve, bërë me profesionalizëm dhe kritere rigoroze shkencore. Po kështu edhe tekstet e botuara në dialektin çam, përveç pasurisë gjuhësore, paraqesin interes edhe për elegancën e vargut dhe mjetet shprehëse si dhe finesën karakteristike të folklorit çam. Kjo është meritë e albanologut të shquar gjerman, Ëilfried Fiedler, që siç theksuam më lart, që nga viti 1957 e deri sa ndrroi jetë, ai i kushtoi gjithçka kulturës dhe gjuhës shqipe.

Libri “Muzika popullore shqiptare, këngët e Çamëve”, është homazh për bartësit e folklorit të mrekullueshëm çam, një libër për kujtesën gjithmonë të pagjumë e të trazuar. Ai e  pasuron bibliotekën evropiane dhe ndihmon studiuesit për t’ju rikthyer këngëve të çamëve. Libri në fjalë duhet përkthyer në gjuhën shqipe dhe këtu duhet kontributi, jo vetëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por edhe i çamëve. Le të jetë ky shkrim një homazh edhe në emër të atyre çamëve, që janë pjesë e këtij libri, pra i këngëtarëve, që u incizuan në Fier, Babicë dhe Skelë të Vlorës dhe janë trnskiptuar në këtë botim gjerman, në vitin 1965. Nderim dhe mirënjohje për jetë albanologut Wilfried Fiedler, edhe në emër të mijra çamëve, në Shqipëri e jashtë saj.

WILFRIED FIEDLER

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë