NAIROBI - Një grup i armatosur, ka hapur zjarr brenda një qendre tregtare luksoze në Nairobi, në Kenia.

Sipas Kryqit të Kuq në vend, bilanci i atyre që kanë humbur jetën gjatë këtij shkëmbimi zjarri janë të paktën 20 vetë, të plagosurit 50 vetë, ndërsa pengjet 7 vetë.

Një dëshmitar në vendngjarje, ka treguar se grupi i armatosur, qëllonte mbi njerëzit, brenda në qendrën tregtare, disa duke ekzekutuar me gjak të ftohtë.

Më pas zona është izoluar nga policia, e cila mbërriti në vendngjarje dhe deri tani është arrestuar një nga hapësit e zjarrit.

Sipas disa informacioneve të para, thuhet se grupi i armatosur ka qëlluar me automatik AK 47 dhe mund të jetë akoma në brendësi të qendrës tregtare "Westgate mall".

Policia ka rrethuar qendrën tregtare dhe ka hyrë në brendësi të saj, duke filluar me kërkimet në çdo dyqan, për të gjetur atentatorët e kësaj masakre, të cilët vazhdojnë ende të qëllojnë me armë.

Ministri i Brendshëm kenian dyshon se sulmi mund të jetë terrorist prej një grupi të armatosur somalez.

kenia
(Në foto: Njerëz që largohen të tmerruar nga qendra e sulmuar tregtare në Nairobi, Kenia).

kenia, qendra tregtare
(Në foto: Qendra e sulmuar tregtare në Nairobi, Kenia).

Redaksia Online
(e.b./mag/shqiptarja.com)