Kombëtarja e Kepit të Gjelbër ka shkruar historinë e futbollit afrikan duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në një Kampionat Botëror. Shteti i vogël me rreth 522 mijë banorë arriti të kryesojë Grupin D të kualifikueseve afrikane, duke lënë pas emra të mëdhenj si Kameruni, Libia, Angola, Mauritius dhe Esuatini.
Në ndeshjen vendimtare, Kepi i Gjelbër triumfoi bindshëm me rezultatin 3-0 ndaj Esuatinit, falë golave të Uilly Semedo, Rocha Livramento dhe Stopira. Me këtë fitore, skuadra përfundoi katër pikë përpara Kamerunit, i cili u ndal në barazim ndaj Angolës dhe tani do të kërkojë kualifikimin përmes fazës “play-off”.
Ky sukses shënon një moment historik për kombin ishullor afrikan, i cili konfirmon progresin që ka bërë në futbollin ndërkombëtar vitet e fundit. Për Kepin e Gjelbër, Botërori 2026 nuk do të jetë thjesht një debutim, por një ëndërr e bërë realitet për një popull që jeton me pasion për futbollin edhe pse në një zonë të largët ishullore.
Kepi i Gjelbër
Një arkipelag me 10 ishuj në Oqeanin Atlantik, me një popullsi prej pak më pak se 525,000 banorësh sipas shifrave të fundit nga Banka Botërore, Kepi i Gjelbër fitoi pavarësinë nga Portugalia në vitin 1975 dhe u përpoq për herë të parë të arrinte në Kupën e Botës 2002, të organizuar në Japoni dhe Korenë e Jugut.
Ekipi ka shkëlqyer në Kupën e Kombeve të Afrikës (Afcon) vitet e fundit, duke arritur në çerekfinale që në debutimin e tij në vitin 2013 dhe përsëri në vitin 2023, teksa aktualisht renditet i 70-ti në renditjen botërore.
Islanda, e cila mori pjesë në Kupën e Botës 2018 në Rusi, është i vetmi vend me një popullsi më të vogël që është kualifikuar për shfaqjen globale të futbollit.
Deri tani 21 kombëtare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, ndërsa 27 vende të tjera mbeten ende në lojë:
Nga Afrika janë kualifikuar deri tani: Tunizia, Maroku, Egjipti, Algjeria dhe Kepi i Gjelbër
Nga Amerika e Jugut janë kualifikuar: Argjentina, Brazili, Kolumbia, Uruguai, Paraguai, Ekuadori
Nga Azia deri tani janë kualifikuar: Japonia, Australia, Koreja e Jugut, Uzbekistani, Jordania, Irani
Nga Oqeania dhe vendet mikpritëse
Nga Oqeania është kualifikuar Zelanda e Re.
SHBA-të, Kanadaja dhe Meksika, si vendet mikpritëse, janë të kualifikuara automatikisht.
Europa do të ketë 16 vende në Botëror, por deri tani asnjë kombëtare nuk ka siguruar biletën zyrtarisht.
Kepi i Gjelbër në rreth
Komente



