Kryeministri britanik Keir Starmer po mban një fjalim nga Downing Street, pas kërcënimeve të presidentit Trump për të vendosur tarifa doganore shtesë mbi vendet europiane që kundërshtojnë planin e tij për të blerë Groenlandën.
Starmer thotë se një marrëdhënie e ngushtë me SHBA-të sjell “rezultate konkrete” në interes kombëtar, duke siguruar vende pune dhe sigurinë kombëtare.
Ai thotë se është në kontakt të përditshëm me të gjithë figurat kyçe në administratën e Trumpit. Kryeministri shton se siguria e Groenlandës ka rëndësi, dhe do të ketë edhe më shumë rëndësi teksa ndryshimi i klimës po ndryshon Arktikun.
“Ndërsa rrugët detare hapen dhe konkurrenca strategjike intensifikohet, veriu do të kërkojë më shumë vëmendje”, tha Starmer duke shtuar: “Ka një parim këtu që nuk mund të injorohet, sepse lidhet me thelbin e mënyrës se si funksionon bashkëpunimi ndërkombëtar i qëndrueshëm dhe i besueshëm.”
Ai vijon se çdo vendim për statusin e ardhshëm të Groenlandës “i takon vetëm popullit të Groenlandës dhe Mbretërisë së Danimarkës”. Kjo e drejtë është “thelbësore dhe ne e mbështesim”, theksoi kryeministri britanik.
Përdorimi i tarifave doganore kundër aleatëve është “plotësisht i gabuar”, thotë Starmer. Nuk është “mënyra e duhur për të zgjidhur dallimet brenda një aleance”. Ai thotë se veprime të tilla dëmtojnë forcën punëtore britanike, bizneset dhe ekonominë. “Prandaj kam qenë kaq i qartë për këtë çështje,” vijon Starmer.
Lideri britanik thotë se një luftë tregtare nuk është në interes të askujt, duke shtuar se ai mbështet disa nga përpjekjet gjeopolitike të Trumpit, si nxitja e një armëpushimi në Gaza. Ai shton se Mbretëria e Bashkuar do të punojë ngushtë me SHBA-në, Ukrainën dhe aleatët e tjerë për të ushtruar presion “aty ku i takon” ndaj Putinit.
Starmer u shpreh se Mbretëria e Bashkuar mbart vlera që “u ndërtuan me durim gjatë kohës” dhe se mbrojtja e tyre ka rëndësi.
SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar janë “aleatë të ngushtë dhe partnerë të afërt”, thotë Starmer. Ajo marrëdhënie “ka rëndësi të thellë”. Ai thotë se është i vendosur ta mbajë marrëdhënien “të fortë, konstruktive dhe të fokusuar tek rezultatet”.
I pyetur nëse i përjashton tarifat doganore në shenjë hakmarrjeje dhe nëse do të konsideronte të takonte Trumpin personalisht këtë javë, Starmer tha: “Një luftë tarifash doganore nuk është në interes të askujt. Ne nuk kemi arritur në atë pikë, fokusi im është të sigurohem që të mos arrijmë atje.”
Trump dëshiron “blerjen e plotë dhe të gjithanshme” të territorit danez, duke thënë se kjo është thelbësore për sigurinë e SHBA-së dhe atë globale. Shtëpia e Bardhë thotë se territori mund të merret edhe ushtarakisht.
Komente












