Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me mesazhin kërcënues për eliminim fizik ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një njoftimi, Policia thekson se ka ndërmarrë veprime intensive hetimore dhe se postimi i mesazhit kërcënues është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës.
Policia njofton gjithashtu se janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit, të cilat mund të ndihmojnë në hetim.
Kërcënimi ndaj Kurtit erdhi përmes një postimi në rrjetet sociale nga profili i quajtur ‘Severna Brigada’, e njohur edhe si ‘Brigada e Veriut’ (organizatë e cila nga institucionet e Republikës së Kosovës është shpallur organizatë terroriste).
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, më datë 08 maj 2026, ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të adresuar ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në rrjetet sociale nga profili i quajtur ‘Severna Brigada’, e njohur edhe si ‘Brigada e Veriut’ (organizatë e cila nga institucionet e Republikës së Kosovës është shpallur organizatë terroriste).
Në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Nga hetimet e kryera është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë facebook.com/severna.brigada.2025.
Bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë. Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit.
Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Kurti kërcënohet me jetë nga organizata terroriste serbe ‘Severna Brigada’! Policia: Mesazhi është bërë nga territori serb









