Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kanë shprehur shqetësimin për kërcënimet e njerëzve të drejtësisë që janë marrë në mbrojtje pas rrëfimit të të penduarit Artan Tafani i cili tregoi për planin e grupit të Laert Haxhiut për eliminimin e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe prokurores së shkarkuar në vetting të Lushnjës, Merita Selimi

Në reagimin e saj ambasada e SHBA shkruan se hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcënime apo frikësim. Ambasada nënvizon mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre.

"Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre.", njofton ambasada.

Delegacioni i BE nënvizon se autoritetet shqiptare të hetojnë me shpejtësi këto kërcënime dhe të vënë para përgjegjësisë autorët.

"Delegacioni i BE-së në Shqipëri është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve të drejtësisë që punojnë çdo ditë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe për të mbajtur përgjegjës autorët. BE-ja mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, dënon çdo formë sjelljeje kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për forcimin e shtetit të së drejtës", thuhet në reagim.

Edhe ambasada britanike theksoi se “Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë prokurorët dhe gjyqtarët në misionin e tyre jetik për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë”.

Ishte dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, ajo që ngriti në këmbë institucionet kryesore të drejtësisë dhe sigurisë në vend. Përveç Doloresa Musabelliut nga SPAK dhe prokurores së shkarkuar nga KPK në Lushnje, Merita Selimi, të cilat sipas Artan Tafanit ishin objektiv i Laert Haxhisë, “Report TV” ka mësuar se vitet e fundit, janë gjashtë prokurorë të pajisur me mbrojtje të posaçme për shkak të kërcënimeve që kanë marrë gjatë ushtrimit të detyrës. Në mbrojte janë edhe prokurorët e Elbasanit Kreshnik Ajazi dhe Ritvan Sukaj, për shkak të hetimit të dosjes së vrasjeve në Elbasan dhe dënimeve me burg përjetë të anëtarëve të fisit Çapja. Mbrojtje ka marrë edhe prokurori i Vlorës Albert Kuliçi, të cilit në vitin 2019 iu vendos tritol në makinë ndërsa po hetonte disa nga ngjarjet më të rënda në qytet. Një tjetër prokuror në mbrojtje është Arjan Muça, aktualisht me detyrë në KLP, i cili në vitin 2021 gjeti një sasi eksplozivi të vendosur pranë automjetit të parkuar në zonën e komunës së Parisit në kryeqytet. Në radhët e gjyqtarëve të posaçëm, në mbrojtje është Etleva Deda, për shkak të vendimmarrjes në disa prej çështjeve që ka shqyrtuar vitet e fundit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:39
Kërcënimet ndaj prokurorëve, ambasada britanike në Tiranë: Punonjësit e sistemit të drejtësisë të jenë të lirë të kryejnë punën e tyre

1696437860_ambasadabritanike.png

Thirrjes për të dënuar kërcënimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve i është bashkuar ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.

“Mbretëria e Bashkuar shpreh shqetësimin lidhur me kërcënimet kundër hetuesve, prokurorëve dhe gjyqëtarëve në Shqipëri. Ambasada britanike theksoi se “të gjithë ata që punojnë në Sistemin e Drejtësisë duhet të jenë të lirë të kryejnë punën e tyre, pa frikë apo favore. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë ata në misionin e tyre jetik për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë”, thekson ambasada britanike në një postim në rrjetet sociale.