Serbi/ Kërcënohet një nga organizatoret e festivalit 'Mirëdita, dobar dan', i dërgohet në kuti një kokë derri

Beograd - Një nga organizatoret e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Sofija Todoroviç, është kërcënuar përmes një letre që i është dërguar në adresë të saj, një ditë pasi autoritetet shtetërore serbe ndaluan mbajtjen e këtij festivali në Beograd.

Letra kërcënuese u shoqërua edhe me një kuti, brenda së cilës ishte vendosur koka e prerë e një derri. Në letër thuhej se “situata në botë po ndryshon dhe kohë të tjera po vijnë”.

Letra kërcënuese u nënshkrua nga “Patrulla Popullore”. Kjo është një organizatë e paregjistruar ultra-djathtiste, e njohur për veprimet e saj kundër migrantëve dhe lidhjeve ideologjike që ka me grupet nga Federata Ruse.

“Patrulla Popullore” që mori përsipër mesazhin kërcënues është një organizatë që u bë e njohur për publikun në Serbi më 2020, kur përmes një videoje u shfaqën 20 burra të rinj të veshur me të zeza, duke penguar migrantët dhe refugjatët në një qendër në Beograd. Në mesin e tyre ishte edhe Damjan Knezheviq, i cili thotë se është lideri i organizatës.

Ky grup po ashtu njihet për mesazhet kundër komunitetit LGBT, por edhe për përhapje të urrejtjes mbi baza kombëtare, racore dhe fetare. Ndryshe, festivali “Mirëdita, dobar dan” organizohet që nga vitit 2014 nga organizata joqeveritare nga Kosova dhe Serbia.

Qëllimi i festivalit është përmirësimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimisht kjo ngjarje, që mbahet herë në Kosovë, e herë në Serbi, është përballur me protesta në Beograd.

Më 27 qershor, në vendin ku ishte paraparë të bëhej hapja e festivalit, grupet e ekstremit të djathtë dhe tifozët bllokuan hyrjen për organizatorët dhe të ftuarit e festivalit. Pak më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë urdhëroi ndalimin e mbajtjes së festivalit, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Por, organizatorët thanë se me këtë ndalesë, shteti u rreshtua me huliganët, teksa ndalimi i festivalit u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian dhe zyrtarët në Kosovë.

Gjatë kohës kur djathtistët po protestonin, disa nga organizatorët, që mbetën të bllokuar në zonën ku do të duhej të mbahej festivali – e që u larguan vetëm në orët e vona të 27 qershorit pasi u shpërndan protestuesit – thanë për Radion Evropa e Lirë se aty kishte vetëm katër apo pesë pjesëtarë të policisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar më 28 qershor se autoritetet shtetërore e kanë prë detyrë që të ofrojnë kushte të sigurta për pjesëmarrësit në festivalin “Mirëdita, dobar dan”.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka mbrojtur vendimin për ndalimin e festivalit dhe madje ka thënë se nuk “ka arsye” që të ketë një festival të tillë në Serbi.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit, Serbia shfaqi “përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”/kosovapress/ 

S.B/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, Rama mbledh nesër shefat e shërbimeve në QSUT

Skandali te Onkologjiku, Rama mbledh nesër shefat e shërbimeve në QSUT