Kërcënoi Shqipërinë për negociatat, Brokaj i përgjigjet Greqisë: Të pabesë! Bën mjau-mjau si macet për të mbuluar zullumet

Kërcënoi Shqipërinë për negociatat, Brokaj i përgjigjet Greqisë: Të pabesë! Bën mjau-mjau si macet për të mbuluar zullumet

Politikani i njohur, Dr. Sabit Brokaj, ish-ministër i Mbrojtjes, reagon ashpërsisht kundër deklaratës së kryeministrit grek, për moslejimin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në,  Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar sërish në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Asnjë negociatë pranimi me Shqipërinë përveç nëse hiqet diskriminimi ndaj pakicave. Ne nuk jemi ende atje, duhet të shohim një ndryshim të qëndrimit të qeverisë ndaj minoritetit grek” tha Mitsotakis. Këtë deklaratë kryeministri grek e ka bërë gjatë një konference të mbajtur para pak ditësh për mediat në Selanik.

Dr. Brokaj jo vetëm i quan të papranueshme të tilla qëndrime një muaj para diskutimit për hapjen e negociatave, por edhe i ironizon duke i quajtur mjaullima që dëgjojmë nga Athina zyrtare prej 30 vjetësh. Më tepër se një shantazh, kjo është pabesi nga ana e grekëve, thotë ai.

Negociatat priten që të hapen në tetor për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, por sipas kryeministri grek, Mitsotakis, kjo gjë nuk do të ndodh nëse minoriteti grek vijon të diskriminohet në vendin tonë.

Në vijim, intervista e plotë me Dr. Sabit Brokajn

– Doktor Brokaj, kryeministri Micotaqis tha në Selanik se nuk do të ketë “asnjë negociatë pranimi me Shqipërinë përveç nëse hiqet diskriminimi ndaj pakicave” duke theksuar qëndrimin ndaj minoritetit grek në Shqipëri. Si e pritët këtë deklaratë?

– E dëgjova, por nuk u befasova. Në të vërtetë, nuk ka asgjë për t’u çuditur në këtë qëndrim zyrtar grek me gojën e kryeministrit të tyre. Ky është nja shantazh qesharak. Madje më shumë se një shantazh, është një pabesi që na bëhet nga grekët në pragun e hapjes së negociatave. Kështu kanë bërë ata gjithmonë për të penguar sa të jetë e mundur më shumë rrugën e Shqipërisë drejt Europës. Ata e dinë shumë mirë dëshirën e shqiptarëve për integrimin evropian, prandaj kanë punuar dhe vazhdojnë në të kundërt të kësaj dëshire. Ka tridhjetë vjet që e dëgjojmë këtë avaz. “Çudia” ndodh se kjo deklaratë e kryeministrit të Greqisë bëhet një muaj para diskutimit që do të bëhet në Bruksel për hapjen e negociatave. Koha është aq e shkurtër saqë nuk lë shteg për bisedime politike apo diplomatike me Athinën.

– Sidoqoftë, parë me gjakftohtësi, a ka ndonjë bazë racionale ky qëndrim aktual grek lidhur me minoritetin grek që jeton në vendin tonë?

– Nuk ka asnjë bazë. Në të gjitha kohërat minoriteti grek ka jetuar krejt i barabartë me shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë. Grekët në Shqipëri mund të them se kanë jetuar edhe më mirë se shqiptarët, kanë qenë madje edhe më të privilegjuar se edhe minoritet e tjera. Mirëpo këto mjau-mjau të Athinës për minoritetin ka 30 vjet që i dëgjojmë. Nuk i kemi dëgjuar më përpara… Pse, do të më pyesni ju? Fare thjesht: Pavarësisht rezervave që ne kishim dhe kemi për regjimin e asaj kohe që me të drejtë e quajmë diktaturë, duhet të pranojmë se ai regjim ua kishte vënë kufirin tek thana grekëve. E provuan ata në 1949-n, e më pas dhe e panë se ç’përgjigje morën. E provuan ushtarakisht e politikisht dhe dështuan. Sepse duam apo nuk duam ne ta themi, atëherë kishte zot vendi. “Kishte zot hauri!” siç thotë populli. Pse kjo histori e dinjitetit të shtetit shqiptar në atë kohë lidhet me emrin e Enver Hoxhës, nuk është faji im. Është një realitet që e njohin dhe e pranojnë të gjithë. Ndaj dhe nuk e hapën gojën kurrë grekët të ankoheshin për minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri. Madje kërkonin fqinjësi të mirë me ne.  Sepse realiteti fliste e flet ndryshe…

– Dakord Doktor, por atje bëhet shumë zhurmë sikur këtu bëhet hataja me diskriminimin e grekëve dhe këto ankesa shkojnë nëpër kancelaritë perëndimore nga Brukseli në Uashington. A nuk duhet të na verë në mendime kjo?

– Nuk është hera e parë që ndodh kjo pas vitit 1990. Por unë i konsideroj ato thjesht mjau-mjau të Athinës, pasi realiteti është krejt tjetër. Nisur nga këto ankesa të Athinës gjatë këtyre 30 viteve të fundit kanë ardhur në Shqipëri lloj-lloj delegacionesh dhe komisionesh dhe kanë vërejtur se nuk ka asnjë diskriminim të grekëve në vendin tonë. Ua thashë se ky është një avaz i vjetër. Athina zyrtare i bën këto ankesa për të mbuluar zullumet e saj me minoritet brenda Greqisë. Ajo nuk u njeh asnjë të drejtë minoriteteve shqiptare, turke e maqedonase brenda saj. Atëherë ku qëndron ndershmëria dhe luajaliteti i kryeministrit grek ditët e fundit? Pa le t’u kujtojmë grekëve masakrat që kanë bërë kundër shqiptarëve, gjenocidin kundër çamëve, por edhe masakrat që kanë bërë kundër shqiptarëve pas vitit 1990. Është ende e freskët fshesa famëkeqe greke kur në pak ditë u përzunë dhjetëra mijë shqiptarë nga Greqia, ku u torturuan dhe humbën jetën dhjetëra shqiptarë të pafajshëm, apo masakra e Peshkëpisë ku komandot ushtarake greke vranë në gjumë ushtarët tanë… Pra, kur bëhet një analizë dhe bilanc i qëndrimeve në marrëdhëniet greko-shqiptarët, grekët dalin vazhdimisht të humbur dhe përgjegjës për diskriminimin e shqiptarëve.  Faktet janë fakte, i dimë ne, por i dinë fare mirë vetë grekët, midis të cilëve gjallon e pashuar asnjë herë një frymë neofashiste antishqiptare edhe në qarqet zyrtare të Athinës.

–  Si e shpjegoni Doktor mosreagimin e Tiranës zyrtare, qoftë dhe në mënyrë diplomatike, për këtë deklaratë të fundit të Kryeministrit grek?

– Edhe kjo nuk më çudit. Nuk është hera e parë që ndodh kështu.  Ka ndodhur edhe herë të tjera dhe kjo është e turpshme për shtetin shqiptar. Grekët e njohin këtë realitet, ndaj dhe sillen në këtë mënyrë. Qevria shqiptare jo vetëm nuk ka reaguar, por ka favorizuar ndërtimin e varrezave për ushtarët grekë në Kosinë, Bularat, Boboshticë etj. Ne nuk kemi një qeveri të dinjitetshme që t’u japë përgjigjen e merituar grekëve. Ku janë shtetarët dhe diplomatët tanë në këtë rast? Apo që të na bëjnë teoria dhe retorika boshe nëpër ekrane? Është për të ardhur keq, por ky është realitet. Të krijohet përshtypja se qeveria jonë është një qeveri vasale e Athinës. Kjo është e turpshme. Jo vetëm se Greqia nuk është në ditë e saj më të mira, por edhe po të ishte, do të ishte në nderin e pushtetarëve tanë të reagonin me dinjitet. Nuk na kanë munguar shembujt në histori…

– Pse ka ndodhur kështu?

– Kjo meriton një vëmendje dhe një analizë të veçantë. Sidoqoftë nuk e nderon aspak shtetin shqiptar të këtyre tri dekadave të fundit. Është krijuar një psikozë se qeveria e Tiranës nuk merr dot frymë pa Athinën. Ka një të vërtetë në këtë mes, sado të justifikohen qeveritarët tanë. Ishte ushtria greke që këndonte himne kundër shqiptarëve në një paradë zyrtare. Dhe ne bëmë sikur nuk i dëgjuam ato këngë fashiste në paradën zyrtare të Greqisë. Për më tepër ne i dimë fare mirë përgatitjet ushtarake greke kundër nesh… Tani pushtetarët tanë bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar as Kryeministrin e Greqisë kur trimërohet dhe vë veton kundër hapjes së negociatave të BE-së me Shqipërinë. Ky qëndrim është turpërues, revoltues e trishtues në të njëjtën kohë.

– Gjithsesi si ne, si Greqia, jemi vende anëtare të NATO-s pse duhet të merakosemi për këtë sjellje të grekëve? Pra, pse duhet të kemi frikë prej saj?

– Ke të drejtë, miku im. Ne jemi vende anëtare të NATOS dhe një ditë do të jemi patjetër dhe në BE së bashku, pavarësisht vicklave që hedh Greqia herë pas herë. Ne nuk kemi frikë nga Greqia. Dhe nuk kemi përse. Historia e ka treguar dhe dëshmuar më së miri këtë. Por, me sa duket, është Greqia që ka frikë nga ne, pavarësisht se ne jemi krejtësisht neutralë ndaj veprimeve dhe qëndrimeve të fqinjit tonë jugor. Nuk ka nevojë këtu të tregojmë historia të së kaluarës, të cilat jo vetëm nuk na eulin kokën, por na bëjnë krenarë në marrëdhëniet që kemi treguar me fqinjin tonë jugor…

– Atëherë pse ndiheni i shqetësuar apo i merakosur, qoftë dhe nga deklarata e kryeministrit aktual të Greqisë?

– Athina ka një linjë zyrtare të qartë me Shqipërinë. Ka pasur dhe ka oshilacione dhe kjo është e natyrshme. Përralla me minoritetin grek (bëhet fjalë për rreth 30-40 mijë grekë etnikë në Shqipëri) nuk qëndron, pavarësisht se është konstante në qëndrimin e qeverive të majta apo të djathta të Greqisë. Mirëpo, ajo që më shqetëson mua dhe shumë të tjerë është disproporcioni në marrëdhëniet tona me grekët. Ne i respektojmë, ata na nënvlerësojnë.  Kjo është e pafalshme. Le të marrim aspektin ushtarak. Ua kam thënë edhe njëherë tjetër një fakt që më duket shqetësues. Një vend anëtar i NATO-s duhet të ketë kapacitetet e veta vetëmbrojtëse. Ne nuk i kemi këto kapacitete. Politika mund të ndryshojë me ditë, mirëpo mbrojtja, ushtria kërkojnë vite që të konsolidohen. Dhe kjo është e domosdoshme. Ku qëndron shqetësimi im? Sali Berisha e zhbëri ushtrinë shqiptare si askush tjetër në historinë e Shqipërisë. Kjo ndodhi në atë vitin e zi 1997. Mirëpo me ardhjen e socialistëve në pushtet atë vit, u bë një kthesë e madhe. U ringrit nga hiçi ushtria. Unë kam qenë ministër i Mbrojtjes në atë kohë. E them me plot gojën se ne e ringritëm ushtrinë. U vu rregulli dhe rekrutimi. Ushtarakët tanë u mobilizuan si asnjëherë dhe ngritën nga e para repartet dhe godinat. Bëmë dhe një paradë ushtarake që aleatët tanë të NATO-s i mahniti se si ne e ringritëm ushtrinë aq shpejt. Më vjen keq kur marr vesh se me rastin e 75-vjetorit të çlirimit sivjet nuk do të kemi ndonjë paradë ushtarake.

– Le të kthehemi edhe njëherë te grekët, Doktor. Ku e keni merakun nga ana ushtarake me fqinjin tonë jugor?

– Mua ato himnet që ata këndojnë në parada ushtarake, qoftë edhe zyrtare nuk më shqetësojnë fare. Më duken propagandë e turpshme nga ana e Athinës zyrtare. Këngët tona atdhetare që nuk kanë asnjë duf apo mllef nacionalist janë ku e ku më të bukura. Por, tjetërkund e kam merakun. Sapo thamë më sipër se Greqia dhe Shqipëria janë vende anëtare të NATO-s. Nuk duhet të ketë asnjë frymë armiqësie midis dy vendeve tona. Po cili është realiteti? Është një normë e NATO-s që gjithë vendet anëtare të kësaj aleance duhet të kenë aftësitë e tyre mbrojtëse. Pse, fjala vjen çfarë rreziku i vjen Greqisë nga Shqipëria kur Divizioni i Janinës është nga më modernit dhe më të fuqishmit e Greqisë. Ndërsa ne nga Tirana në Gjirokastër nuk kemi asnjë ushtar, pale më ndonjë regjiment, përveç disa skuadra zjarrëfikësish. Çfarë t’i themi kësaj? E te kjo shpërfillje, te ky degradim i ushtrisë shqiptare mund të gjejmë edhe përgjigjen e pyetjes që më bëtë më sipër: pse nuk reagon Tirana zyrtare ndaj deklaratës së fundit të Kryeministrit grek? Zoti Micotaqis e njeh mirë këtë realitet. Ia kanë vënë në tavolinë të gjithë treguesit dhe ai e di fare mirë se asnjë rrezik nuk i vjen nga Shqipëria. Në këtë gjendje që është Greqia nuk ka pse të trimërohet. Por që ia bën mjau-mjau si macet, kjo është në natyrën e saj. Ajo historia për të drejtat e minoritetit grek është një përrallë e sajuar keq, një pretekst për të ringjallur armiqësitë e vjetra midis dy vendeve. Mos e dëgjoni atë përrallë! Mund të na sjell përkohësisht një vonesë, por përparimin tonë nuk e ndal dot. Turpi do t’u ngelet grekëve… Jo qytetarëve grekë, por Athinës zyrtare. Të jeni i sigurt për këtë. DITA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mjaullima: 10/09/2019 12:45

    Greria eshte nje vend ku “populli” I saj prej 10 miljonesh perbehet prej popujsh dhe jo thjesht pakicash. Pra popujt qe perbejne Grerine janë: Shqiptarë, Sllavë, Bullgarë, Arumënë-Vllehë, Kretas, Egjiptianë, Arabë, Persë, Armenë etj. Këta popuj dikush dikur, i “bashkoi” në një popull prej 10 miljonesh dhe vet Greria eshte nje territor qe u shkeput prej Shqiptareve, Sllaveve e Bullgareve duke u rrethuar me kufinj të rinj. Pra, perpara se ky vend tu kerkoje të tjereve të drejta minoriteti (nuk e di se per c fare minoriteti flet ky kur 10 miljone “grerë” janë të perzjerë), duhet më përpara të punojë qe të gjithë keta popuj qe ndodhen në territorin e Grerise dhe qe flasin vetëm një gjuhë qe ua dhane per tjetersim, të rikujtojnë gjuhet, traditat e zakonet e tyre. Keshtu do të thoshim se Greria eshte nje vend me demokraci të lartë.

    Përgjigju
    • trfews: 11/09/2019 15:21

      ha pershesh ha

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Europian: Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, investimi më i madh gjeopolotik

Samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Europian: Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, investimi më i madh gjeopolotik