Tre persona janë arrestuar në Shkodër, Elis Bala, Gëzim Bala, dhe Artan Bala, për ushtrim të aktivitetit të kundërligjshëm në prodhimin e produkteve ushqimore ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) i ka bllokuar 110 ton fruta-perime.
Subjekti është i regjistruar në emër të Elis Balës ndërsa AKU e ka gjobitur gjithashtu dhe me 500.000 lekë gjobë dhe ka urdhëruar ndërprerjen e aktivitetit për prodhimin e produkte ushqimore (bulmet, fruta, perime) pa miratimet përkatëse dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës ka ndërmarrë një tjetër aksion, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore në vend.
Trupa e AKU-së ka kryer një inspektim jashtë planit në subjektin Elidon Bala, me aktivitet “trajtim/ambalazhim fruta-perime”.
Gjatë verifikimeve në terren janë konstatuar shkelje të rënda lidhur me respektimin e standardeve higjeno-sanitare, në ambientet ku trajtohet produkti ushqimor.
Për këtë arsye, AKU ka marrë një sërë masash të menjëhershme administrative:
•Gjobë në vlerën 500,000 lekë, referuar Ligjit nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin” (i ndryshuar), bazuar në nenin 68, pika 1, gërma (h), për shkelje në kundërshtim me nenin 23, mosrespektimi i kërkesave ligjore mbi kushtet higjieno–sanitare për sigurinë dhe trajtimin e produkteve ushqimore;
•Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit prodhues, referuar Ligjit nr. 99/2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, neni 46, pika 1, si masë urgjente administrative në rastet kur konstatohet rrezik serioz për interesin publik dhe sigurinë ushqimore;
•Bllokim i produktit në sasinë 110 ton, deri në përfundim të procedurave ligjore dhe vendimmarrjes për asgjesim, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mosrespektim të kushteve higjeno sanitare”, thuhet në njoftimin e AKU-së.
Sakaq, Elis Bala, Gëzim Bala, dhe Artan Bala akuzohen dhe për kanosjen e 2 persona të tjerë (babë e bir) me qëllim përfitimin e pasurisë.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Produkti”.
Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), dhe A. B., 61 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Këta shtetas dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur për motive të dobëta 2 shtetas (babë e bir), me qëllim përfitimin e pasurisë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente








