Në Gjykatën Administrative u zhvillua ditën e sotme seanca për shqyrtimin e kërkesë-padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për pavlefshmërinë e emërimit prokuror të Ols Dados.

Avokati Fran Dashi është shprehur se kërkesëpadia që Veliaj i është drejtuar Gjykatës Administrative, duhet të fusë palë në proces Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Kjo pasi sipas tij, KLP është i vetmi instrument ligjor që emëron, shkarkon dhe transferon prokurorë.

Dashi vijoi më tej të shpjegonte rastet kur pavlefshmëria e emërimit të një prokurori provohet konform ligjit.

Ai shpjegoi më tej se me ligjin e vjetër, që të bëheshe prokuror duhet të kishe 5 vite dhe 1 ditë punë si oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë dhe të kishe mbaruar fakultetin juridik. Veç kësaj, për t’u bërë prokuror asokohe, sipas Dashit duhet të plotësoje edhe disa kritere të tjera.

Dashi shtoi se prokurori Ols Dado, nëse nuk i përmbush kriteret që ai shpjegoi, duhet të jepte dorëheqjen nga çështja ‘Veliaj’ dhe KLP duhet të merrte një vendim pezullimi deri në momentin që do të vendoste Gjykata Administrative.

“Për të qenë realist, kërkesëpadia që Veliaj i është drejtuar Gjykatës Administrative, duhet të fusë palë në proces Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sepse KLP është i vetmi instrument ligjor që emëron, shkarkon dhe transferon prokurorë. Nëse do dalim te rasti i prokurorit Ols Dado, që është emëruar me propozim të Prokurores së Përgjithshme dhe me një dekret të Presidentit në vitin 2008, në atë kohë në ligjin mbi organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ka qenë një ligj që të emërohesh prokuror duhet të kesh 5 vite e 1 ditë oficer i Policisë Gjyqësore pranë prokurorisë me fakultet juridik të mbaruar.

Nëse plotësoje këtë kusht, atëherë kandidatura duhet të merrte miratimin nga KLP, që kanë qenë në atë kohë 7 anëtarë. Duhet të merrje në atë kohë 4 vota që të kualifikohesh për anëtar, për kandidat për prokuror. Pasi KLP do bënte propozimet, ishte i detyruar për t’i përcjellë një relacion drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme. Dhe prokurori i përgjithshëm, në bazë të votave që marrin kandidatët në KLP ia përcjell kërkesën Presidentit të Republikës dhe Presidenti bën dekretimin. Pra në 2008 nëse Ols Dado ka pasur 5 vite oficer i Policisë gjyqësore pranë Prokurorisë (jo pranë Policisë), emërimi është i saktë konform rregullave e ligjeve.

Ligjet më vonë ndryshuan me ardhjen e KLP. Kërkojnë magjistratë me shkollë magjistrature për të fituar statusin e magjistratit. Tani nëse këtu i ngelet Gjykatës Administrative për të kërkuar dokumentacionin e plotë, e ka plotësuar kushtin kryesor për të qenë OPGJ i prokurorisë për 5 vite e një ditë, nëse nuk e ka realizuar këtë, por është emëruar pa kaluar 5 vite e një ditë, për mua si jurist, prokurori Dado duhet të japë dorëheqjen nga çështja Veliaj, duhet t’i kërkojë me shumë mirëkuptim KLP-së për të marrë një vendim pezullimi, derisa Gjykata Administrative të dalë më një vendim”, tha mes të tjerash Dashi.