Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të pajisë me formularin tip grupin nismëtar që do të mbledhë 50 mijë firma për zhvillimin e një referendumi me synim shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura.
Grupi përbëhet nga Besjana Guri, Blendi Salaj, Ersid Domnori, Gentiana Kapllani, Gezim Shuli, Irini Myftaraj, Joniada Ngjelo, Lazjon Petri, Mateo Yskollari, Migena Kukli, Oljam Dervishi dhe Rikaldo Çelaj.
Në kërkesën drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, grupi argumenton se ndryshimet e miratuara me Ligjin nr. 21/2024 cenojnë qëllimin e ligjit ekzistues për mbrojtjen e natyrës.
Sipas tyre, një nga ndryshimet më problematike është futja e konceptit të "turizmit të ekselencës", që përkufizohet si ofrimi i akomodimit në struktura me standarde të larta arkitektonike dhe shërbime turistike ekskluzive.
Sipas grupit nismëtar, ky formulim krijon bazën ligjore për lejimin e ndërtimeve akomoduese brenda zonave të mbrojtura, në kundërshtim me frymën dhe objektivat e ligjit për ruajtjen e ekosistemeve dhe habitateve natyrore.
Një tjetër kundërshtim lidhet me ndryshimin e nenit 33 të ligjit. Sipas grupit, ndërsa më parë veprimtaritë në zonat e mbrojtura kushtëzoheshin nga Planet e Menaxhimit të hartuara pas konsultimeve publike, ndryshimet e reja lejojnë zhvillimin e strukturave akomoduese të ekselencës dhe infrastrukturës mbështetëse edhe nëse ato nuk janë parashikuar në aktin fillestar të shpalljes së zonës së mbrojtur.
Sipas tyre, kjo dobëson mekanizmat e mbrojtjes dhe hap rrugën për zhvillime intensive turistike.
Në dokument thuhet gjithashtu se ndryshimet bien ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe se kanë ngritur shqetësime edhe në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, për shkak të rrezikut që paraqesin për habitatet natyrore dhe zonat e rrjetit Natura 2000.
Grupi argumenton se ndërtimi i strukturave turistike mund të sjellë fragmentim të habitateve, dëmtim të korridoreve ekologjike, rritje të presionit mbi burimet ujore dhe humbje të shërbimeve ekosistemike.
Pyetja që grupi kërkon t'u shtrohet qytetarëve në referendum është: "A duhet të shfuqizohet Ligji nr. 21/2024, 'Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017, "Për zonat e mbrojtura"'?" Për këtë qëllim, ata do të nisin mbledhjen e 50 mijë firmave të zgjedhësve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve.
Nisma për referendumin vjen pas protestave në Tiranë ku pjesëmarrësit kërkuan anullimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara në vitin 2024.
Ligji është kundërshtuar nga organizata mjedisore dhe aktivistë, të cilët argumentuan se ndryshimet hapin rrugën për zhvillimin e resorteve turistike dhe ndërtimeve brenda zonave të mbrojtura. Qeveria, nga ana tjetër, ka mbrojtur ndryshimet, duke argumentuar se ato synojnë zhvillimin e turizmit elitar pa cenuar mbrojtjen e natyrës.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë









Komente
Komento