Me 9 vota kundër dhe vetëm 5 vota pro, në Komisionin e Ligjeve, u rrëzua kërkesa e opozitës për shkarkimin e presidentit Bajram Begaj.

Teksa pak metra më tej vendit ku zhvillohej kjo mbledhje, në Gjykatën Kushtetuese, diskutohej fati i shkarkimit Erion Veliajt dhe dekreti i Begajt për zgjedhjet në Tiranë, opozita e listoi në krye të listës prej 7 shkeljesh të rënda të kushtetutës firmën e Presidentit për shpallur të hapur zgjedhjet në kryeqytet, pa folur ende Kushtetuesja.

“Hiqni emrin përkatës. Individi për të cilin diskutohet të majtë e të djathtë duan ta shohin përpara drejtësisë por po flasim për një precedent të rrezikshëm në të ardhmen. Çfarë do të ndodhë nëse kryetarët e bashkive të gjithë arrestohen nesër se kështu do kryeministri dhe ne duhet të çojmë vendin në zgjedhjet e parakohshme. Prandaj nuk nxitohet presidenti se ka pasoja vijnë më të rënda. Si e lejoi që t’i merren kompetencat gjykatës kushtetuese. Por me lëvizjen e tij vuri në lëvizje një proces që kushton qindra mijëra euro, sepse vendosi që të shkelë kushtetutën”, tha Oerd Bylykbashi

“Presidenti ka caktuar datën e zgjedhjeve me dekret sepse ia jep kushtetuta. U ngrit pretendimi që presidenti duhet të konsultohet me GJK, është absurd juridik, sepse ai ka diskrecion të lirë për të marrë vendime. Megjithatë kjo çështje po shqyrtohet në GJK, ajo është gardiane e kushtetutës dhe mund të vendosë në diskrecion të plotë të gjithë të tjerët pas flet GJK jemi të detyruar të zbatojmë vendimin e GJK”, tha Ulsi Manja.

Një tjetër dekret është mes shkeljeve të rënda të kushtetutës që PD pretendonte se Begaj ka bërë, ai për Diellën. Por edhe këtu, PS përdori faktin që çështja ka shkuar në Kushtetuese.

Gjatë mbledhjes Gjin Gjoni tha se Presidenti krijon një ministër virtual i cili nuk përmbush cilësitë kushtetuese të emërimit të tij.

"Vlerësojmë se sa kohë që dekretet e presidentit për emërim e këshillit të ministrave, është objekt shqyrtimi në GJK kjo cështje ka hyrë në rendin kushtetues dhe nuk mund të shqyrtohet nga kuvendi", u shpreh Aulona Bylykbashi.

Ndërsa për akuzat e opozitës se djali i Begajt paguhet nga një kompani përfituese e tenderëve nga Presidenca në shkelje të kushtetutës, PS dha këtë koment.

“ILDKPI, kur dyshon për shkelje të rënda ja referon çështjen Prokurorisë. Institucioni i parë që duhet të hetojë është ILDKPI, dhe kjo më pas të shërbejë për nisjen e procedurës për shkarkimin e presidentit”, tha Aulona Bylybashi.

PD e ka gjetur vazhdimisht veten në rolin e akuzuesit kryesor ndaj kreut të shtetit, duke e quajtur shërbyes të kryeministrit Edi Rama.

 Vendimmarrja e Komisionit të Ligjeve do të kalojë në edhe në Kuvend për votim. Ligjet duhet të hartojnë brenda 15 ditësh raportin, ndërsa shifrat flasin për një betejë të humbur të demokratëve, pasi PS i mjaftojnë 71 nga 83 mandate për t'i rrëzuar"