Tirana zyrtare reagon për mosekstradimin e Ballist Morinës pas presionit publik.
 
Edhe pse reagim i vonuar, vetëm pas vendimit, kryeministri Edi Rama, Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi dhe FSHF i kërkojnë Kroacisë të mos ekstradojë Ismail Morinën në Serbi. Tifozi i kombëtares Ismail Morina u bë i njohur pasi mori autorësinë e ngritjes së dronit me mbishkrimin "Autochtonous" në stadiumin e Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Europianit të Fracës. 

Ai u arrestua në Kroaci një muaj më parë pasi u kap në pikën e kalimit kufitar pa mjete identifikimi. Pas identifikimit të tij, rezultoi se ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga Serbia, ndërsa tre ditë më parë gjykata ka vendosur ekstradimin. Nga ana tjetër, përgjatë 30 ditëve me radhë, siç edhe kuptohet institucionet shqiptare nuk kanë luajtur nga vendi, ndërsa ambasada shqiptare në Kroaci dukshëm është jashtë çdo funksioni të saj në shërbim të qytetarëve. 
 
Ministria e Drejtësisë kërkesë zyrtare kroatëve
Ministria e Drejtësisë i është drejtuar përmes një kërkese autoriteteve kroate për të mos pranuar kërkesën për ekstradim në Serbi të Ismail Morinës i njohur si Ballist Morina. 

Kërkesa mban firmën e ministrit teknik të Drejtësisë, Gazmend Bardhi. Sipas tij, kërkesa serbe për ekstradim nuk përmbush kriteret e pranimit sipas Konventës Europiane “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar “Për të drejtat civile dhe politike”

Ministri Gazment Bardhi kërkesë për bashkëpunim institucional Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit

Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se ministri Bardhi, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina, ka marrë kontakt urgjent zyrtar me autoritetet kompetente kroate, për të argumentuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, pamundësinë e ekstradimit të tij në Serbi.

"Për këtë qëllim, me shkresën nr. 4782, datë 28/07/2017 drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht homologut të tij kroat mos miratimin e kërkesës për ekstradim, duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Në këtë shkresë, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhimin që në një kohë sa më të shpejtë të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë se jemi përpara një shkelje politike, për të cilën bazuar në nenin 3 të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin”, nuk mund të akordohet ekstradimi", thuhet në njoftim.

Ministri i Drejtësisë në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate ka argumentuar se në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politisht për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim.

Për këtë qëllim, ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për t’i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë përdorimin politik nga autoritetet serbe të ngjarjes së ndodhur në stadiumin e Beogradit në Nëntor të vitit 2015, si dhe sjelljes çnjerëzore të tifozëve dhe personelit serb të stadiumit ndaj ekipit kombëtar shqiptar, me qëllim provueshmërinë e rrezikut real që i kanoset shtetasit Ismail Morina për shkak të shtetësisë së tij shqiptare në rast ekstradimi në Serbi. 

Gjithashtu po sot, Bardhi i ka njoftuar Ministrisë së Punëve të Jashtme shkresën që i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, duke kërkuar nga MPJ që të vlerësohet mundësia për ndjekjen e rrugëve të tjera diplomatike, apo marrjes së kontaktit me autoritete të tjera shtetërore të Republikës së Kroacisë, për të mundësuar mos miratimin nga autoritetet kompetente kroate të kërkesës së Serbisë për ekstradimin e shtetasit shqiptar Ismail Morina, si dhe pranimin nga ana e Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të kërkesës së Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për mos ekstradimin e tij. 

"Ministria e Drejtësisë shpreh të gjithë angazhimin e saj institucional në mbrojtjen e të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina dhe ndjekjes së të gjitha rrugëve ligjore dhe institucionale për të penguar ekstradimin e tij në Serbi, jashtë kushteve të lejuara nga konventat ndërkombëtare në këtë fushë".

Pas vendimit të gjykatës së Zagrebit kanë reaguar ashpër familjarët e Ismail Morinës, të cilët janë shprehur se do marrin vendime ekstreme në rast se Ballisti dërgohet në Serbi. 

Ora 19:00 Grupimi "Tifozët Kuqezi" protestë te Kryeministria
Vendimi i gjykatës kroate për ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi, ka bërë që grupimi "Tifozët Kuqezi" të organizojë një protestë përpara Kryeministrisë.

Tifozët mbanin pankarta në duar "Nëse keni moral dhe dinjitet, ktheni heroin në shtëpinë e vet", "Ekstradimi i Morinës, tradhti e shtetit ndaj populli dhe veprës së tij", "Liri për Ballistin”, ndërsa nuk munguan as thirrjet “Serb i mirë është serb i vdekur”.
  
Në këtë tubim merrte pjesë edhe vëllai i Ismail Morinës, Xhevair Morina i cili mbante në duar flamurin kroat, pasi është pikërisht gjykata kroate ajo që ka vendosur ekstradimin e tij në Serbi. 

Gjatë një prononcimi për Report Tv ai bëri sërish apel për lirimin e Ismail Morinës.  

"Le të vijojnë negociatat për lirimin e vëllait tonë. Nëse ekstradohet në Serbi është një turp, është një kafshatë që nuk mund të kapërdihet. Ndërsa ne si familje do marrim masa shumë ekstreme. Jemi përpara një armiku shekullor të shqiptarëve dhe si të ekstradohet atje ai.

Në flamurin që ngriti në Beograd vendosi dy figurat tona historike kombëtare, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin. Jemi të lodhur fizikisht nga kjo, por jemi të fortë dhe do të bëjmë të pamundurën"


Protestuesit janë zhvendosur nga Kryeministria drejt ambasadës Kroate tek rruga "Elbasanit".