E marta e 9 dhjetorit, mbylli siparin e diskutimeve në komisionet parlamentare të projektbuxhetit të vitit 2026.
Mes dhjetëra amendimeve të bëra nga deputetët e opozitës por edhe mazhorancës, projektbuxheti mbeti në të njëjtat tavane siç u depozitua në nëntor në Kuvend, 823 miliardë lekë të ardhura, 886.7 miliardë lekë shpenzimet dhe 63.7 miliardë lekë deficiti buxhetor.
Ky buxhet parashikon një fond prej 10 miliardë lekë për bonuset mujore për pensionistët që nisin nga janari 2026.
Por nga deputeti i PS-së Erion Braçe propozoi që çdo fond i pashpenzuar nga institucionet të përdoret për mbështetjen e pensioneve, si dhe çdo e ardhur shtesë nga sigurimet shoqërore të shkonte për politika të reja po për këtë kategori.
Por asnjëra prej tyre nuk u aprovua, pasi Ministria e Financave tha se ata janë në proces pune për ‘Skemën e re të Pensioneve’.
“Jemi ne proces për të reformuar skemën e pensioneve, dhe nëse ngurtësojmë skemën tani do të kemi kosto të tjera. Fondet që mbetet ne i kemi dhënë për bonusin. Pra duhet të shohim reformën që mund të sjellë ndryshime në treguesit parametrik të skemës”, tha Mimoza Dhëmbi, Drejtoresha e Buxhetit.
Propozimet kryesore të opozitës ishin për caktimin e minimumit jetik, fonde për të dëmshpërblyer banorët dhe bizneset e prekura nga përmbytjet e nëntorit, buxhet shtesë për një sërë institucionesh si Shëndetësia, Arsimi apo Bujqësia.
Por asnjëri prej tyre nuk u aprovua në komision.
“Kemi detyrim të mos prekim as tavanet e të ardhurave, as shpenzimeve dhe të deficitit buxhetor”, tha Milva Ekonomi kryetare e Komisionit të Ekonomisë.
Të vetmet kërkesa të miratuara ishin ato të bëra nga komisionet parlamentare, për tu dhënë buxhet dhe punonjës shtesë 12 institucioneve. Kostoja totale e shtesave të pranuara ishte 5 milionë euro, fonde që u zbritën nga buxheti i Ministrisë së Financave.
“Totali i shpenzimeve shtesë të aprovuara për institucionet është 504.9 mln lekë”, tha Antoneta Dhima.
Projektbuxheti i 2026-ës, parashikon edhe rritjen e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, si dhe për herë të parë do të aplikohet indeksimi i rrogave me 2.5% për punonjësit e administratës publike. Sa i takon investimeve publike ato planifikohen në afro 1.8 miliardë euro, dhe do të përdoren për të mbyllur projektet infrastrukturore në proces dhe të reja që do fillojnë në 2026-ën.
Vulën përfundimtare projektbuxheti bashkë me 8 projektligjet e paketës fiskale pritet ta marrë në seancën e 11 dhjetorit në Kuvend.
Diskutimet e plota në Komisionin e Ekonomisë:
Deputetët e opozitës dhe ligjvënësi Erion Braçe prezantuan 60 amendamente në total lidhur me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Deputeti i PD Shkodër Kliti Hoti: Buxhet shtesë për spitalin e Shkodrës +5 mln euro ti shtohet buxhetit të ministrisë
Ina Zhupa: Amendimi i parë , shtesë 2.5 mld lekë për pagën e 13 të mësuesve parauniversitar, që të rrisim motivimin për mësuesit.
Amendimi i dytë , shtesë 384 mln lekë për të shtuar oficerët e policisë në shkolla. Kemi 1400 shkolla, dhe ka vetëm 220 oficerë, parashikohet të shkojë në 400 në buxhet, por propozojë që të shkojë në 800, për shkak edhe të ngjarjeve të rënda kriminale në shkolla. Të krijojmë një mjedis të mbikëqyrës dhe më të mbrojtur.
Amendimi i tretë, 2 mld lekë të shkojë për qarkun Vlorë, ku 1.5 mld lekë për kompensimin e banorëve të Vlorës nga zjarret e përmbytjet dhe 0.5 mld lekë për rregullimin e infrastrukturës së dëmtuar nga përmbytjet e nëntorit.
Tritan Shehu: Amendimi i parë, 1 mld lekë për të kompensuar banorët e bizneset në qarkun Gjirokastër të prekur nga përmbytjet e nëntor-dhjetor, 1 mld lekë për rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar.
Amendimi i dytë, buxheti i ministrisë së shëndetësisë nga 82 mld lekë të rritet në 110 mld lekë. Nuk ka shëndetësi pa buxhet, duhet të arrijmë 4% të PBB për shëndetësisë.
Amendimi i tretë , vlera e kompensimit të medikamenteve nga 13.5 mld lekë të zëvendësohet me 27 miliardë lekë.
Gjin Gjoni: 325 mln lekë fond shtesë tek zëri i ujësjellës kanalizime tek MIE, për të financuar përmirësimin me furnizimin.
Amendimi 2 për dëmshpërblimin e zonave të përbyturave në Lezhë, kërkohet një fond prej 1 mld lekë për dëmin e 500 hektar tokë të përmbytur dhe për dëmet në bagëti.
Flamur Hoxha: Propozojmë për kompensimin e të përndjekurit vlera 1.5 mld lekë të zëvendësohet me vlerën 6 mld lekë. Të katërfishohet vlera për dëmshpërblimin e tyre në 2026.
Amendimi 2, Programi i transportit rrugor, për të rritur me 2 mln euro për rrugën Surroj, projekti me vlerë totale 4.5 mln euro
Bujar Leskaj : 500 mln lekë për rrugën Vleshë-Vërmi, lidhen një sërë fshatrash
Besart Xhaferri: 12 mld lekë shtesë për të rritur me 10% pagat e adminsitratës
Ledina Alolli: buxheti i arsimit nga 64.8 mld lekë të arrijë në 92 mld lekë.
Amendimi i dytë, fondi për indeksimin e pensioneve nga 1.6 mld lekë të zëvendësohet me 5 mliardë lekë për 2026-ën.
Amendamenti 3 / fond 9 mld lekë për të rritur pagat e mësuesve dhe pedagogëve
Amendimi 4/ Nisur nga përmbytjet pak javë më parë, 2 mld lekë për qarkun korcë për kompensimin e banorëve dhe bizneseve.
Igli Cara: 5 mld lekë si mbështetje për sipërmarrjet prodhuese, sidomos për eksportuesit për goditjen nga euro. Të garantohet që euro të jetë 1-1 me lekun.
Amendim i dytë/ shtesë 2 mld lekë për të rritur pagat e shëndetësisë
Amendimi i tretë/ fondi prej 2.3 mld lekë që është caktuar për bonusin e bebeve, të zëvendësohet me 5.7 mld lekë, që të rriten bonuset e bebeve.
Amendimi i katërt/ Fondi prej 1 000 milionë lekësh, i parashikuar në programin buxhetor “Tregu i punës” përdoret për kompensimin e kontributeve të punëdhënësit për koston shtesë, që krijohet si rezultat i rritjes së pagës minimale, propozojmë ta shtojmë në 9 miliardë lekë.
Partia e Lirisë ka depozituar në komision 12 amendime. Deputeti Tedi Blushi tha se kërkojnë 16.2 mld lekë për rritjen e pensioneve që nga viti i ardhshëm.
2 amendime ka patur edhe nga deputeti socialisr Erion Braçe:
Propozimi 1/ Transferimet nga buxheti i shtetit mbeten në nivelin e këtij viti edhe për 2 vitet në vijim, çdo e ardhur shtesë nga sigurimet shoqërore, shkon për politika pensionesh.
Propozimi 2 / Në rastin kur gjatë zbatimit të buxhetit ka diferenca në raport me nivelin e deficitit të përcaktuar në këtë ligj, fondet e papërdorura shkojnë në llogari të fondit të pensionit.
Komente











