Kërkohet një opozitë e çliruar!

Kërkohet një opozitë e çliruar!

Sali Berisha

PD i ka “ndezur” motorët e fushatës për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

22 deputetë të sigurtë tashmë dihen.

12 drejtuesit e qarqeve dhe 10 kandidatët e Metës nga LSI.

27 të tjerët, të cilët rrinë poshtë ballkonit dhe ne u shohim gushën, ngaqë rrinë me kokën lart në pritje të emrit në listat e mbyllura, janë në ankth dhe të gatshëm të bëjnë “revolucionin” e tyre kur të mësojnë “larg, o Zot për ta!” që për ta s’do ketë vend. 

Demokratët e vërtetë shikojnë me trishtim dhe zhgënjim realitetin, të cilin nuk donin ta besonin dhe që ishte paralajmëruar nga politologët dhe gazetarët, të cilët merrnin pak erë nga politika: Rënien e mitit të kampionit të demokracisë, të të pakorruptuarit që jetonte në një apartament 100m2 dhe faktit se çdo betejë e tij në këto tre vjet nuk u bë për drejtësinë, por për të luftuar Drejtësinë!

Shumëkush e kupton se lufta 3- vjeçare për vulën e logon e PD ishte një luftë për vete dhe aspak për demokratët. Dhe aktualisht vula dhe logoja as atij nuk i bëjnë më punë.

Shumëkush e kupton se protestat e poshtëballkonistëve përpara bashkisë së Tiranës apo SPAK nuk janë protesta për Drejtësinë dhe Demokracinë, por për futjen e emrit në listat për deputetë.

Shumëkush e kupton tashmë se në këto tre vite lufta ka qenë që të mundej Basha dhe të faktorizohej Berisha për të pasur monopolin e opozitës dhe PD si mburojë për hallin e vet.

Shumëkush e kupton që LSI do futet në listat e PD, jo sepse i dha mundësinë që të garonte në zgjedhjet lokale, por sepse ishte aleati kryesor për të mposhtur Bashën dhe shkatërruar PD.

Shumëkush e kupton se futja e Metës në listat e PD nuk është shpërblim, por përdorim i opozitës si mburojë, për hallin e përbashkët të të dyve me Drejtësinë, të cilët janë peng i dosjeve në tryezat e SPAK.

Prandaj edhe mbështetja sa vjen e pakësohet edhe poshtë ballkonit, edhe përpara bashkisë së Tiranës, edhe nëpër takimet e zymta të drejtuesve politikë nëpër qytete.

Njerëzit me dy pare mend i kuptojnë pazaret me PS në parlament për amnistinë penale, ligjin elektoral dhe komisionin antiSPAK; e kuptojnë se nuk mund të jenë kauza të opozitës vetëm lirimi i Berishës dhe qeveria teknike.

Së pari: Berisha nuk është arrestuar nga Rama, por nga Drejtësia. Rama, praktikisht e ka lënë të lirë. Madje bëj çudi, se si nuk ka reaguar drejtësia për të gjitha shkeljet që i ka bërë ligjit, fjalimet e përnatshme me mikrofona, tubimet e paligjshme, kërcënimet ndaj drejtësisë dhe gazetarëve.

Së dyti: Kërkesa për qeveri teknike, të cilën e dinë mirë se nuk do të realizohet, nuk është gjë tjetër veçse alibia e humbjes së pritshme e të sigurtë dhe justifikimi i radhës!

PD duhet të gjejë forca të ngrihet mbi vetveten dhe të çlirohet nga të gjitha peshat që e mbajnë dhe do ta mbajnë përjetësisht në opozitë, të ketë ide e njerëz të rinj; të jetë novatore në program e me retorikë.

Por edhe togfjalëshi “PD në opozitë”, nuk është fort korrekt nga ana praktike, pasi realisht opozitën në Shqipëri sot po e bën SPAK dhe Drejtësia.

Madje Drejtësia praktikisht po ndihmon PD që të kuptojë dhe të çlirohet nga lidhja dhe varësia e fatit të saj politik nga fati juridik e personal i Berishës; po i jep mundësinë të çlirohet nga aktet dhe retorika e tij kundër ligjit dhe nga shpresa e kotë se do të trysnojë e do të shpëtojë nga përgjegjësia ligjore.

Drejtësia po u jep mundësinë demokratëve të reformohen, të pastrohen, në mënyrë që kur për ta të mos ketë më hije dyshimi, të mund të vijnë në pushtet.

Natyrisht që këto mendime mund të merren si sulm ndaj PD dhe opozitës. Në fakt, nuk është ashtu.

Pa një opozitë të pastër, pa hije, pa dosje, pa pazare, me respektim vlerash e meritokraci sot, nuk mund të ketë një mazhorancë nesër!

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja