Prokurori Sotir Kllapi i kërkoi Gjykatës së Posaçme arrestimin e ish kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, për dy episode të pretenduara shpërdorimi detyre në vitin 2014, për një leje ndërtimi dhe një tender, nga të cilët Dako nuk ka përfituar asgjë, të paktën sipas dosjes së SPAK. Gjyqtari Erion Bani pranoi masën ekstreme në shpërpjestim me veprën penale e shpërdorimit të detyrës dhe në kushtet kur Dako nuk ushtron asnjë fundksion publik prej 4 vitesh. Gjithsesi, do të jetë sërish Gjykata e Posaçme, Apeli dhe ndoshta Gjykata e Lartë që do të vlerësojnë masën e arrestit në raport me rrethanat si dhe akuzat ndaj Dakos.

Në një kohë kur këmbënguli që Vangjush Dako të mbahet në burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, prokurori Sotir Kllapi mban në duar prej një viti dosjen e Ilir Metës, i kallëzuar për pastrim parash, korrupsion, fshehje pasurie, falsifikim formularësh etj. Bëhet fjalë për kontratat e zbuluara për lobim në SHBA me vlerë 700 mijë USD nga Ilir Meta dhe LSI-ja në 2017, para të cilat janë fshehur, duke mos u deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKP. 

Në bazë të provave të mbledhura, në qershor të vitit 2022, ish deputeti Halit Valteri referoi një kallëzim në SPAK. Në kallëzimin penal thuhej se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë konsumuar 8 vepra penale, si fshehje të ardhurash, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasuri, mospagim taksash etj. Si fakte, në kallëzim thuhet se Ilir Meta dhe LSI-ja kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA me kompaninë McKeon Group në vitin 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë, duke fshehur shpenzimet si në KQZ, ashtu edhe në ILDKPKI, siç e parashikon ligji. 

Bashkangjitur kallëzimit penal janë kontrata e lobimit, raporti financiar i LSI në vitin 2017 si dhe deklaratat e pasurisë së Metës, Kryemadhit dhe Petrit Vasilit për vitin 2017. Ballafaqimi i këtyre dokumenteve implikon rëndë Ilir Metën, por edhe Petrit Vasilin dhe Monika Kryemadhin. 

Disa ditë më pas, bazuar në këtë kallëzim, SPAK regjistroi procedimin penal me numër 122, me dy akuza: Korrupsion dhe falsifikim të formularëve. Prokurorët e kësaj çështje janë Sotir Kllapi dhe ish kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, të cilin Meta e etiketoi si 'Spurdhjaku i partisë qê ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve'.

Në vijim, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, iu drejtuar me letërporosi autoriteteve ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të konfirmuar shpenzimet e LSI-së për lobim, shpenzime të cilat nuk ishin deklaruar në asnjë institucion publik në Shqipëri. Përgjigja për letërporosinë ka mbërritur në SPAK prej disa muajsh. Përmbajtja e përgjigjes mbetet sekret hetimor. Por gjithsesi nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kishin konfirmuar shpenzimet, do të ishte ishte proceduar me një kërkesë për pushimin e çështjes penale, pasi nuk ekzistonte fakti penal. 

Nëse autoritetet amerikane kanë konfirmuar zyrtarisht shpenzimet e padeklaruara nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, nuk kuptohet se pse prokurori Sotir Kllapi nuk zbaton të pakën të njëjtin stadard si në rastin e Vangjush Dakos, edhe pse akuza ndaj Dakos është më e lehtë.