Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mësohet se është kthyer nga manastiri i Hilandarit në Greqi ku ka qëndruar gjatë festave të Krishtlindjes dhe sapo ka mbërritur në presidencë i është dorëzuar përgjigjia e KFOR-it lidhur me kërkesën e bërë nga ai për kthimin e trupave ushtarake serbë në Kosovë.

Mediat serbe bënë me dije se ditën e nesërme, Vuçiç do të mbajë një deklaratë ku do të bëjë publike përgjigjien e dhënë nga KFOR. Konferenca për mediat serbe nga Vuçiç pritet të mbahet rreth orës 10:00 të mëngjesit. 

Ndërkohë barrikadat në veri të Kosovës të cilat qëndruan për një afat kohor prej më shumë se dy javësh, u hoqën pas lirimit të ish policit serb Dejan Pantiç ndaj të cilit u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpiak” nën akuzën e sulmit ndaj policisë së Kosovës dhe zyrave të KQZ-së.

Për javë me rradhë, serbët në veri të Kosovës mbajtën të bllokuara katër komuna, duke paralizuar çdo lloj funksionimi të jetës normale institucionale. Ndërkohë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dorëzoi kërkesën e tij në KFOR duke kërkuar hyrjen e trupave serbe në veri të Kosovës për të mbrojtur qytetarët serbë.

Pas heqjes së barrikadave, tensionet u ngritën sërish ditën e djeshme pasi një ushtar i FSK-së plagosi dy serbë në Shtërpcë. Politikanët serbë reaguan duke e quajtur ngjarjen një sulm të mirëfilltë dhe të planifikuar. Ndërsa familjarët e të Azem Kurtajt kanë deklaruar se ushtari i FSK kishte qëlluar për vetëmbrojtje pasi dy serbët i kishin bllokuar rrugën.