Parlamenti i Serbisë ka votuar kundër kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor për vdekjen e 135 ushtarëve shqiptarë në Ushtrinë Popullore Jugosllave gjatë viteve ’80. Propozimi u paraqit nga deputeti shqiptar Shaip Kamberi, por nuk mori mbështetjen e parlamentit serb.
Sipas rezultatit të votimit, 7 deputetë votuan pro, 4 kundër, ndërsa 164 deputetë nuk morën pjesë në votim. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kamberi deklaroi se për dekada këto raste janë trajtuar nga autoritetet si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “raste të izoluara”.
Ai tha se familjet e viktimave dhe komuniteti shqiptar prej vitesh dyshojnë se bëhet fjalë për vrasje me motive etnike dhe politike. “Autoritetet shtetërore në Serbi nuk e kanë pranuar kurrë zyrtarisht se shqiptarët janë vrarë për motive etnike gjatë shërbimit në APJ”, deklaroi Kamberi.
Sipas tij, mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës ka shtuar dyshimet rreth këtyre rasteve.
“Mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës vetëm sa i shtoi dyshimet se bëhej fjalë për vrasje me motive etnike ose politike. Shumë historianë, gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut sugjerojnë se ushtarët shqiptarë ishin në mënyrë të qëllimshme të ekspozuar ndaj dhunës për shkak të përkatësisë së tyre etnike, veçanërisht në kontekstin e rritjes së nacionalizmit serb dhe qëndrimeve anti-shqiptare. Shqiptarët shpesh perceptoheshin si të pabesueshëm, separatistë të mundshëm, apo edhe si kërcënim për strukturën federative të shtetit”, ka deklaruar Kamberi.
Kamberi tha gjithashtu se pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, diskriminimi ndaj shqiptarëve në ushtrinë federale jugosllave u rrit ndjeshëm. Propozimi i tij parashikonte krijimin e një komisioni me deputetë të Parlamentit serb, organizata të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.
Sipas Kamberit, arkivat ushtarake të periudhës jugosllave vazhdojnë të mbeten të mbyllura.
Komente









