Barcelona nuk heq dorë nga Lionel Messi. Klubi katalanas do të bëjë ç'mos për ta mbajtur në skuadër, pasi dëshiron të ndërtojë një ekip rreth më të mëdhenjve. Kështu deklaron sekretari teknik i klubit të Barcelonës, Ramon Planes, i cili konkretisht thotë:
"Ajo që duam është të ndërtojmë një cikël fitues rreth lojtarit më të mirë në botë dhe në histori.
Barcelona ka rindërtuar shumë gjatë viteve të fundit dhe është rikthyer gjithmonë e fortë. Ne duhet të nxjerrim përfundime nga kjo situatë, por ideja jonë është të ndërtojmë një ekip rreth lojtarëve më të mirë në botë.
Leo i ka dhënë aq shumë Barçës, është një martesë që ka dhënë aq shumë fryte dhe gëzim për tifozët. Ne duhet të luftojmë që kjo të vazhdojë. Kërkesa e tij është lajm shumë i rëndësishëm, por tani duhet të punojmë shumë për të gjetur zgjidhjen më të mirë për këtë situatë,"- përfundoi Planes.
Këto deklarata vijnë një ditë pasi të gjithë mediat ndërkombëtare, duke iu referuar një lajmi nga Argjentina thanë se Messi ka kërkuar të largohet nga Barcelona.