Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbjas, ishte përgatitur të dilte që sot nga qelia, por Gjykata e Apelit përllogariti se i kishin mbetur ende dhe disa orë për të shlyer të gjithë dënimi. Ai pritet të dalë paraditen e së shtunës.

Çyrbja ishte dënuar më 3 nëntor të vitit të kaluar për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të eksponentëve të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Gjykata e Posaçme e dënoi me tre vjet, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar u konvertuan në dy vite burgim.

Por gati 4 muaj e gjysmë nga dita e vendimit, dënimit të tij i ka ardhur fundi. Pjesën më të madhe të kohës ish-deputeti e kaloi në paraburgim. Ai u arrestua në 20 tetor të vitit 2024, dhe periudha më shumë se 1 vjeçare, në pritje të gjykimit e favorizoi atë duke qenë se 1 ditë paraburgim barazohet me 1 ditë e gjysëm burg.

Çyrbja ka qenë deputet i PS për Durrësin, për dy legjislatura të Kuvendit. Ai dha dorëheqjen nga mandati në 10 tetor 2024. Një ditë më pas, Prokuroria e Posaçme ngriti ndaj tij akuzë për shpërdorim detyre, për periudhën kur kishte drejtuar hipotekën e Durrësit. Ndërsa më 20 tetor ai u arrestua për një tjetër hetim, nën dyshimet se kishte dekonspiruar aksionet policore, kishte nxjerrë të dhëna nga TIMS dhe informacione të tjera për të ndihmuar personat në kërkim që të mos kapeshin.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se ish-deputeti Çyrbja ka pasur miqësi me të kërkuarin ndërkombëtar të drejtësisë, Altin Hajrin, të cilit i premtoi se do ta ndihmonte përballë drejtësisë në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve.

Sipas hetimit, u provua se Çyrbja, Altin Hajri, emër I botës së krimit të organizuar, në kërkim ndërkombëtar dhe Ahmet Masha kishin koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale përmes komunikimeve në “Sky ECC” dhe “Matrix”. Në të paktën 8 episode gjatë periudhës 1 maj 2020 deri më 8 mars 2021, Çyrbja kishte ofruar të dhëna të sistemit “TIMS”, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Këto informacione lidheshin me planet e policisë në gjithë territorin e Shqipërisë, por edhe Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.