Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha për gazetarët pas daljes nga seanca se është gjobitur me 10 mijë lekë gjobë për shkak se ka bërë kërkesë të përsëritur për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani.
Mbrojtja pretendon se gjyqtarja ka gjykuar muajin e kaluar kërkesën për revokimin e masës dhe vendosi mospranimin, ndaj nuk mund të shqyrtojë sërish një çështje tjetër që prek të njëjtin person.
"Kisha kërkuar përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani. Gjyqtari Florian Kalaja s'e përjashtoi se ajo kishte gjykuar më parë një çështje dhe më sanksionoi edhe mua me 10 mijë lekë gjobë ose 100 mijë lekë për shkak të kërkesës së padrejtë që kisha bërë për përjashtimin e gjyqtares. Ne kërkuam që të shuhet masa e sigurimit presidentit se i kanë kalaur të gjitha afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës dhe Kushtetutë. Prokuroria mban qëndrimin e saj lidhur me miratimin e vendimit dhe vazhdimin e paraburgimit, gjykata nuk bëri shuarjen e masës që parashikon 263 gërma c të Kodit të procedurës.", tha Cakrani.
Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Meta këmbëngul se po mbahet në qeli pa akuzë. Për këtë, Cakrani tha se shpreson që Kushtetuesja të shprehet brenda muajit dhjetor për kërkesën e depozituar.
Edhe seanca paraprake e datës 11 nëntor në GJKKO u shty, pasi mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Avokati Kujtim Cakrani tha se dosja duhet të kthehet për hetime shtesë, duke akuzuar SPAK-un se ka paraqitur prova të reja pas mbylljes së hetimeve, gjë që sipas tij, përbën shkelje proceduriale.
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 14.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 256 akti, datë 04.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit I.M., me objekt: “Ankim kundër vendimit Nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shuarjen e masës së sigurimit personal të "arrestit në burg" për të pandehurin I.M.” dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, me datë 14.11.2025.

Foto:Ilir Meta
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 27 nëntor për shqyrtimin e rekursit të ish presidentit Ilir Meta, i cili kërkon shfuqizimin e vendimit për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.
Seanca do të zhvillohet në orën 12:30 në dhomë këshillimi. Relator do të jetë Ilir Panda.
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.
Komente











