TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë. Më datën 6 maj, Veliaj ka dorëzuar rekurs ndaj vendimit të Apelit të GJKKO-së, që i rrëzoi kërkesën për të dalë nga qelia. Kryebashkiaku kërkon që t’i caktohet një masë më e lehtë sigurie si detyrim paraqitjeje, ose të marrë lirinë kundrejt garancisë pasurore.
Çështja ndaj Erjon Veliajt, është ndarë dhe kryebashkiaku me 10 të tjerë, do të gjykohen në proces normal, pa gjykim të shkurtuar, me trupë të re gjykuese.
Seanca e parë me trupën e re gjykuese pritet të mbahet më 26 maj, ku Veliaj do të parashtrojë nga e parë, kërkesat e tij, përfshirë gjyqin e hapur për mediat dhe transmetimin live, qëndrimin jashtë kafazit të qelqtë gjatë procesit, dhe njohjen me të gjitha provat e SPAK.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka renditur ndaj tij 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Kërkesa e Veliajt vjen në një kohë që Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë rishikuan një vendim unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.
Pas këtij vendimi të Kolegjeve të Bashkuara, lirinë në Gjykatën e Lartë e fitoi ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Gjykata e Lartë lehtësoi masën ndaj saj, nga arrest në shtëpi në detyrim paraqitjeje.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim...
Komente










Gjykata te ngrihet ne lartesine e duhur. Sic i thone gjykata e larte, shpresojmete jete e larte
Përgjigju