SHKODER- Shkon ti kërkojë ndihmë për ta mbrojtur nga dhuna e burrit, por shefi i Postës së Policisë në Velipojë i kërkon favore seksuale një gruaje. Një emigrante në Angli me inicialet R. M., 32 vjeçe por me origjinë nga Zagora e Malësisë së Madhe, e cila ndodhej në plazhin e Velipojës për pushime, ka rënë pre e një ngacmimi seksual nga kryepolici i zonës, Ernest Paluku.

Ky i fundit është vënë në pranga nga ana e agjentëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pas denoncimit të 32-vjeçares. Gruaja, e cila dhunohej nga i shoqi ishte paraqitur në dyert e stacionit policor të Velipojës, i cili është në varësi të komisariatit të Shkodrës, për të bërë një kallëzim e saj. Por këtu shefi i postës policore, i ka kërkuar favore seksuale për ta mbrojtuar nga bashkëshorti.

Arrestimi nga SHKB
Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme kanë bërë të ditur se, në orët e vona të dy ditëve më parë, agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë vënë në pranga në flagrancë punonjësin e policisë Ernest Ndue Paluku, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë, (Komisariati i Policisë Shkodër).

Arrestimi i tij është bërë pasi paluku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të  detyrës” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”. Gjatë hetimeve të bëra nga SHKB-ja, dyshohet se punonjësi i policisë Ernest Paluku, duke shfrytëzuar detyrën e tij funksionale, ka kërkuar favore seksuale nga 32-vjeçarja R. M., e cila ishte paraqitur në stacionin e Policisë Velipojë, për të bërë një kallzim për dhunë dhe keqtrajtim nga bashkëshorti i saj.

Zbulimi i aferws
Hetimi i nisur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pas denoncimit të emigrantes, ka arrestitur në përfundimin se, shefi i postës së policisë Paluku, pas paraqitjes së shtetases R. M., për të bërë denoncim nuk e ka kryer detyrën funksionale sipas procedurave standarde, por duke shfrytëzuar postin i ka kërkuar asaj favore seksuale. Burimet kanë bërë të ditur se, këto veprime Paluku i ka kryer jashtë dëshirës së 32-vjeçares R.M., e cila kishte ardhur në Velipojë për të kaluar pushimet. Shefi i postës policore i kishte premtuar mbrojtje gruas për shqetësimet që i sillte bashkëshorti i saj, por në favor të raporteve seksuale. Ky është rasti i dytë, pas skandalit në Sarandë, ku funksionarë të shtetit kërkojnë favore seksuale duke shfrytëzuar detyrën.

Denoncueses i dëmtohet makina
Pas denoncimit të bërë dhe vënies në pranga të shefit të Postës së Velipojës, Ernest Paluku, denoncueses i është dëmtuar makina e saj. Siç bën të ditur Policia e Shkodrës, ka nisur procedimi penal pasi në vendin e quajtur Plazh-Velipojë, në një parking privat persona të paidentifikuar kanë gërvishur mjetin Benz me targa angleze E-509-RKK, në pronësi të 32-vjeçares me inicialet R. M., lindur në Shkodër, aktualisht emigrante në Angli. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)