TIRANË- Qeveria ka mohuar se KESH ka shitur energji elektrike më lirë sesa çmimi në bursë. Përgjigja ka ardhur nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili thekson është thjesht një gënjeshtër që po përdoret nga opozita dhe disa media për të nxitur urrejtjen ndaj qeverisë, pasi nuk është e vërtetë që KESH e ka shitur energjinë 4 herë më lirë se çmimi në bursa.

“Gënjehet pa të keq fare, sikur këndohet, bjeri t’i biem, një orkestër e tërë e injorancës dhe ligësisë, kanal më kanal portal më portal, shifra futja kot, fjalë rromapërtoma për të helmuar popullin e nxitur urrejtjen ndaj qeverisë! Deri në pikën që s’ka më asnjë logjikë”, shkruan Rama.

Ky reagim i Ramës vjen pasi opozita akuzon qeverinë se nuk e ndërpret importin e energjisë ndonëse i gjithë vendi është përshirë nga reshjet e shiut. Sali Berisha tha dje nga Shkodra se mazhoranca po shet energji me çmim katër herë më të ulët se sa e blen për shkak të kontratave që kanë firmosur më parë.

Nga ana tjetër, Partia e Lirisë ka reaguar për blerjen e 42 mije megavateve nga kryeministri Rama, blerje e cila sipas tyre ishte e panevojshme sepse në Shqipëri niveli i reshjeve është i lartë e madje i parashikueshëm nga KESH. Sipas tij, Shqipëria ka humbur 10 milion euro. 

Shirat e dendur që kanë rënë prej mbrëmjes të së shtunës kanë përmirësuar situatën hidrike dhe KESH ka shitur energji elektrike.

Postimi i kryeministrit Rama