TIRANE- Pas një ngërçi disamujor, Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur sot në orën 17:00 nga kryetari i ri Aldrin Dalipi për të miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme. Në mbledhjen e sotme, Këshilli ka miratuar dhënien e kredisë për strehimin e 679 personave që kishin aplikuar për të përfituar nga ky program social.

Gjatë mbledhjes ka pasur diskutime mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë për shpronësimin e pronarëve te Stacioni i Trenit, me fillimin e punimeve aty të Bulevardit të Ri.

Pas shumë debatesh mbi këtë të fundit, ndërkohë që banorët protestonin jashtë dyerve të bashkisë, Këshilli vendosi shtyrjen e miratimit të fondit shtesë prej 160 milionë lekësh, që nuk përkon me vlerën e çmimeve në treg për metër katror të banesave.

Por në fund këshilltarët e djathtë janë larguar nga salla pas votimit dhe miratimit të shkarkimit të të djathtëve në qarqe dhe në vend të tyre emërimin me zëvendësues të majtë.

OPOZITA LARGOHET NGA MBLEDHJA E KËSHILLIT, SHKAK KËSHILLTARËT E PD NË QARQE
Në orë të vona Këshilli Bashkiak Tiranë ka pasur debate mbi anëtarët e Këshillit në qarqe. Përfaqësuesit e PS kanë kërkuar shkarkimin e përfaqësuesve të PD, pas ndryshimit të numrave pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndërsa përfaqësuesi i PD, Ferdinand Poni këtë e ka quajtur "farsë". Ai fillimisht e ka kritikuar edhe si "ndryshim të rendit të ditës", ndërkohë që ky diskutim u la si pika e fundit e çështjeve për t'u diskutuar. “Kjo tregon sa e doni Tiranën”- ka komentuar kryetari i këtij Këshillit, Aldrin Dalipi ikjen e këshilltarëve të djathtë nga salla pas votimit dhe miratimit të shkarkimit të të djathtëve dhe në vend të tyre emërimin e zëvendësuesve të majtë.

KËSHILLI BASHKIAK MIRATON DHENIEN E KREDISË PËR STREHIMIN E 679 PERSONAVE
Në mbledhjen e sotme, Këshilli ka miratuar dhënien e kredisë për strehimin e 679 personave që kishin aplikuar për të përfituar nga ky program social.

Fillimisht u propozua nga këshilltarët e majtë, miratimi edhe i listës shtesë me 70 emra, të cilët kishin aplikuar pas publikimit të listës së parë me 679 emra.

Por këshilltarët e djathtë kanë kërkuar miratimin e listës së publikuar disa ditë më parë, ndërsa lista me emrat shtesë, sipas tyre të miratohet në një mbledhje tjetër.

Ndërsa sipas Komisionit të Ekonomisë, edhe lista me 70 emrat e tjerë që kanë aplikuar është miratuar nga drejtoritë përkatëse të minibashkisë sipas rregullores.

Pavarësisht diskutimeve, Këshilli Bashkiak miratoi dhënin e kredisë së butë për strehim për 679 personat që rezultonin në listën e publikuar disa ditë më parë.

BOZDO: LOBONI TË NDRYSHONI LIGJIN E BERISHËS PËR SHPRONËSIMET
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo propozoi miratimin sot të shpronësimeve të banorëve te Stacioni i Trenit: "Të alokojmë nga buxheti i 2013, 160 milionë lekë, që do të ndryshojnë destinacionin e do të merren nga fondi principial apo rezervave". Bozdo bëri të ditur se 1 miliard e 750 milionë lekë është vlera totale e shpronësimeve. "Urojmë të gjejmë konsensus, se kjo vepër duhet të procedojë dhe mos vonojë. Kërkojmë votim unanim, në frymën e konsensusit", tha Bozdo duke i mëshuar rëndësisë së miratimit të projektit për Bulevardin e Ri. Të njëjtën gjë kërkoi edhe një këshilltar i djathtë “Duhet të propozojmë në qeveri për të ndryshuar ligjin e shpronësimeve, që asnjë banor mos mbetet i pakënaqur”.

TË MAJTËT: PËRDERISA KA PROTESTUES, S'ËSHTË KJO ZGJIDHJA, TË VIJË BASHA
"Më duket tërësisht e papërgjegjeshme nga administrata e bashksië apo Basha qendrimi për pronarët e ligjshëm. Të dëgjohen qytetarët. Përderisa ata protestojnë 15 metra me larg, duhet te shkojne ne gjykate. Nëse duam të kemi një veto ajo s’duhet të jetë kundër popullit. Mos bëjë të shurdhërin as zoti Basha, administrata por të gjejnë rrugën me këta banorë. Ndaj fitoi Basha, qe te coje familjet tiranase, ato ne mes te Tiranes ne gjykate. Pse nuk ehste Basha ne takim,te ishte thirrur nje perfaqesi ketu dhe Basha dhe t'i degjonim?", do të shtonte një këshilltar i majtë.

BOZDO: BANORËT T'I DREJTOHEN GJYKATËS, BASHA I KA PRITUR ATA
"Nuk është e vërtetë që Basha nuk ka kontaktuar. Takime pas takimesh, me shumë vëmendje, kemi dëgjuar të gjitha pretendimet. Fokusin e kemi pasur veçanërisht në familjet. Kemi dhënë fjalën dhe realizuar që do jemi afër tyre, që të zgjidhet problemi menjëherë. I kemi marrë parasysh shqetësimet mbi çmimin. Por çmimi s’është atribut i bashkisë, apo këshillit. Vërtet që çmimi nuk përben sens, u kemi thënë t’u drejtohen gjykatës, si e vemtja mënyrë. Hera e parë që familja e bashkisë ulet me familjet që shpronësohen. Në 2010 kemi trashëguar 50 milionë dollarë amerikanë, shpronësime pa asnjë procedurë. Vendime tëdetyruar nga ne për t’i paguar, se bashkia ka humbur rastpër rasti gjithë shpronësimet. Ne hapim rrugën që kjo vepër publike mos pengohet. Gjithë Tirana ka nevojë të shohë një bulevard të ri. 700 milionë lekë vitin tjetër për shpronësimet. Shumë shumë më e madhe se ky aparat bashkie ka paguar ndonjëherë. Kushdo mund të flasë për këtë proces kur të paraqesim projekt-buxhetin.

LSI, RROKAJ: JO VENDIM QË U BËN KARSHILLËK PRONARËVE, DUHET KOHË
"Problemi më kryesor është problemi  i qytetarëve-pronarë. Nuk është në nderin e një këshilltari të marrë vendime, kur për këto vendime protestohet. Basha ka shprehur vullnetin për të gjetur gjuhën mes ligjit dhe interesave. Duhet lënë dhe pak kohë, në mbledhjen e radhës, të përpiqemi të mos marrim vendim që i bëjnë karshillëk pronarëve. Ta ndërtojmë Tiranën, por jo duke lënduar qoftë dhe pak vetë. Të përpiqemi maksimalisht. Shans bashkisë të dialogojë për gjuhën e përbashkët", ka thënë përfaqësuresi i LSI, Shezai Rrokaj.

DEBATE PËR RENDIN E DITËS
Sapo ka filluar mbledhja ka pasur debate mbi rendin e ditës, ku përfaqësuesi i PD, Ferdinand Poni ka kundërshtuar propozimet jashtë rendit të ditës. "S’është në rendin e ditës konstituimi i këshillit. Incidenti i parë i mazhorancës. Kjo fare e paparashikuar, me Këshillin me një mijë probleme.Totalisht në kundërshtim me çfarë kemi pretenduar se është cilësuar si pengesë e qartë që mazhoranca e atëhershme. Fyerje e veprimtarisë së Këshillit, të zgjedhurve vendorë. Vendim që s’duhet marrë, aq më shumë në mënyrë të nxituar", tha Poni, i cili kërkoi 5 minuta pushim.

Por kryetari i Këshillit, Aldrin Dalipi tha se "pas 5 muaj pushim nuk kemi kohë për 5 minuta pushim dhe për një braktisje nga ana juaj e mbledhjes", dhe është kaluar më pas në miratimin e rendit të ditës, i cili u miratua me shumicë votash.

ORA 17:15 VENDIMET SHTESË QË PRITEN TË MERREN
Ndër vendime të tjera të rëndësishme që pritet të merren janë miratimi i bursave për të gjithë nxënësit dhe studentët që kanë aplikuar, për shkak të rezultateve të shkëlqyera, kushteve ekonomike apo largësisë së zonës së studimit nga ajo e banimit.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, nëse këto lista nuk do të miratohen nga këshillat bashkiakë jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, fondi i vendosur në dispozicion nga qeveria digjet automatikisht.

Po ashtu, një tjetër vendim i rëndësishëm që pritet të miratojë Këshilli Bashkiak është edhe buxheti afatmesëm i Bashkisë së Tiranës për kryeqytetin.

Në listën e drafteve që Bashkia e Tiranës ka bërë gati për miratim në parlamentin vendor, është edhe lista e vendeve vakante në Bashkinë e Tiranës. Janë rreth 15 vende bosh që pritet të plotësohen.

Redaksia Online
(mag/e.s/shqiptarja.com)