LEZHE, 16 Janar/ATSH/-Kryetari i Bashkisë së Lezhës Viktor Tusha,  në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak për vitin 2015 nënvizoi eksperiencën pozitive dhe risinë që ka sjellë projekti i Zyrës me Një ndalesë në Bashkinë Lezhë.
Gjatë mbledhjes së mbajtur një ditë më parë Tusha deklaroi se "falë implementimit të suksesshëm të fazës së parë të projektit të Z1n, Bashkia e Lezhës është përzgjedhur si model për të pilotuar një tjetër projekt për qeverisjen elektronike, atë të One Stop Shop-it të Integruar në kuadër të reformës Administrativo-Terrioriale, i cili më pas do t'i propozohet Qeverisë Shqiptare për tu implementuar në të gjitha njësite e reja administrative të vendit".
Gjatë mbledhjes, këshilltari z. Gjin Pjetërnikaj propozoi një ndryshim në strukturën e Administratës duke përfshirë një sektor të ri, atë të qeverisjes elektronike, dhe duke e kaluar atë në varësi të Drejtorisë së Programit të Zhvillimit, në mënyrë që të ju përgjigjen sa më mirë nevojave të këtij projekti të ri.   Ky propozim u miratua me të gjitha votat Pro. Kreu i Bashkisë falenderoi Këshillin për bashkëpunimin e frytshëm gjatë vitit që lamë pas dhe prezantoi strukturën e Administratës së Bashkisë për vitin 2015./a.g/