TIRANE-Kreut të gjykatës së lartë Ardian Dvoranit njëherazi kryetar i këshillit të emërimeve në drejtësi i ka mbaruar mandati, por ai qëndron në detyrë pasi ende nuk është zgjedhur pasardhësi i tij. ReportTv zbardh relacionin e këshillit të karrierës pranë KLGJ-se të cilët shprehen se ‘’asnjë nga tre anëtarët e rinj të zgjedhur gjyqtarë të lartë, Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Ervin Pupe nuk zëvendësojnë mandatin e Dvoranit".

Ky relacion tashmë i është përcjellë këshillit të lartë gjyqësorë i cili pritet të marrë një vendim pas kërkesës të bërë nga presidenti Ilir Meta më 24 prill. Më herët Meta kërkoi nga KLGJ të shprehej për përfundimin e mandatit të Dvoranit, ku sipas shkresës së presidentit Dvorani qëndron në kundërshtim me ligjin në detyrë pasi i ka përfunduar mandati.

Në relacion e siguruar nga ReportTv po ashtu thuhet se për mandatin e Dvoranit më herët është shprehur edhe gjykata kushtetuese e cila e ka lënë atë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit.

Prej kohësh Presidenti Ilir Meta dhe Dvorani janë përfshirë në debat publik dhe juridik, ku aktualisht hetime po kryen edhe prokuroria e posaçme për mënyrën e funksionimit të KED drejtuar nga Dvorani në cilësinë e gjyqtarit të vetëm dhe kreut të gjykatës së lartë.

Gjykata e Lartë aktualisht ka 4 anëtarë që përbëjnë kuorumin minimal të nevojshëm për të marrë vendime në tre kolegjet e kësaj gjykate atë Penale, Civile dhe Administrative, nga 19 anëtarë që duhet të ketë. Ndërkohë pritet që me rifillimin e punës KED e cila po ashtu drejtohet nga Dvorani të bëjë propozimet për plotësimin me gjyqtarë të gjykatës kushtetuese.

Dvorani një ditë më parë pati një takim me ambasadoren e SHBA-s Yuri Kim ndërsa pritet që në fillim jave ai ti përgjigjet KLGJ-s me argumentet e tij për këtë cështje, pasi kërkoi kohë duke argumentuar se ndjen habi se si KLGJ është investuar në një proces të tillë.

(Kliko ketu per te lexuar relacionin per Dvoranin)