TIRANË - Në një mbledhje disa orëshe, Këshilli Kombëtar i Restaurimit vendosi të pezullojë punimet në fasadën e ish-hotel Dajtit, monument kulture i kategorisë së dytë i blerë nga Banka e Shqipërisë 5 vite më parë. Institucioni më i lartë financiar në vend i cili bleu godinën e ish-hotel Dajtit në një vlerë prej rreth 4 miliardë lekësh, kishte nisur punimet në këtë ndërtesë për ta kthyer në mjedise të BSH-së.

Këshilli Kombëtar i Restaurimit ka vendosur në mbledhjen e 1 qershorit në ambientet e Ministrisë së Kulturës se ish-hotel Dajti duhet të ruajë të pandryshueshme pamjen e tij të jashtme, duke i qëndruar kështu projektit fillestar të realizuar në fund të viteve ’30 nga arkitekti italian Gherardo Bosio.

“Të miratojë restaurimin e objektit "Ish-Hotel Dajti", si Monument Kulture i Kategorise  II, duke ruajtur të pandryshuar pamjet e tij të jashtme dhe duke respektuar rifiniturat, volumetrinë ekzistuese dhe të gjitha dëshmite historike të tij. Të mos miratojë të gjitha shtesat  e tjera të propozuara nga projekti brenda perimetrit të territorit të objektit”, janë dy vendimet e Këshillit Kombëtar të Restaurimit të bëra publike në një njoftim zyrtar për mediat ku theksohet se ky vendim është marre për të shpëtuar objektin e ish-hotel Dajtit nga degradimi i mëtejshëm.

Ndërtesa e ish-Hotel Dajtit është Monument Kulture i Kategorisë së dytë, dhe në këto kushte vendimi përfundimtar do duhet të merret nga Këshilli Kombëtar i Territorit. 

Vendim KKR për objektin ish-Hotel Dajti
 
Më datë 01.06.2015, në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Kulturës, u shqyrtua ndërmjet të tjerash, projekti:

"Rikonstruksioni dhe ndërtimi i objektit ish-Hotel Dajti Tiranë-Projekti i Zbatimit", me porositës Bankën e Shqipërisë.

Pas disa orësh diskutimi, të alternativave dhe të hapësirave ligjore, KKR thellësisht e shqetësuar për gjendjen e degraduar të godinës së ish-Hotel Dajtit, me synimin për të shpëtuar objektin nga degradimi i mëtejshëm, mbështetur në kompetencat dhe detyrimet ligjore të saj, vendosi:
 
1) Të miratojë restaurimin e objektit "Ish-Hotel Dajti", si Monument Kulture i Kategorise  II, duke ruajtur të pandryshuar pamjet e tij të jashtme dhe duke respektuar rifiniturat, volumetrinë ekzistuese dhe të gjitha dëshmite historike të tij.
 
2) Të mos miratojë të gjitha shtesat  e tjera të propozuara nga projekti brenda perimetrit të territorit të objektit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)