Ftesën ndaj këtij të fundit Nishani e ka argumentuar me faktin se e lejon ligji si dhe për ta bërë sa më gjithëpërfshirës këtë dokument strategjik i cili vjen për të zëvendësuar dokumentin aktual që është i hartuar dhe miratuar përpara anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe më saktë para 10 vitesh nga qeveria e drejtuar nga Fatos Nano.
Në tryezën e rrumbullakët për të disktuar për strategjinë e re të sigurisë kombëtare, në krah të djathtë të Presidentit Nishani, pas kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta ishte ulur Lulzim Basha, kreu i PD-së. Ndërsa në krah të majtë të kreut të shtetit ishte ulur kryeministri Edi Rama.
Presidenti Nishani argumentoi ftesën ndaj kreut të opozitës për ta bërë gjithëpërfshirës çështjen e sigurisë që s'ka lidhje me rrezikun akut por me procesin e një hartimi të një dokumenti për sigurinë kombëtare.
"Siguria Kombëtare, si koncept i gjerë, është gjithçka që kontribuon për mbrojtjen e kombit, si e tillë siguri kombëtare janë edhe mirëedukimi, sjellja qytetare, shkollimi zbatimi i ligjit, marrëdhënie pozitë- opozitë, siguria kombëtare e përcaktuar dhe institucionalizuar. Mbledhja e sotme nuk ka lidhje me një rrezik akut por me procesin e hartimit të një dokumenti që do të shtrijë efektet në vitet e ardhshme. Kam ftuar edhe kreun e opozitës zotin Lulzim Basha. E falenderoj dhe them se mirëpres kontributin e tij. Si President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i FA-së do të jem gjithë kohës i vendosur për të ushtruar me përkushtimin maksimal autoritetin që më jep Kushtetuta dhe ligji në fushën e sigurisë kombëtare. Në vazhdim të kësaj vendosmërie si kryetar i këtij Këshilli, duke lutur mirëkuptimin dhe angazhimin tuaj, për ta shndërruar këtë Këshill në një mekanizëm aktiv, po përgatis një program vjetor të punës së tij”, tha Nishani.
Presidenti ftoi pjesëmarrësit që të bëjnë ç’është e mundur ”për të ndarë këndvështrime sa më të përafërta lidhur me gjendjen aktuale, arritjen e problematikave, sfidat dhe më kryesorja përafrimin e sistemit tonë të sigurisë me atë të vendeve të tjera të NATO-s dhe BE-s”.
“Përgatitja e paketës ligjore të sigurisë dhe dokumenteve strategjik, deri në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Uells, në shtator të këtj viti, do të jetë një rast i mirë që të provojmë se jemi anëtarë seriozë të Aleancës, që dimë të bashkëpunojmë dhe të mirëkuptohemi”, mbylli fjalën e tij para Këshillit të Sigurisë, Presidenti Nishani.
KUSH ISHIN TE PRANISHEM
Të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, ministri për Marrëdhëniet me Pushtetin Vendor Bled Çuçi, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ministri i Transportit Edmond Haxhinasto, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Jeronim Baze, drejtori i SHISH Visho Ajazi Lika, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, Kryeprokurori Adriatik Llalla, kreu i PD-Së Lulzim Basha dhe kryetarja e Komisinit të Integrimit Majlinda Bregu.
MBLEDHJA ZGJATI ME SHUME SE 1 ORE
Mbledhja e cila u zhvillua në ambientet e Presidencës, nisi rreth orës 10:30 minuta dhe pas fjalës së Nishanit vazhdoi me dyer të mbyllura deri rreth orës 11: 50 minuta. Në këtë tryezë ka raportuar ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ministria e Jashtme, Ditmir Bushati. Pas tyre sipas burimeve bëhet me dije se ka folur Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
ISH- KESHILLTARI I SIGURISE, ILIR KULLA: BASHES S'I TAKONTE TE ISHTE ATY
Ilir Kulla, analist por dhe ish këshilltari i Sigurisë së Ish presidentit Bamir Topi në një bisedë në studio për A1 Report, tha se “Bashës nuk i takonte të ishte i ulur në atën tryezë”. “Nuk besoj se e kanë pritur mirë në një vend ku Zoti Basha nuk i takon të jetë”- thotë Kulla.
DOKUMENTI I STRATEGJISE SSK 2014
Nishani gjykon sa hartimi i strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, të jetë gjithëpërshirës. Nishani kërkon që në formulim të përfshihen edhe përfaqësues nga partnerët strategjikë të vendit tonë, si nga struktura të specializuara të NATO, BE, SHBA, Kosova e ndonjë vendi tjetër. Po ashtu mund të merret mendimi i organizmave të specializuara në këtë fushë si Qendra “Marshall”, Kolegji i NATO-s në Romë, apo Instituti i Studimeve Strategjike të BE-së, etj. Kërkon gjithashtu dhe hapjen e një ëebsite ku të ketë shkëmbim informacioni. Ndërsa sa i takon Reformës së Mbrojtjes thotë se duhet të paraprihen dhe mbështeten me ndryshimet përkatëse ligjore. Si dhe struktura e re e FASH të mos konsiderohet vetëm si një shkurtim numrash për të kaluar në 8500 vetë në vitin 2015, por në radhë të parë ajo duhet të adresojë organizimin më të përshtatshëm të kapaciteteve operacionale të nevojshme.
JA PIKAT KYCE
“Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë
-Ky dokument ndryshe nga dokumentet paraardhës, do të formatizojë ‘de jure’ modelin e sigurisë kombëtarë në kuadrin e sigurisë kolektive të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
-Të kemi një përfshirje sa më të gjerë politike dhe të adresojë reforma të gjithë-pranuara në institucionet e Sektorit të Sigurisë së vendit tone.
-Të reflektojë shqetësimet e gjithë shoqërisë shqiptare dhe grupeve të interesit për sigurinë kombëtare
-Në formulim të përfshihen edhe përfaqësues nga partnerët strategjikë të vendit tonë, si nga struktura të specializuara të NATO, BE, SHBA, Kosova e ndonjë vendi tjetër. Po ashtu mund të merret mendimi i organizmave të specializuara në këtë fushë si Qendra “Marshall”, Kolegji i NATO-s në Romë, apo Instituti i Studimeve Strategjike të BE-së, etj.
-Ndërtimi i një platformë komunikimi dhe angazhim aktiv sa më efektiv me publikun gjatë gjithë procesit të formulimit të SSK 2014. Të hapet një ëebsite për shkëmbime aktive online të gjithë ekspertëve dhe qytetarëve. Ky ëebsite und të hapet në faqen e Ministrisë së Jashtme, si drejtuese e procesit.
- Sipas fazave dhe çështjeve themelore të dokumentit, mund të ftohet media e shkruar dhe vizive për një debat të hapur publik, e cila do të ndihmojë në prodhimin e një dokumenti të shëndetshëm.
SSK-2014 duhet të shoqërohet me një Plan Veprimi me masa për të gjitha institucionet e shtetit, afatet e zbatimit të tyre, si dhe resurset përkatëse.
Përsa i përket “Reformës së Mbrojtjes”:
-Reformat e mbrojtjes duhet të paraprihen dhe mbështeten me ndryshimet përkatëse ligjore. Reformat duhet të fillojnë pas ndryshimeve ligjore dhe jo e kundërta.
-Mendoj se duhet të arrihet një mbështetje më e gjerë politike dhe publike për reformat e mbrojtjes.
-Vlerësoj se krahas përpjekjeve për formulimin e Strategjisë së Sigurisë së RSH-së, duhet të përgatiten edhe dy dokumentet strategjikë të reformës së mbrojtjes: Strategjia Ushtarake dhe Plani Afatgjatë i Zhvillimit (PAZH). Këto dokumente mund të zhvillohen sipas nivelit të hierarkisë së tyre nga lart poshtë (pra në fillim SSK, pastaj SU, pastaj PAZH), ose me grupe pune paralele duke shkëmbyer informacion në kohë reale.
-Vëmendje kryesore duhet t’i kushtohet zhvillimit të kapaciteteve prioritare për përmbushjen e misionit të FASH.
-Duhet të rishikohet struktura e Forcave të Armatosura bazuar në konceptin e ri të mbrojtjes strategjike të vendit të bazuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes RSM-2013.
-Gjykoj që struktura e re e FASH të mos konsiderohet vetëm si një shkurtim numrash për të kaluar në 8500 vetë në vitin 2015, por në radhë të parë ajo duhet të adresojë organizimin më të përshtatshëm të kapaciteteve operacionale të nevojshme për përmbushjen më cilësore të misionit të FASH.
-Vlerësoj se modernizimit të forcës duhet t’i jepet një vëmendje e veçantë në strukturën e re të FASH.
-Jam dakord që sistemi i Arsimimit, Trajnimit, Stërvitjes dhe Vlerësimit të FASH kërkon një reformim të kujdesshëm.
-Mendoj se reformave të mbrojtjes në planin afatmesëm duhet tu alokohet një mbështetje financiare e pranueshme. Menaxhimin me kujdes maksimal të çështjeve sociale të reformës se mbrojtjes. Zbatimi i ligjeve në fuqi për personelin ushtarak dhe civil që del në reformë është një element social që duhet të shoqërojë reformën e mbrojtjes.
NISHANI “BASHKON” RAMËN, BASHËN DHE AJAZIN E SHISH-IT
"Takimi pritet të jetë i tensionuar, jo vetëm për shkak të ftesës për pjesëmarrje të kreut të PD-së dhe të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, por dhe për shkak të situatës së sigurisë në vend, moskomunikimit ndërinstitucional dhe konkretisht mosdhënies së informacioneve të SHISH për veprat e terrorit, pa përjashtuar dhe ndonjë përplasje për përgjimet që Visho Ajazi ka bërë ndaj policisë, politikanëve e ministrave. "- shkruante sot Shqiptarja.com (print)
Nga pikëpamja ligjore ftesën dërguar Bashës, ai e argumentoi se ligji parashikon të drejtën e Presidentit, si kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që përveç anëtarëve, në varësi të rendit të ditës të ftojë edhe ministra që s’janë anëtarë Këshilli, kryetarë komisionesh kuvendore e drejtuesish institucionesh. Për Nishanin, kjo do jetë mbledhja më e rëndësishme në 10 vitet e fundit, e kjo është një arsye pse është i ftuar edhe Basha, që ka shprehur qëndrimin, se situata e krimit në vend është përkeqësuar muajt e fundit.
Shqiptarja.com paralajmëron një debat të garantuar, që mund të ngrejë së tepërmi “sentimentin” e takimit, për shkak të ngjarjeve të fundit me epiqendër kreun e SHISH Visho Ajazi Lika, i cili në vend që të informonte për situatën e krimit dhe akteve terroriste në vend, shpërndante qarkore në drejtoritë rajonale për përgjimin e drejtuesve të rinj të Policisë së Shtetit, por dhe përgjimin e kreut të Sigurisë në Kuvend, Braho, drejtuesve të Doganave dhe Tatimeve, si dhe ministrave kryesorë, të bëra publike dhe nga “Shqiptarja.com”.
Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)