Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka shpallur qytetin e Delvinës pasuri kulturore të paluajtshme, në kategorinë “Ansambël Arkitektonik Urban”.

Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Duke vlerësuar rëndësinë e veçantë historike, arkitektonike dhe urbanistike të këtij qyteti, si dhe duke synuar mbrojtjen, ruajtjen, konservimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore”, shkruan Gonxhja.

Ai thekson se nëpërmjet këtij statusi synohet jo vetëm ruajtja e identitetit historik dhe kulturor të qytetit, por edhe nxitja e zhvillimit të turizmit kulturor, promovimi i ndërhyrjeve restauruese dhe rritja e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e trashëgimisë kulturore si një aset i çmuar kombëtar.

E vendosur mbi një pllajë malore, Delvina ndodhet në qendër të rrugëve kryesorë të jugut. Pranë detit në verë, por edhe pranë borës në dimër, qyteti është një destinacion i shkëlqyer turistik në çdo kohë të vitit.