Shumë shpejt priten risi për ministren Diella. Kryeministri Edi Rama tha në çeljen e edicionit të dytë të panairit MatchMaker Albania se ministrja e parë në botë e Inteligjencës Artifciale do të rikthehet në vëmendje, por nuk u zbuluan surpriza.

“Jemi krenarë që jemi vendi i parë që i kanë lënë hapësirë edhe në qeveri një ministreje të inteligjencës. Po bëhet gati të kthehet sërish në vëmendje me disa lajme të mira. Dixhitalizimi për ne përfaqëson bekim si për shumë vende që në zhvillim sepse është një mundësi unike për të kapërcyer përpara dhe për të mbyllur hendeqe historike që tjetërsoj nuk do të mund të mbylleshin në afatin kohor të një brezi apo dy”, tha Rama.

Në kohën kur Diella u linçua në publik si Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, kryeministri Rama ka thënë vazhdimisht se “familja” teknologjike e Diellës do të zgjerohet dhe se teknologjia do të implementohet më gjerësisht në sektorë të ndryshëm.

Rama tha se Shqipëria sot është një vend ku po ndodhin disa prej ndryshimeve më të mëdha.

“Sot Shqipëria reflekton kohën e botës. Panairi botëror në Berlin, tregon që Shqipëria është një vend që të gjithë duhet ta shohin dhe të hidhen e të bëjnë sikur s’ka të nesërme. Gati të mirëpresim, të ofrojmë, të lidhim bizneset, njerëzit, ambiciet”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri shtoi se po përgatiten për disa investime të rëndësishme:

“Synojmë të promovojmë jo vetëm destinacionet turistike të Shqipërisë, por turizëm të një niveli tjetër të të kuptuarit dhe kujdesurit për qëndrueshmërinë”, tha Rama.

Një prej këtyre investimeve vjen nga Gjermania pasi kryeministri bëri me dije se shumë shpejt do të hapet pika e parë e rrjetit të supermarketeve LIDL.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se turizmi dhe zhvillimi urban përfaqësojnë një nga potencialet më të mëdha të vendit duke krijuar hapësira të konsiderueshme për investime strategjike. Ministrja tha se Shqipëria ofron një paketë konkurruese fiskale për investitorët, veçanërisht në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe në parqet e inovacionit.

Ndërsa ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha se pjesëmarrja e Shqipërisë në tregjet rajonale pasqyron hapa konkretë në një mjedis konkurrues e transparent.

“Shqipëria po pozicionohet si një portë e besueshme e shkëmbimit energjetik. Ne synojmë të zgjerojmë kapacitetin e prodhimit dhe që Shqipëria të jetë eksportuese e energjisë neto në 2030. Po hyjmë në një kapitull ku teknologjia e inovacioni janë në themel të strategjisë energjetike. Automatizimi po transformon mënyrën si energjia prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet. Investimet në energji mbështeten te besimi dhe forcojmë sigurinë juridike. Angazhimi ynë është të ofrojmë parashikueshmëri”, tha Karakaçi.

Gjithashtu, edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, mbajti një fjalë duke e vënë theksin te rishikimi dhe reformimi i legjislacionit për turizmin.

Panairi MatchMaker Albania është një platformë biznesi që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase dhe ndërkombëtare, me mbi 1000 pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:10
MatchMaker Albania 2026, Ibrahimaj: Shqipëria në fokus të investitorëve ndërkombëtarë

1773152648_delinaibrahimaj.jpeg

Nën kujdesin e Kryeministri Edi Rama dhe Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, nisi edicioni i dytë ndërkombëtar “MatchMaker Albania 2026”, platforma më e madhe në vend për lidhjen e investitorëve ndërkombëtarë me projekte konkrete zhvillimi, organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se “MatchMaker Albania” është tashmë një platformë e konsoliduar për dialog ekonomik dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke lidhur drejtpërdrejt investitorët me sektorët prioritarë të zhvillimit.

Ministrja nënvizoi se struktura e këtij viti, e organizuar rreth katër shtyllave strategjike, zhvillimi urban dhe turizmi, bujqësia moderne, ekonomia digjitale dhe energjia, e orienton konferencën  drejt rezultateve konkrete dhe investimeve të zbatueshme.

“Flukset e Investimeve të Huaja Direkte  kanë arritur në rreth 1.64 miliardë euro, ndërsa stoku total ka arritur në rreth 17 miliardë euro, duke reflektuar rritjen e besimit të investitorëve. Në të njëjtën kohë, Prodhimi i Brendshëm Bruto është dyfishuar në dekadën e fundit, duke arritur mbi 26.7 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa investimet strategjike kanë tejkaluar 6 miliardë euro dhe kanë gjeneruar dhjetëra mijëra vende pune”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo theksoi se ky transformim mbështetet në përmirësimin e klimës së biznesit, në avancimin e digjitalizimit dhe në stabilitetin makroekonomik.

“Sot, mbi 1,200 shërbime publike ofrohen online, duke gjeneruar rreth 620 milionë euro kursime dhe duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për qytetarët dhe bizneset, ndërsa borxhi publik është ulur në rreth 53% të PBB-së, duke garantuar një mjedis të qëndrueshëm për investime”, shtoi Ministrja.

Në këtë kontekst, tha ajo, Shqipëria ofron një paketë konkurruese fiskale për investitorët, veçanërisht në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe në parqet e inovacionit.

Ministrja nënvizoi se këto zona ofrojnë tatim 0% mbi fitimin për aktivitetet inovative për një periudhë deri në 15 vite, përjashtime nga TVSH për pajisje dhe shërbime, si dhe përjashtime nga taksat e infrastrukturës dhe pronës për periudha të gjata.

Duke u ndalur te sektorët prioritarë, ministrja theksoi se turizmi dhe zhvillimi urban përfaqësojnë një nga potencialet më të mëdha të vendit, me mbi 12 milionë vizitorë të huaj në vit, çka krijon hapësira të konsiderueshme për investime në infrastrukturë dhe shërbime.

Ora 13:31
Rama u bën ftesën investitorëve: Provoni rakinë, do ju sjellë në qejf dhe s'do të vuani për problemet tona

Në takimin me investitorët ndërkombëtarë, kryeministri Rama bëri edhe një batutë me ta duke i ftuar të provojnë rakinë që Shqipëria t’ju duket më e mirë dhe të harrojnë problemet e saj si korrupsioni apo krimi i organizuar.

“Sot në stendën ‘Takohu me qeverinë’ do të gjeni pak raki, edhe pse nuk është më e nevojshme për t’ju dhënë entuziazëm kur vini në Shqipëri, provojeni, do t’ju bëjë që Shqipëria t’ju duket edhe më e mirë, por efekti më i madh dhe më i shkëlqyer i saj është që do t’i sjellë të gjithë në qejf e të mos vuajnë artificialisht për këtë problemin tonë, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Rama.

Ndërsa po përfundonte fjalën e tij, kryeministri Rama falënderoi investitorët gjermanë duke dhënë edhe lajmin se shumë shpejt, hapet edhe pika e parë e rrjetit të supermarketeve LIDL.

“Njerëzit e LIDL që janë këtu, po punojnë me ne dhe shpejt do të çelin mjedisin e tyre të parë, objektin e tyre të parë dhe ashtu siç më thotë dikush, kur vijnë gjermanët, vërtet je në një nivel tjetër”, tha Rama.