“Qytetet tona janë të mbushura me ndërtesa, edhe këtu në qendër të Tiranës, që kanë ngelur vetëm një zhguall dhe nuk ka mbaruar kurrë. Ligji deri dje u kërkonte bashkive që të vinin një gjobë modeste për shtyrje të lejes ndërkohë që mund të vazhdojnë me 20-30 vjet të ngelen një zhguall bosh në mes të qyteteve që na kanë shëmtuar disa qendra qytetesh. Qeveria ka marrë parasysh propozimin tonë për t’i vënë ekuivalenten e 30 % të taksës së pronës këtyre ndërtesave në momentin që ka mbaruar leja. Pra fillon paguhet taksa e pronës dhe të paktën e dimë që mund të vazhdojë edhe 100 vjet zhgualli bosh në mes të qytetit, por për sa kohë që bashkia po e takson si një pronë efektive të paktën do të incentivohet dikush që ta mbarojë në kohë, ta shesë apo të zhvillohet prona deri në fund dhe të mos kemi këto anomali, kështu që edhe kjo zgjidhet”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj preku edhe çështjes e taksës së pronës, ku propozoi taksim progresiv për bizneset, ndërsa sqaroi se kjo pikë nuk do të prekë qytetarët e thjeshtë.
“Tek familjarët kjo nuk ndryshon, s’ka asnjë efekt, por tek bizneset dhe këtu vetëm këtë po flas politikisht se unë jam socialist dhe siç aplikohet në Bashkinë e Tiranës, ai që ka më shumë do paguajë më shumë. Pra milioneri që bën pallate do paguajë më shumë se sa ai që ka një furrë buke. Pra, ne na rezulton që për bizneset e mëdha, që kanë prona që sipas indeksit të hipotekës metri katror vlen më shumë se sa 3 milionë lekë, këta po marrin zbritje. Nuk është e ndershme. Do t’i kërkoj edhe zotit Braçe që drejton Komisionin parlamentar të Ekonomisë që ta adresojë. Propozimi ynë konkret është që jetë 0.25%, që të mos kenë bashkitë efekt negativ kur vjen puna për bizneset. Çdo gjë nën 0,25% taksë prone të vlerës praktikisht dëmton bashkitë dhe i jep një bonus të pa kërkuar bizneseve ultra të mëdha”, theksoi Veliaj.
Një tjetër nismë e cila do të gjenerojë më shumë të ardhura për bashkitë, por njëkohësisht do të nxisë më shumë projektet për thithjen e investimeve si pasojë e ndryshimit të mënyrës së shpërndarjes së tatimit mbi të ardhurat, pa rënduar qytetarët.
“Fakti që për herë të parë bashkitë do të marrin 2 % të tatimit të të ardhurave që gjenerohen në atë bashki është një lajm shumë i mirë. Sot që bashkitë do të marrin qoftë edhe këtë përqindjen modeste nga tatimi i të ardhurave, pra tatimi i të ardhurave nuk ndryshon por mënyra se si shpërndahet, një pjesë shumë e vogël, modeste i shkon bashkive. Kjo do të thotë që çdo kryetar bashkie automatikisht do të incentivohet për çdo vend pune që do të krijohet në atë bashki sepse do të marrë 2 % e tatimit të të ardhurave. Pra në njëfarë mënyre do të fillojë një garë e shëndetshme e 61 kryetarëve për të tërhequr sa më shumë biznese që të instalohen në territorin e tyre administrativ, duke i parë hajrin, e thënë në gjuhën popullore, në mënyrë direkte çdo vendi pune që krijohet në atë njësi administrative. Kjo do të thotë që edhe gara për zona të lira ekonomike, për hapësira që ofrojnë lehtësi fiskale, lobim qoftë edhe jashtë vendit”, tha ai.
Kreu i Bashkisë komentoi edhe për një zhvillim tejet pozitiv sikurse është Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, i cili ka rezultuar tepër pozitiv për transformimin e njësive vendore që i nxit njësitë vendore të konkurrojnë me projekte.
“Besoj që të gjithë ne jemi dakord që ne duam dhe avokojmë që ky fond të vazhdojë. Ka qenë një mënyrë kompetitive me të cilat bashkitë garonin në bazë të projekteve. Do të duhet të avokonim rëndësinë e projektit dhe masën e publikut që përfiton nga këto projekte, por teksa po diskutohet roli i FZHR-së jemi këtu që ta avokojmë. Patjetër asnjë instrument nuk është perfekt. Unë shpesh herë kam pasur debate brenda FZHR-së sepse që qyteti apo bashkia që ka 1/3 e popullsisë meriton edhe 1/3 e fondeve, por ky është debat luksi në momentin që të paktën e kemi këtë instrument që tashmë i ka vënë bashkitë në një garë të paktën për të prodhuar ide në mos për të prodhuar financa që i paguajnë 100 % këto ide”, tha Veliaj.
Rritja e transfertës së pakushtëzuar tha Veliaj, është po ashtu një hap shumë pozitiv çka do të ndikojë padyshim në shëndoshjen e situatës financiare të NJQV. “Një nga vlerësimet më pozitive dhe besoj që këtu jemi unanim të gjithë kryetarët e bashkive, ka të bëjë me rritjen e transfertës së pakushtëzuar në 1 % të PBB-së. Do të thotë që secila bashki në bazë të formulës ka një mundësi më të madhe për të financuar nevoja e veta”, u shpreh ai.
Kreu i Bashkisë deklaroi se do t’i kërkojë qeverisë kalimin e kompetencave për dhënien apo heqjen e licencave të kategorisë C nga njësia qendrore tek njësitë vendore, për të garantuar një efektshmëri dhe zgjidhje të shqetësimit të qytetarëve.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO










