Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk merr vendime, derisa të zgjidhen anëtarët e rinj. Nga 9 anëtarë që ka këshilli në total, 6 prej tyre janë me mandat të mbaruar. Luljeta Minxhozi, anëtare dhe zëvendësguvernatore e parë, Suela Popa, Edlira Luçi, Ridvan Bode, Artan Hoxha dhe Violeta Staka, që janë emëruar në vitin 2018, aktualisht janë me mandat të përfunduar.
Për këtë arsye edhe pse Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mund të mblidhet, nuk mund të marrë vendime, derisa të plotësohet me anëtarët e rinj.
Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, ku pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Këshilli Mbikëqyrës.
Aktualisht Kuvendi ka shpallur 3 vakanca dhe pritet të nisë sot seancat dëgjimore me kandidatët e vetofruar, ndërsa 3 propozime do të bëhen nga qeveria.
Mes kandidaturave janë edhe 3 nga anëtarët që u ka mbaruar mandati, Violeta Staka, Luljeta Minxhozi e Artan Hoxha. Ndërkohë në garë për të hyrë në Këshillin Mbikëqyrës është edhe ish kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Komente








