Këshilli për Legjislacionin zhvilloi sot mbledhjen e radhës për të shqyrtuar dy vendime të Gjykatës Kushtetuese për zhbërjen e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit në nisje të legjislaturës së re në shtator dhe për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj në fjalën e tij, tha se qeveria, konkretisht Ministria e Financave, duhet të bëjë ndryshimet e nevojshme në sistemin e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët dhe se duhet të futet në dialog me institucionet e drejtësisë për të vendosur një ekuilibër ndërmjet pagës së magjistratëve dhe pagave të tjera në sistem.

“Reforma në drejtësi i dha një status të veçantë edhe nga pikëpamja financiare magjistratëve, për t’i dhënë më shumë mundësi këtij angazhimi specifik, këtij misioni që ushtrojnë gjyqtarët dhe prokurorët në republikën e Shqipërisë. Në fakt, ka një të vërtetë, iniciatorë për ndryshimin e pagave gjithmonë ka qenë ministria e Financave. E ndoshta ky është një moment për të reflektuar më mirë ministria e Financave, në politikën që ajo harton në këtë fushë dhe ndryshimi që ka të bëjë, është që së pari qeveria të hyjë në një dialog me përfaqësuesit në institucionet e drejtësisë për të zgjidhur një ekuilibër shumë më të mirë se deri tani ndërmjet pagës së magjistratëve dhe pagave të tjera në sistem.

Në hierarkinë e pagave, duhet të jetë një gjë normale në përputhje me statusin e tyre, me të drejtën që ligji u ka dhënë por edhe në përputhje me mundësitë që ka shoqëria në këtë moment të zhvillimit të saj dhe krahasuar me standardet ndërkombëtare dhe standardet e rajonit në këtë fushë duke mbajtur në konsideratë faktin që pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri janë më të lartat në rajon. Është e nevojshme që të vendoset edhe një ekuilibër i pagave brenda sistemit, sepse ç‘është e vërteta ka një shpërpjesëtim edhe të pagave brenda sistemit. Duhet të ketë një shikim të kujdesshëm por edhe një dialog ndërmjet qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, ndoshta edhe me prezencën e Kuvendit. Për një zgjidhje përfundimtare, të qartë, që në vijim indeksimi të jetë normale. Ka nevojë për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Xhafaj.

Kushtetuesja i ka dhënë afat qeverisë deri në muajin korrik për të bërë ndryshimet e nevojshme në sistemin e pagave për gjyqtarët e prokurorët, pasi rritja që kishte miratuar qeveria në vitin 2023 (rroga bazë sa 36% e pagës së presidentit), u konsiderua si ulje nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Gjykatës, Kuvendi duhet të përcaktojë tani një formulë apo referencë të re, që duhet të reflektojë rritje nga pagat aktuale.

Për sa i përket vendimit për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, ku qeveria rikompozoi të gjithë arkitekturën e komisioneve të përhershme parlamentare, duke shtuar numrin nga 8 në 11, diskutimet ishin po të njëjtat me opozitën që thotë se nuk patën mundësi të jepnin mendimin e tyre apo të bënin propozime dhe mazhoranca që thotë se të gjitha hallkat u respektuan.