Këshilltari i Jakomonit në pushtimin
fashist: E dua shumë Shqipërinë 

Këshilltari i Jakomonit në pushtimin<br />fashist: E dua shumë Shqipërinë 
Kjo gazetë italiane me tirazh të madh, organ i afërt me Konfindustrinë, këtë ditë botonte artikullin "Vitin e ardhshëm 60 miliardë ndihma italiane për Shqipërinë".
Ai fillonte me fjalët "Kriza kaloi. Vendi tashmë është në konsolidim të institucioneve demokratike, por angazhimi italian për rilindjen e Shqipërisë nuk rri mbrapa dhe mbetet vazhdimisht i përqendruar në ristrukturimin e forcave të rendit dhe në organizimin e burgjeve".

Më pas artikulli shkruante se "një listë e projekteve dhe ndërhyrjeve do të diskutohen më 15 shtator në Romë në takimin që Romano Prodi do të bëjë me udhëheqësin shqiptar Fatos Nano".

Ndërkohë këtë ditë "La Gazzetta del Mezzogiorno", me redaksi qendrore në Bari, botonte programin e plotë të “Fiera del Levante” (Panairit të Lindjes), përfshi edhe ato të datës 16, në të cilën qe "Dita e Shqipërisë".
Në të thuhej se do të merrte pjesë dhe fliste edhe kryeministri shqiptar Fatos Nano.
 
Vajza e Sali Berishës kuron në Romë fëmijën e saj të porsalindur
 

Lajmi se ish-ambasadori kishte filluar më në fund të bënte zyrtarisht dorëzimet e detyrës u prit në mjediset e diplomatëve me një shpërthim të përfoljes. Shkak kryesor nuk ishte vonesa e tij në kryerjen e këtij veprimi, e gjykuar si një mënyrë për të shtyrë edhe pesëmbëdhjetë ditë të tjera dhe përfituar pagesën në dollarë, por sepse Ishi për disa ditë rresht u mbyll në një nga zyrat e katit të parë të ambasadës dhe e seleksionoi, pa e parë kurrkush, të gjithë arkivin e institucionit. Vitet e fundit ai e kishte mbajtur atë në zyrën e vet, duke e justifikuar me mungesën në ndërtesë të një dhome të përshtatshme.
Në fund të orarit zyrtar, ndërsa po ktheheshin për në apartamentet e tyre në Viale Eritrea, Topalli zbuloi një sekret të ri nga jeta e ish-ambasadorit. Ai tha me zë të veshur nga misteri se Ishi kishte hyrë disa herë në repartin e maternitetit të një spitali të dëgjuar të Romës, Xhemeli (Gemelli),  në të cilin ishte shtruar vajza e presidentit të asaj kohe, Sali Berisha.

Kur nisi ta rrëfente më hollësisht gjithçka përfundoi në një thelb të thjeshtë: e bija e Sali Berishës kishte lindur një vajzë, e cila shumë shpejt pati pasur disa probleme me shëndetin. Atëherë i ati e kishte dërguar në Romë për ta kuruar, ndoshta ca më shumë se si kryekonsull punonte krushku i tij. Ardhja e vajzës së Presidentit pati shkaktuar menjëherë gatishmëri të lartë tek punonjësit e misionit, por sidomos tek ambasadori.
Ndërsa fëmija dhe e ëma u shtruan në Xhemeli dhe, në prani edhe të një mjekeje të ardhur posaçërisht nga Shqipëria, nisi kurimi, ky kishte lënë çdo punë tjetër dhe shkonte në maternitet.

Kur Topalli përfundoi rrëfimin, ndërhyri Poeti dhe shtoi se ngjarjes i mungonin edhe disa hollësi të tjera. Vajza e Berishës, kur ishte shtatzënë, kishte qenë me studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur i erdhi koha për të lindur i ati i pati kërkuar të kthehej në Shqipëri e të lindte aty. Kështu edhe ndodhi. Por fëmija kur u bë disa muajsh pati disa shqetësime me rruazat e gjakut, kryesisht diagnozë që nuk kurohej dot në Tiranë.

Gjer tek dera e hyrjes së tyre numër 34 dhe më pas edhe në radhën e zakonshme për t'u ngjitur në apartamente nëpërmjet ashensorit, diplomatët shqiptarë më shumë nuk folën. Poeti qe edhe ca më shumë i heshtur. Ai njihej nga afër me familjen e Sali Berishës, por në Xhemeli kishte shkuar vetëm njëherë. Atje kishin pirë një kafe nga aparatet automatikë të vendosur në hollin e madh të katit dhe vetëm kaq.

Në ato pak çaste të pirjes së kafes vajza e Sali Berishës la të kuptonte se interesimi i tepërt i ambasadës e shqetësonte. Në të vërtetë vuri pak buzën në gaz dhe përdori shprehjen "përkujdesje e tepruar". Më pas zgjodhi fjalët "nuk ka nevojë të vini kaq shpesh".
Pas pak kohe fëmija e kaloi krizën dhe u shërua plotësisht. Edhe vajza e Berishës, duke u munduar të binte sa më pak në sy, u kthye në Shqipëri.
 
Prag incidenti për shkak të diplomatit shqiptar që po tentonte t’i vidhte shtetit shqiptar dhjetë apartamente në mes të Romës
 

Në mesditë i Ngarkuari me Punë filloi ciklin e thirrjeve një nga një në zyrë. Në fillim hyri Diplomati i Dytë, pas tij i Treti dhe në fund Syri i Qelqtë.
Qe rrahur tema e dhjetë apartamenteve që fantazma e diplomatit të kohës së komunizmit, Karagjozit, po vazhdonte të këmbëngulte. Kjo mund të shkaktonte ndonjë incident dhe krejt befas të binin preh e shtypit. Kandidatët për blerjen e tyre mund të trokisnin nëpër dyert e banesave. Kjo duhej parandaluar sa më urgjentisht.
Rreth orës 13.30 në sekretarinë e Ambasadës, me qëllim që të postohej menjëherë, u mbyll një zarf me këtë përmbajtje:
"Nën vëmendje të zotit Camillo G...!
Në vijim të letrës Tuaj drejtuar Ambasadës sonë ju informojmë:
Apartamentet (10) të vendosur në Viale Eritrea, 34, Roma, i përkasin me të gjitha të drejtat civile Shtetit Shqiptar. Apartamentet janë blerë në vitin 1966 prej zotit A. Karagjozi., me autorizimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për llogari të Shtetit. Paratë janë marrë nga Banka e Shqipërisë. Duke qenë se Ambasada nuk mund të bënte shitje-blerje pa një emër personi, i gjithë operacioni u intestua në emrin e tij. Ky rregull është i njohur edhe Konventa Diplomatike dhe Konsullore e Vjenës e vitit 1961 dhe është veprim që e kryejnë të gjitha përfaqësitë diplomatike në botë. Kështu më 1966 zoti A. Karagjozi ka marrë "në besë" nga Shteti ynë të ketë të drejtën e pronarit për këto banesa.
Në emër të Ambasadës dhe të Shtetit Shqiptar konfirmoj se të gjitha operacionet e kryera për apartamentet e Viale Eritrea 34 nuk janë të vlefshme. Bëhet fjalë për një spekulim, gjë që do të ndiqet nga ana jonë me rrugë gjyqësore...".
Ndërsa zarfi po bëhej gati të dërgohej në postë me një nga shoferët, Topalli tregoi një nga të fshehtat e reja të ish-ambasadorit: ky kishte gjetur një shtëpi në plazhin e Ostias, në periferinë bregdetare të Romës, ku do të vendosej bashkë me familjen. 
Lajmi shkaktoi përfolje të menjëhershme jo sepse ish-i nuk do të kthehej në Shqipëri. Ai nuk do të qe, duke filluar prej vitit nëntëdhjetë, as ambasadori dhe as diplomati i parë shqiptar që, pas përfundimit të misionit, nuk kthehej në vendin e tij. E vërteta që kishte qarkulluar gjer atëherë qe se ish.
Topalli ndërkohë shtoi se banesa e siguruar, një vilë e vogël, ku ndonjë dhomë nuk dukej se ishte në gjendje të mirë, i qe dhënë gratis.
 
Shfaqet këshilltari i mëkëmbësit mbretëror të pushtimit fashist, Françesko Jakomonit: E dua shumë Shqipërinë
 
Kishte mbi një gjysmë ore që telefoni nuk po e klithte zilen dhe Diplomati i Parë më në fund ndihej i zhytur në raportin ditor. Pas pak u ngrit dhe shkoi drejt dritares së hapur dhe prej ku, përtej pamjes së përhershme të lëvizjes së makinave, mbi rrugën dhe afshin e saj, niste parku i Vilës Leopardi, një hapësirë e vogël, por e mbushur me gjelbërim.
Befas kuisi telefoni. U rikthye tek tryeza e punës dhe ngriti dorezën. U dëgjua zëri i Annamarisë: Alooo! Diplomati i Parë vuri buzën në gaz. Shefja e zyrës së marrëdhënieve me jashtë të Fiera del Levante herë pas here e linte mënjanë mënyrën italiane të thirrjes telefonike, e cila përdorte fjalën "pronto".
I tha se atë ditë e kishte telefonuar nga Roma një mik i vjetër, të cilin ajo e thërriste "ministër". Ja shqiptoi emrin: Nikola Lo Ruso Atoma. Shumë vite më parë pati qenë përfaqësues i Ministrisë së Jashtme Italiane pranë këshillit administrativ të Fiera del Levante.

Pastaj Annamaria, pa e rrënuar zërin e saj ngazëllimtar, nisi ta shpjegonte ngjarjen më hollësisht. Ministri Lo Ruso Atoma ishte me origjinë nga qyteti i Barit, por që i ri jetonte në Romë, ku edhe karrierën e kishte nisur duke ja kushtuar veprimtarisë diplomatike. Tashmë, shtoi Annamaria, ai është në pension, madje ka mbushur plot 92 vjet.
Nikola Lo Ruso Atoma kishte qenë ndihmës i guvernatorit Jakomoni, i njohur në fillim të viteve dyzetë si mëkëmbësi i Mbretit italian në Shqipëri. Madje ishte pikërisht ky nëpunës i lartë, i cili i kishte siguruar një bursë studimi edhe piktorit të njohur shqiptar Ibrahim Kodra, prej një gjysmë shekulli banues në Milano.
Lo Ruso Atoma e kishte marrë në telefon për të ditur se si po shkonin punët me aktivitetin "Dita e Shqipërisë". Lajmin e kishte lexuar nëpër gazeta dhe e dinte saktësisht edhe datën: 16 shtator.

Pastaj Annamaria shtoi edhe hollësinë e fundit. Diplomati i vjetër herë pas here e telefononte për ta pyetur se si shkonin punët e bashkëpunimit me Shqipërinë. Këmbëngulës ai bëhej veçanërisht sa herë që ajo kthehej nga ndonjë vizite pune në Tiranë. Atëherë nuk mjaftonte edhe një bisedë gjysmë orëshe. Donte t'i dinte të gjitha, ndryshimet e rrugëve, fatin e shesheve të njohura, pallatet e reja që ishin ngritur, shirat dhe vapën e Tiranës.  

Diplomati i Parë u nda me Annamarinë dhe e hodhi vështrimin në gjelbërimin e parkut të Vilës Leopardi. Atë 8 shtator Roma iu duk më e bukur se kurrë. Kjo do të ishte edhe dita kur në orën 21.00 televizioni Canale 5 do të transmetonte koncertin përkujtimor për Nënë Terezën.

Kjo ndodhi vërtetë. Në sallën Pali i VI i Zonjës së Këshillit të Mirë, në Vatikan, kishte rreth tetë mijë shikues. Ishin orë të mira për imazhin e Shqipërisë.
Kur u gdhi 9 shtatori, e mërkurë, media e Tiranës njoftoi se kryeministri u nis për në vizitën tij të lajmëruar në Portugali. Në Lisbonë do të merrte pjesë në ditën e Shqipërisë, e cila do të organizohej në panairin ndërkombëtar EXPO'98.

Një nga të përditshmet shqiptare me këtë rast shënonte se kryetari i qeverisë po ikte nga vendi "duke lënë pas situatën politike më të vështirë për qeverisjen e PS, që prej kohësh kur Nano filloi të drejtojë qeverinë e koalicionit".

Në shtypin e Tiranës ndërkaq bëhej e ditur edhe kjo deklaratë e Azem Hajdarit: "Fatos Nano ka mbaruar. Ai është njeri i krizës, faktori antishqiptar në vend. Tek Nano shqiptarët shohin imazhin e diktatorit. Demokratët shqiptarë nuk mund ta lenë Shqipërinë në dorën e një bande kriminelësh".
Po këtë ditë të 9 shtatorit 1998 në gazetat e kryeqytetit shqiptar botoheshin fragmente nga një konferencë shtypi e Sali Berishës. Mes të tjerash ai kishte thënë: "Opozita do të përdorte edhe forcën në mbrojtje të drejtave kushtetuese të qytetarëve".

Po ashtu: "Në qoftë se proceset gjyqësore i ngrijnë, mjetet paqësore kanë marrë fund dhe mbetet vetëm forca".
I pyetur nga një gazetar se "a nuk është antikushtetuese mbrojtja e kushtetutshmërisë me anë të forcës" Berisha u përgjigj "është e ligjshme në të gjitha rrethanat shoqërore, është vetëm kushtetuese, vetëm e ligjshme. Sa herë që preket kushtetutshmëria dhe rendi kushtetues çdo qytetar ka të drejtën të vdesë në mbrojtje të tij, çdo forcë politike ka të drejtën të vdesë në mbrojtje të saj".

Pyetjes tjetër se "a ju tremb fatura e gjakut që do të paguanin shqiptarët në rast se ky qëndrim do të ishte konseguent", Sali Berisha i ktheu fjalët: "Mua nuk më tremb kurrë fatura e lirisë".
 
10 shtator, e enjte
 
"Zëri i Popullit": "Rikthehen maskat dhe shpërthimet e eksplozivëve. Edhe ky është një realitet që nuk mund t'i fshihet opinionit publik. Mbi 18 raste grabitjesh nga maskat e armatosura, 7 raste vrasjesh, plagosjesh apo sulme mbi forcat e rendit, mbi 22 raste përdorimi të lëndës eksplozive, nuk janë pak për të konkluduar se rendi vazhdon të ketë probleme...".    
"Rilindja Demokratike": "Sot, miting i madh i "Bashkimi për Demokraci" në sheshin "Skënderbeu", "Tirana në shesh: Nano nuk ke shpëtim!", "Opozita paralajmëron reagimin më të ashpër për të mbrojtur rendin kushtetues", "Hidhet në erë shtëpia e deputetit të Lushnjës...si edhe kinoteatri i qytetit, ku do të zhvillonte punimet aktivi i jashtëzakonshëm", "Klani i Nanos kërkon shkarkimin e Perikli Tetës", "Ministri i Brendshëm nuk zbatoi urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit", "Pritet zëvendësimi i tij me një "dorë të fortë që të shtypë demokratët", "Bllokoni aeroportin, përgatitet arratisja e madhe e qeveritarëve", "Sulmohet me armë komisariati i Laçit", "Kurbin, mbi 30 minuta luftë mes uniformave blu dhe personave të panjohur", "Berisha i bëri thirrje mësuesve dhe punonjësve të tjerë të fillonin greva dhe protesta kundër qeverisë, ndërsa forcave të rendit u kërkoi të qëndronin në anën e lirisë, në anën e popullit", "Marrëveshje, pas dorëheqjes së Nanos, përndryshe, tha Berisha, Shqipëria do të shkojë në katastrofë".
 
Një raport i shkurtër për Ministrin e Jashtëm: imazhi i Shqipërisë në rënie të nxituar
 
I Ngarkuari me Punë ja kishte ngulur vështrimin gazetës "La Repubblica" dhe ashtu ndenji për një kohë të gjatë. Vizita e kryeministrit shqiptar në Romë ishte veprimtaria më e rëndësishme diplomatike e tij për tre muajt që do të rrinte në kryeqytetin italian. Në fillim të nëntorit pritej të vinte ambasadori i ri.
Ekrani i kompjuterit kishte rënë në "pushim" dhe herë pas here, duke u përplasur lehtas nëpër paretet e tij, lëkundej fjala "Ëindovs 95".
I Ngarkuari me Punë goditi njërin nga tastet dhe ekrani u zbardh, pastaj u shfaq fragmenti i tekstit që ai po bënte gati për t’ia nisur Ministrit të Jashtëm në Tiranë. Në hartimin e raportit të tij të shkurtër e kishte ngacmuar pikërisht ajo gazetë, "La Repubblica", e cila qe e përditshmja e dytë e vendit. Kësaj radhe një artikull i saj kishte vënë në qendër të vëmendjes çfarë po ndodhte në Shqipëri. Brenda shkrimit ishte rrëfimi i misionit të BE-së bërë ato ditë në Tiranë, i cili kishte deklaruar se "kryeministri është akuzuar se nuk ka arritur të luftojë korrupsionin" dhe po ashtu "në rast se udhëheqësi demokratikas do të vazhdojë të nxisë turmën, bota do ta izolojë". Ideja e misionit ndërkombëtar të Bashkimit Evropian qe shkruar qartë në njërin prej nëntitujve: "Kriza shqiptare, faji është i Nanos dhe i Berishës".
I Ngarkuari me Punë rilexoi edhe njëherë tekstin përfundimtar të raportit të tij të shkurtër. Ai i komunikonte Ministrit të Jashtëm se në prag të vizitës së delegacionit shumë të rëndësishëm nga Tirana si pasojë e ngjarjeve politike që po zhvilloheshin në Shqipëri, imazhi i vendit dhe jo pak edhe ai i kryeministrit, kishin filluar të dëmtoheshin rëndë, gjë që mund të ndikonte në rezultatet e vizitës.
Pastaj u ngrit nga tryeza, vuri borsalinën mbi kokë dhe i tha shoferit ta bënte gati makinën. Drejtimi: Ministria e Jashtme Italiane.
 
(Vijon)
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës