Një deklaratë e Klevis Balliut nxehu gjakrat mes tij e deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçit. Pa përmendur emra, deputeti i PD tha se bashkëshortja e kryetarit të njërit prej partive menaxhon fondet e IPA dhe ndërkohë promovohen shoqata e themelohen parti.

“Nëse do të donit të ishit seriozë mund të donit të flisnin për bashkëshortët e kryetarit të këtyre partive, njërit prej tyre, që këtej koordinon fondet IPA, për të cilat Beqja është në burg, i koordinonte kjo miliona euro. Këtej i mbani dhe i promovoni nëpër shoqata dhe na themeloni edhe parti”, tha Balliu.

Redi Muçi shfrytëzoi fjalën për replikë për t’i kthyer përgjigje Balliut duke mbrojtur bashkëshorten e kryetarit të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorit. Deputeti tha se këtë duhet ta ketë për nder e jo “të japë mend për gruan e tjetrit.”

“Përmendi gruan e kryetarit të partisë sime. Zotëria në fjalë, Balliu e nisi fjalën e vet duke akuzuar kolegët e vet që po merren me biografinë dhe përfundoi duke u marrë me gruan e Arlind Qorit. S’dua të merrem me Balliun, as kush është, as kush ka qenë babai i tij, unë s’merrem me biografinë e askujt. Nëse dikush ka një profesion dhe menaxhon fonde të BE, duhet ta kesh për nder dhe jo të na japësh mend çfarë bën gruaja e tjetrit. Ky Kuvend në këtë nivel do të marrë fund sepse shumë shpejt do të mbahen zgjedhjet e parakohshme dhe do të hyjnë njerëz që e meritojnë”, tha Muçi.

Balliu ia ktheu se nuk ishte ai që e nxori emrin e Qorit, por vetë deputeti.

“Mos u tallni me qytetarët sikur na vini këtu e na bëni sikur ju ka prerë barku për qytetarët. Merru ti me çështjet që merremi ne. Unë nuk merrem në planin personal, e nxore ti kryetarin tënd, s’e nxora unë. Se ia di ti muhabetet atij, s’është çështja ime”, tha Balliu.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ Rrëzohen kërkesat e PD për interpelancë me Ramën dhe mocion me debat për protestat! Balla: S’ju pranojmë si ndërmjetës