Deputetët e Shkodrës janë mobilizuar si asnjëherë më parë në trumbetimin e problemit të ndotjes së mjedisit, e veçarisht atë të atraksioneve kryesore të kryeqytetit të veriut.
Kësaj radhe, deputeti demokrat Kliti Hoti ka ngritur shqetësimin për ndotjen e lumit emblatik të Shkodrës, Buna. Ai thotë se ujërat e zeza dhe kanalizimet vazhdojnë të derdhen direkt në këtë lumë, gjë që ka shkaktuar edhe zhdukjen e rreth 40 llojeve të peshqeve.
“Mora vetë një mostër uji në lumin Buna dhe analiza laboratorike rezultoi alarmante:
1100 CFU/100 ml Escherichia coli, ndërkohë që norma e lejuar është zero.
Kjo do të thotë se ujërat e zeza dhe kanalizimet vazhdojnë të derdhen direkt në lumin Buna.
Ndërkohë, nga 58 lloje peshqish të evidentuara vite më parë në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, sot janë identifiku vetëm 18.
Kjo është situata reale që nuk mbulohet dot me propagandë”,- shprehet Kliti.
Pas denoncimit të deputetit demokrat, që u mbështet dhe nga deputetja socialiste Marjana Koçeku, kryebashkiaku shkodran Benet Beci reagoi duke thënë se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Përdorura të qytetit.
“Me financim të miratuar nga Bashkimi Europian, Qeveria Gjermane dhe Qeveria Zvicerane, pritet të nisë një nga projektet më të rëndësishme mjedisore dhe infrastrukturore për Shkodrën ndër vite: ndërtimi i Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Përdorura të qytetit.
Projekti, që po zbatohet nëpërmjet KfË dhe ndodhet tashmë në fazën e prokurimit të punimeve, përfshin ndërtimin e impiantit modern të trajtimit, rehabilitimin e stacionit kryesor të pompimit, ndërtimin e linjës kryesore të transmetimit drejt impiantit, si dhe kalimin nëntokësor të tubacionit poshtë lumit Buna përmes teknologjisë së mikro-tunelimit, në përputhje me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian për trajtimin e ujërave urbane.
Ky investim madhor synon të reduktojë ndjeshëm derdhjen e ujërave të ndotura të patrajtuara në Liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe lumin Drin, duke eliminuar ngarkesat organike dhe kimike ne Liqen dhe ndikimin negativ në ekosistemet ujore të zonës.
Mbrojtja e Liqenit të Shkodrës dhe biodiversitetit të tij unik nuk është vetëm çështje mjedisi, por edhe një investim strategjik për cilësinë e jetës, zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen turistike të qytetit dhe gjithë rajonit.
E mirëkuptoj dëshirën e deputetëve të rinj për të bërë lajm duke kritikuar fenomene negative se dhe çdo projekt apo çdo ndërhyrje publike. Është pjesë e politikës por do të ishte shumë më e dobishme që kjo energji të fokusohej tek problemet që ende nuk kanë marrë rrugën e zgjidhjes, dhe jo tek projekte madhore që janë financuar nga partnerët ndërkombëtarë, janë në proces konkret zbatimi dhe i shërbejnë interesit afatgjatë të Shkodrës dhe qytetarëve të saj”,- shkruan Beci.

Lufta kundër ndotjes së mjedisit dhe mbajtjes pastër së atraksioneve turistike të vendit, në Shkodër po bën bashkë edhe kundërshtarët politikë.
Deputetje socialiste Marjana Koçeku ka postuar një foto me deputetin demokrat Kliti Hoti, duke deklaruar se mbështet kërkesën e këtij të fundit për mbajtjen pastër të lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës.
Mesazhi i Koçekut është përbashkues: “Ma e randësishme se ndasia politike asht ajo çka na bashkon: Shkodra.”
“E mbështes kërkesën e kolegut, deputetit demokrat Kliti Hoti, për mbajtjen pastër të lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës.
Ma e randësishme se ndasia politike asht ajo çka na bashkon: Shkodra.
Autoritetet lokale shpesh kanë ba thirrje për kujdes dhe ndërgjegjësim.
Para nji muji bana thirrje dhe kërkesë nga e njajta foltore për lumin Drin, ndotjen dhe nevojën për angazhim serioz nga tanë ne.
Mjedisi nuk asht thjesht çështje estetike, por nevojë jetike që don vëmendjen e duhun”,- shkruan Koçeku në rrjetet sociale.
Komente










