Më 18 maj 2026, para Urës së Gurit në Shkup, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë protestën e radhës për të kërkuar të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe.
Ndërkohë 2 ditë para protestës, Çlirim Iseni, student dhe një nga organizatorët e protestës së paralajmëruar, ka reaguar pas disa pamjeve që tregojnë një paradë të një formacioni të policisë speciale në lagjet urbane të Kumanovës, ku shihen forcat speciale maqedonase teksa kryejnë stërvitjen në rrugë dhe thërrasin: “Këtu ka vetëm Maqedoni, le ta mësojnë të gjithë”.
Në një reagim publik, Iseni ngriti dyshime nëse kjo paradë me brohoritje nacionaliste ishte një rastësi apo një mesazh kërcënues ndaj studentëve dhe organizimit të protestës.
“Dy ditë para protestës së studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe, një tog i policisë speciale të RMV-së parakalon me brohoritje nacionaliste nëpër Kumanovë. Pyetja që lind është nëse kjo është një rastësi apo një paralajmërim. Përgjigjja jonë është e qartë: ‘ne do të vazhdojmë çdo formë paqësore dhe demokratike për realizimin e së drejtës sonë legjitime – Gjuha shqipe zyrtare’”, shkroi Iseni.
Ai rikujtoi historinë e lëvizjeve studentore gjatë periudhës jugosllave, duke theksuar se çdo tentativë për shtypje e bënte kauzën më të fortë, dhe shtoi se diversiteti kulturor ka qenë gjithmonë një vlerë e shtuar për vendin.
“Kohezionin ndëretnik shpesh e kanë rrezikuar pikërisht ata që duhet ta kultivojnë – shteti. Le të kujdesemi për një shtet të ndershëm dhe demokratik për të gjithë, duke ruajtur orientimin Euro-Atlantik të vendit. Shqipja do të bëhet, se s’bën ndryshe”, përfundoi Iseni.
Kujtojmë se organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë në protestën e studentëve në Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimin paqësor të tubimit.
Komente












Organizim dhe bllokim të shtetit urgjentisht
Përgjigju