Ethet e Nilit Perëndimor po vijojnë të përhapen në Maqedoninë e Veriut. Deri më 8 shtator janë regjistruar 58 raste të infektimit, nga të cilat 54 janë të konfirmuara dhe katër të mundshme, ndërsa tetë persona kanë humbur jetën.
Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë javës 2-8 shtator u regjistruan edhe dy raste të reja, një në Shkup dhe një në Sveti Nikollë. Në të njëjtën periudhë u shënuan edhe dy viktima.
Të tetë viktimat janë burra nga Shkupi, me moshë mesatare 71.9 vjeç dhe të gjithë kanë qenë të shtruar në spital.
Nga 58 personat e infektuar, 46 janë burra dhe 12 gra. Sipas të dhënave, 81% e rasteve janë persona mbi 60 vjeç, ndërsa mosha mesatare e të infektuarve është 66.1 vjeç.
Instituti i Shëndetit Publik thekson se rritja e rasteve gjatë vitit 2026 është dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme. Ethet e Nilit Perëndimor u regjistruan për herë të parë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2011, ndërsa deri në fund të vitit 2025 ishin raportuar 54 raste të konfirmuara laboratorikisht dhe pesë viktima.
Për këtë sëmundje nuk ka trajtim specifik antiviral. Mjekimi synon lehtësimin e simptomave, ndërsa rastet e rënda kërkojnë shtrim në spital. Autoritetet rekomandojnë përdorimin e solucioneve kundër mushkonjave, veshjen me rroba që mbulojnë trupin, vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe eliminimin e ujërave të ndenjura pranë banesave. Në rast të temperaturës së lartë, dhimbjeve të forta të kokës, ngurtësimit të qafës, konfuzionit ose dobësisë në gjymtyrë pas pickimit nga mushkonja, qytetarët duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.












Komente
Komento