Nga 520 kandidatët që aplikuan në shkollën e mesme policore në Maqedoninë e Veriut, 31 ishin shqiptarë dhe vetëm 11 prej tyre u pranuan. Shifrat u konfirmuan nga ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, gjatë seancës së pyetjeve parlamentare dhe shkaktuan debat me opozitën shqiptare për mënyrën si u zhvillua përzgjedhja.
Toshkovski pranoi se numri i shqiptarëve të pranuar është i ulët. Ai tha se institucionet duhet të punojnë më shumë për të nxitur pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në shkollën policore, por ia drejtoi përgjegjësinë edhe opozitës. Sipas ministrit, përmirësimi i përfaqësimit kërkon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të cilin ai akuzoi opozitën shqiptare se po e bllokon.
“Është fakt se numri është shumë i ulët. Në të ardhmen duhet të punojmë më shumë për t’i motivuar të gjitha etnitë në Maqedoni që të jenë pjesë e shkollës së mesme policore”, tha Toshkovski. Ai kritikoi edhe qeverisjen e mëparshme, duke pretenduar se për 20 vjet nuk ishte bërë mjaftueshëm për shkollën policore dhe Ministrinë e Brendshme.
Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, e kundërshtoi ministrin. Ajo pretendoi se mbi 100 kandidatë shqiptarë i plotësonin kushtet për t’u pranuar dhe akuzoi VMRO-në se kishte kontrolluar e vetme procesin e përzgjedhjes.
“Mbi 100 kandidatë shqiptar i kanë plotësuar kushtet dhe edhe një fakt po ua jap. Në qoftë se jeni i sinqertë sepse e shoh që nuk jeni sepse po manipuloni me faktet. Asnjë zëvendës ministër i VLEN-it nuk ka qenë pjesë e këtij procesi dhe praktikisht asnjë përfaqësues tjetër nga radhët e e VLEN-it nuk ka qenë pjesë e këtij procesi. Praktikisht vetëm ju dhe VMRO ka pas të drejtë të rregulloj siç ka dashur këtë proces”, tha Ajdari.
Përplasja u zhvendos edhe te projektligji për përfaqësimin e drejtë. Ajdari tha se opozita nuk do ta mbështesë në formën aktuale, pasi, sipas saj, ai nuk përmban kuota etnike, mekanizma që detyrojnë institucionet ta zbatojnë dhe as sanksione në rast shkeljeje.












Komente
Komento