KF Pogradeci është në një moment kyç të sezonit, teksa përgatitet për sfidën vendimtare ndaj Laçit në transfertë. Dy skuadrat janë në garë direkte për ngjitjen në Superligë dhe rezultati i kësaj përballjeje pritet të ndikojë ndjeshëm në renditje kur jemi vetëm tre ndeshje larg nga fundi i kampionatit në Kategorinë e Parë.

Presidenti i klubit liqenor, Armand Lilo, ka motivuar skuadrën me një shpërblim prej 50 mijë eurosh vetëm për fitoren ndaj Laçit, një duel që konsiderohet vendimtar. Aktualisht, Pogradeci renditet i treti në Kategorinë e Parë, me tre pikë më pak se kundërshtari direkt.

Përveç kësaj, drejtuesit e klubit kanë vendosur edhe një premio të madhe prej 100 mijë eurosh në rast se arrihet objektivi sezonal, ngjitja në elitën e futbollit shqiptar.

Në një komunikatë zyrtare, klubi theksoi se ky investim reflekton besimin te skuadra dhe dëshirën e qytetit për t’u rikthyer në nivelet më të larta.

Sezoni në Kategorinë e Parë është dominuar nga Skënderbeu, ndërsa Laçi dhe Pogradeci luftojnë për një vend që siguron ngjitjen direkte.

Një tjetër skuadër mund të sigurojë promovimin përmes fazës play-off, por kjo mbetet një rrugë më e vështirë. Sezonin e kaluar, Pogradeci iu afrua shumë këtij objektivi, por u ndal në finale nga KF Tirana, pas një autogoli vendimtar.

Renditja në Kategorinë e Parë tre raunde nga fundi i sezonit: