Ervin Salianji ka reaguar në rrjetet sociale për fitoren e opozitës në Hungari pas 16 vitesh qeverisje të Viktor Orban.
Ish-deputeti demokrat shkruan në rrjetet sociale se “Hungaria rrëzoi një mit që në Shqipëri përdoret çdo ditë si justifikim: Ky sistem nuk mund të ndryshohet me votë”.
Salianji, i cili synon të garojë në zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike, thekson se formula që i solli fitoren opozitës hungareze, duhet aplikuar dhe nga opozita në Shqipëri.
“Por ndryshe nga ajo që kemi parë shpesh në Shqipëri, në Hungari ndodhi një kthesë e vërtetë, Opozita nuk u mjaftua me ankesa, qarje, nuk u fsheh pas justifikimeve, nuk u dorëzua. Ajo ndryshoi veten. U riorganizua. Zgjodhi lider të ri! Pati fuqinë të ndryshoje veten”,- shkruan Salianji.
Ish-deputeti mbyll shkrimin e tij duke thënë se “Hungaria e bëri, është radha jonë”.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
Peter Mgyar, lider i ri që na tregoi se autokracitë përmbysen me votë!
Hungaria rrëzoi një mit që në Shqipëri përdoret çdo ditë si justifikim:
“Ky sistem nuk mund të ndryshohet me votë”
Një pushtet i përqendruar prej vitesh nga Viktor Orbán, me zgjedhje të kontestuara, media të kapura dhe oligarkë të ushqyer nga qeveria, dukej i paprekshëm.
Një histori që ngjan shumë me realitetin që kemi përballë sot me Edi Ramën!
Por ndryshe nga ajo që kemi parë shpesh në Shqipëri, në Hungari ndodhi një kthesë e vërtetë, Opozita nuk u mjaftua me ankesa, qarje, nuk u fsheh pas justifikimeve, nuk u dorëzua.
Ajo ndryshoi veten. U riorganizua. Zgjodhi lider të ri! Pati fuqinë të ndryshoje veten!
Riktheu besimin te qytetarët.
Denoncoi me fakte dhe mobilizoi mbështetje të gjerë popullore e mbi të gjitha, solli një energji të re përmes një lideri të ri si Peter Magyar.
Ky është mësimi i qartë, ndryshimi nuk vjen vetë, duke pritur që sistemi të bjerë.
Ndryshimi vjen kur ke kurajon ta sfidosh dhe ta ndryshosh atë.
Kjo është arsyeja pse prej kohësh kemi nisur lëvizjen për ndryshim në Partine Demokratike!
Një lëvizje që nuk ndërtohet mbi alibi, por mbi përgjegjësi.
Që nuk kërkon pushtet për vete, por besim nga qytetarët.
Që nuk frikësohet nga sistemi, por e sfidon atë çdo ditë. Sepse një e vërtetë mbetet dhe sot u rikonfirmua në Hungari; asnjë pushtet nuk është më i fortë se qytetarët e bashkuar.
Hungaria e bëri, është radha jonë!
Komente











